Komiteti i Helsinkit: Krimi, alarmues. Shteti të sigurojë jetën e qytetarëve
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar në lidhje me ngjarjet e rënda të ndodhura ditë e fundit në vend, duke thënë se krimi ka kapur shifra alarmuese. Në një reagim për shtyp, Komiteti Shqiptër i Helsinkit shprehet se shteti e ka për detyrë që të mbrojë jetën e qytetarëve të vet.
Duke marrë parasysh numrin e lartë të vrasjeve, grabitjeve, vjedhjeve dhe sulmeve të ndryshme, KShH i kujton shtetit shqiptar se duhet tu garantojë jetën qytetarëve pasi kjo është detyra e tij dhe e drejta e qytetarëve për ta pasur.
Shtetasit shqiptarë meritojnë të jetojnë të qetë në punë dhe në shtëpi si dhe tu ofrohet siguri në ambientet ku ata ndodhen.
Shteti ka detyrimin pozitiv për të siguruar shtetasve brenda juridiksionit të tij garanci dhe mbrojtje efektive për gëzimin e kësaj të drejte, nënvizohet më tej.
“Të dhënat flasin për një numër të lartë të veprave penale kundër jetës dhe pronës së shtetasve dhe se pavarësisht nga përpjekjet që janë bërë e po bëhen për zbulimin e krimeve dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, konstatohet se masat për parandalimin e veprave penale nuk kanë qenë në nivelin e duhur, thuhet në reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.