Me Lina Wertmüller në tetë minuta e gjysmë

Një bisedë e shkurtër me regjisoren. U ndodh për 24 orë në Shqipëri me rastin e prezantimit të kinemasë në epokën e rikonstruksionit të Italisë. Duke parë Tiranën, Wertmüller-i reflekton: Megaqytetet që po ngrejmë do të kenë një ditë ndërtimet e tyre fantazma si varrezat e makinave. Dhe një kujtim fëminie i vitit 1939 nga shqiptarët në Via Dell'impero
Në Shqipëri nuk është shfaqur film i Lina Wertmüller-it deri në vitin 2008, kur si rastësisht u zbulua se vepra e saj e parë, "I basilischi", ishte blerë nga shteti shqiptar më 1981 dhe nuk ishte shfaqur. Zonja ka gjashtëdhjetë vjet krijimtari por me pak spektatorë shqiptarë të pastërvitur me veprën e saj, u takua të shtunën pasdite kur u prezantua "Mimì metallurgico ferito nell'onore". Ky filmi i saj i vitit 1972 është një komedi për ndryshimin e jetës së një italiani në një kulm të zhvillimit ekonomik, për migrimin e brendshëm dhe për ca utopi të marksizmit.
"Jam dëshmitare e vogël e asaj që ka ndodhur. Në fund të fundit ky mendoj se është qëllimi i artit. Pastaj mënyrat që zgjedh për të dëshmuar, ndryshojnë. Për mua grotesku dhe ironia kanë qenë shokë të kësaj rruge. Natyra ime më shtynte tek ironia."
Takimi me Wertmüller-in 82-vjeçare na njeh me qëndrimin që mban një artiste ndaj botës, qëndrim që është ai që është, jo vetëm pse ka bërë rrugë të gjatë në jetë, po se bindjet tregojnë cilën rrugë ka dashur ajo të ndjekë.
Ndjenja e modernitetit, sipas saj, është një zakon i ri, por zakonet e tjera kanë mbetur po ato. Saç lëvdon të mirat e këtij modernizimi, aq reflekton me maturi për megaqytetet që po ngrejmë, e që do të kenë një ditë ndërtimet e tyre fantazma si varrezat e makinave. Ndërtimet e reja dhe Sheshi "Skënderbe" i mbingarkuar me qarkullim makinash i kanë lënë përshtypjen e gabimeve të përsëritura që bëjnë vendeve dhe shoqëritë në emër të zhvillimit. "Ishte një kohë kur kinemaja tregonte ndryshimet sociale në shumë mënyra, për shembull nëpërmjet komedisë italiane. Unë për vete, kam bërë gjithnjë filma groteskë dhe jam shqetësuar më shumë për popullin, edhe atëherë kur jam marrë me borgjezinë", ka thënë dikur ajo.
Vepra e saj me shenjë të veçantë është "Pasqualino Settebellezze", që e bëri të parën grua të kandidohej për Çmimin Oscar më 1977: për regjinë, skenarin, aktorin më të mirë protagonist, Giancarlo Giannini, për filmin më të mirë të huaj. Asnjë të fituar.
Ka bashkëpunuar gjatë me Sophia Loren me të cilën ka xhiruar katër filma "Fatto di sangue...", "Sabato, domenica e lunedì", "Francesca e Nunziata" dhe "Peperoni ripieni e pesci in faccia"; ka drejtuar aktorë të huaj si Peter O'Toole, Rutger Hauer dhe Nastassia Kinski në filmin "In una notte al chiaro di luna"; Candice Bergen në "Fine del mondo nel nostro solito letto in una notte piena di pioggia"; Harvey Keitel në "Un complicato intrigo di donne, vicoli e delikti".
Pothuajse në gjithë krijimet e saj, në kinema dhe teatër ajo ka pasur për kostumograf dhe skenograf Enrico Job, shoku i jetës së saj.
Shkrimtari amerikan Henry Miller shkruan për të: "Keni parë ndonjëherë ndonjë film të Lina Wertmüller-it? Mua më duket se është regjisori më i mirë se çdo regjisor mashkull." Punëve të barazive dhe pabarazive, se ç'janë të grave dhe ç'u takojnë
burrave, pa u vënë në ndonjë front gjinie Wertmüller-i, u ka dhënë përgjigje në filmat e përmendur dhe ata të tjerë që s'u fol.
Në një bisedë tetë minuta me regjisoren, morëm kënaqësinë e pranisë së saj dhe një kujtim nga fëminia: Në vitin 1939 ka parë në Via Dell' Impero, të veshur me fustanella ata që i quanin skipetari, teksa i jepeshin Perandorisë së Vittorio Emanuele III.
Zonja Wertmüller, ka gjashtëdhjetë vjet që ju intervistojnë, ua keni shuar gazetarëve kuriozitetin edhe për syzet "për pushime" që mbani; për Fellinin që ju erdhi dhuratë nga Perëndia; për groteskun dhe ironinë e filmave tuaj; për Gianninin dhe Melaton, Mastroiannin dhe Lorenin; për titujt qëllimisht tejet të gjatë që u vini filmave tuaj.
E vështirë të gjejmë gjërat e reja dhe kemi fare pak kohë. Na ndihmoni ta nisim këtë intervistë.
Po ja, më pyesni dhe unë do t'ju përgjigjem.
Në atë copë rrugë nga aeroporti në Tiranë, çfarë patë?
Pashë tokën, e bukur, që po më ngjante shumë me tokën e Italisë.
Jeni këtu për të hapur serinë e filmave për "epokën e rikonstruksionit" të Italisë.
Gjetët diçka të ngjashme me atë atmosferë sado e shtyrë në kohë?
Bëhet fjalë për vitin 1973, pra rreth 50 vjet përpara, kur unë xhiroja "Mimi metalurgun..." Në njëfarë mënyre jemi të ngjashëm, paçka se ju është dashur të përshkoni tjetër histori, përfshi historinë e re, atë kur, me sa ma merr mendja, keni provuar pasojat e një politike mjaft kufizuese.
Në Shqipëri, kur është folur së fundi se çfarë përfaqësonte personi juaj për një komision censure për filmin në periudhën komuniste, jeni përkufizuar: një marksiste liberale. Ç'lidhje keni pasur me marksizmin dhe ideologjitë e së majtës?
(Qesh) Nuk di nëse mund ta quaj veten marksiste. Sigurisht jam e së majtës. T'ju them të vërtetën nuk më kujtohet se çfarë ekzaktësisht ka qenë marksizmi. Gjithsesi, jam për të majtën.
Çfarë keni dëgjuar për fqinjët tuaj, shqiptarët?
Pak, shumë pak kam dëgjuar. Nga fëmijëria mbaj mend kohën kur Italia pretendonte të bëhej Perandori dhe Shqipëria ishte pjesë e saj. Mbaj mend paradën në Via Dell' Impero (Romë), ku do të parakalonin ata që ne i quanim gli skipetari me ato veshjet, ceremoniale, me ato lloj fundesh. A vishen akoma ashtu ushtarakët?
Jo, fustanellat nuk përdoren më si veshje ceremoniale në ushtri.
Më vjen keq, meqë ato kostume janë pjesë e traditës duhet të ekzistojnë akoma në një formë të ngjashme dhe të shfrytëzohen. Mua më janë dukur vërtet veshje të çuditshme, sidomos të veshura nga burrat.
E dini që filmi juaj i parë i shfaqur këtu është "I basilischi"? Ndodhi 2 vjet përpara takimi juaj me publikun shqiptar.
Ma thanë pak më përpara. Është filmi im i parë dhe kjo më gëzon, aq më tepër që paska mbetur në Arkivin tuaj.
Atmosferën dhe fenomenin e "Hardhucave" e gjen në kohë të ndryshme në jug të vendit tonë: braktisja, gratë me të zeza, të rejat që përpiqen "të lidhen me qendrën".
Është e natyrshme, sepse është fjala për vende baritore, bujqësore dhe njerëz që priren drejt rrymës që shkon në qytet. Vajzat janë një energji e re, pikërisht ngaqë për shekuj me radhë kanë qenë të ndrydhura prej burrave, prandaj them se vitaliteti i tyre është aktiv dhe i tjetër lloji nga i burrave. Sigurisht që do duhet t'ia dalin mbanë për të bërë shumë më tepër se ç'kanë bërë. Apo jo?
Ju jeni feministe zonja Wertmüller?
Nuk besoj, nuk mund ta quaj veten feministe. Unë nuk bëj shumë dallime mes mashkullit dhe femrës. Nuk do doja që feminizmi të përsëriste gabimet e maskilizmit. Në fund të fundit unë besoj që njerëzit janë njëlloj.
Përse nuk e realizuat filmin "Sheikë dhe feministe"?
Thjesht nuk u bë. Po ku i dihet, edhe mund ta realizoj. Historia është e bukur.
"Mimi metalurgu..." që po presim të shfaqet, mendoni se është më i përshtatshmi nga filmat tuaj për të folur për temën e "zhvillimit të një vendi"?
Është një film që tregon për integrimin e jugut dhe veriut, kështu që është brenda temës dhe diskutimit që është zgjedhur, për fshatin dhe qytetin. Italia është vendi i kulturave të ndryshme, në dallim nga Shqipëria ku, për shembull, nuk besoj se ka ndonjë ndryshim të madh të gjuhës që flitet në Tiranë nga ajo që flitet në Durrës.
"Tetë e gjysmë" i Fellinit është një film që pëlqehet shumë nga njerëz të kinemasë këtu, por ka qenë një forcë shtytëse e jashtëzakonshme nga nisi karriera juaj.
Mëse i rëndësishëm është ky film për mua. Puna me Fellinin ka qenë në jetën time një dhuratë, sepse Fellini ishte i veçantë. Do na duheshin dy muaj të flisnim për të. Ishte njeri jo i zakontë, artist dhe mik i madh, burrë shumë i hirshëm. Ka mbetur në zemrën time.
Keni thënë se frika juaj më e madhe është nga vdekja.
Është frika e të gjithëve. Është territori i panjohur prej nga nuk është kthyer askush. Prej saj humbet gjithë njerëzit që do dhe nuk i gjen dot më. Në këtë kuptim, nuk jam dhe aq, le të themi, "e magjepsur" nga vdekja. Them shpesh që ne na kanë paraprirë mijëvjeçarë heshtjeje dhe errësire dhe do të na ndjekin mijëvjeçarë heshtjeje dhe errësire. Kemi këtë copëz dielli mbi tokë, kështu që duhet të na hajë meraku për sa kohë kalojmë këtu, dhe të mos mendojmë për terrin që na ka prirë dhe terrin që vazhdon pas nesh.
Keni thënë edhe se që të bësh kinema duhet talent, pasion po edhe culo...
Që ç'ke me të. Ju e përdorni këtë shprehje për fat, ci vuole culo?... Po? Atëherë u marrkemi vesh.
Lina për veten nga intervistat e saj
"Jetoja në një familje borgjeze (babai im ishte avokat). Nisa të merrem me teatër krejt rastësisht, falë një mikes sime të madhe, Flora Klarabelës. Më kanë përzënë nga 11 shkolla, por në njërën prej tyre njoha Florën, që më vonë u martua me Marçelo Mastroianin. Fillova ta imitoj miken time më e madhe se unë dhe që merrej me teatër. Kam pasur një bazë stanislavskiane sepse më pas u regjistrova në Akademinë e Pietro Sharofit, regjisor rus nxënës i Stanislavskit. Pasi u mora ca kohë me njëfarë soj teatri, mbërrita më në fund tek kinemaja, gjithnjë falë miqësisë me Marçelon dhe Florën, ishte Felini që zbuloi tek unë vlerën e fluturimeve pindarike që bën mendja e një artisti. Prej tij kam mësuar njësinë e lirisë absolute. Federiko edhe në rregullat mjaft të ashpra, e të pakapërcyeshme, financiare të kinemasë gjithnjë ia ka dalë të gjejë lirinë e madhe. Periudha që kalova pranë tij ka qenë ndër më të bukurat e jetës sime. I qahesha shpesh, i thosha: "Federiko më thirr kur të duash sepse ngaqë ndjej gëzim të madh pranë teje, do të vij e të bëhem asistentja jote. Felini është referimi im kryesor...
Puna ime është vlerësuar më shumë jashtë se në Itali. Në Berlin për shembull sapo ka përfunduar një retrospektivë e plotë e gjithë filmave të mi. Është e vërtetë që gjithnjë kam punuar për hesapin tim dhe jam shndërruar në kalë të egër. Kjo tip pavarësie në këtë vend nuk parapëlqehet, por s'ankohem, shtëpinë e kam plot me çmime dhe në Festivalin e Taorminës, cilido i huaj që vjen më propozon zëre se gjithmonë. Mbi të gjitha nuk kam dashur kurrë të transferohem në atë ferrin e mrekullueshëm të Hollivudit....
Amerikanët kanë pëlqyer mënyrën se si unë krijoj raporte me problemet sociale, me politikën dhe groteskun. Eksportimi i filmit është bërë lojë e rrezikshme. SHBA-të kanë pushtuar vendin tonë në mënyrë totale. Sallat tona janë në shërbim të kinemasë së tyre. Kohë më parë propozova krijimin në SHBA të një rrjeti të vogël sallash ku të shfaqej kinemaja italiane, në qytete të mëdha si Nju Jorku, San Françisko, Los Anxhelos, Çikago, po zëri im nuk u dëgjua. SHBA-të qëllimisht kanë një treg të mbyllur. Hapen pikërisht atëherë kur nuk mund të na shmangin ne italianëve, që edhe pse kemi bërë një kinema të madhe, e kemi shitur keq. Shpikëm Venecian, po edhe për këtë na e hodhën francezët."