Lirohet Paro Laçi, akuzon policinë

Administratori i Klubit të futbollit të Partizanit, u lirua dje nga blutë me urdhër të Prokurorisë së kryeqytetit, dy ditë pas ndalimit
Numri një i të kuqve akuzoi krerët e Policisë për arrestim të paligjshëm ndërsa avokati i tij pretendoi prishje të imazhit
TIRANË- Administratori i klubit të futbollit "Partizani", Paro Laçi, lihet i lirë nga Policia e kryeqytetit, tri ditë pas arrestimit të tij, i si i dyshuar për heqjen e paligjshme të lirisë së futbollistit Sokol Ishka, pas një sms-je të dyshimtë në telefonin e këtij të fundit. Laçi la ambientet e policisë së Tiranës, dje rreth orës 15:00, pas vendimit të Prokurorisë së Rrethit, për ta lënë të lirë 42- vjeçarin Laçi. Ndaj këtij të fundit ishin ishin ngritur akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë, kanosjes dhe dëmtimeve të tjera me dashje. Dje në mesditë, tifozë të Partizanit ishin mbledhur para godinës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për të protestuar për arrestimin e Laçit, si dhe për të mbështetur këtë të fundit, por pasi kanë qëndruar për një kohë të shkurtër aty, kanë pritur edhe lirimin e tij. Ndërkaq, menjëherë pas lirimit të tij nga Policia, Laçi në prani të avokatit të tij, nuk hezitoi të sulmonte policinë e kryeqytetit, për arrestimin e tij duke e cilësuar atë si të paligjshëm.
Rreth orës 15:00 Laçi, la pas krahëve qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa më parë, prokuroria kishte urdhëruar lirimin e tij. Në përballjen e parë me mediat, përpara godinës së Policisë së Qarkut Tiranë lëshoi akuza ndaj krerëve të policisë së kryeqytetit për prangosjen e tij të enjten tri ditë më parë, me 15 prill 2010, pas një kallëzimi të futbollistit të Partizanit, Ishka. Ky i fundit pretendonte se është mbajtur me forcë dhe dhunuar nga Laçi në Golem. Pas denoncimit të këtij të fundit në komisariatin e Policisë nr.2, blutë e kryeqytetit, nisën ndjekjen penale ndaj Laçit duke ngritur ndaj tij disa akuza, bazuar në kallëzimin e futbollistit të Partizanit.
Pas dy ditë mbajtjeje të tij në izolim, Laçi la qelinë, ndërsa pohoi para mediave se gjatë kohës së qëndrimit të tij në qeli, kishte qëndruar në grevë urie, për shkak se sipas pretendimit të tij, arrestimi i kryer nga policia kishte qenë i paligjshëm dhe se e kishte dëmtuar atë. Për arrestimin e Laçit, Policia e kryeqytetit reagoi zyrtarisht, ku nëpërmjet një deklarate bëri të ditur se ndalimi i tij është bërë pasi dyshohet se më datë 11 prill të këtij viti, në vendin e quajtur Shkëmbi i Kavajës, ka kanosur, hequr lirinë dhe qëlluar futbollistin e Partizanit, 31- vjeçarin Sokol Ishka. Ky i fundit ka pësuar dëmtime të ndryshme trupore. Ndërkaq, pas administrimit të kallëzimit, të Ishkës, policia nisi hetimin. Një ditë më vonë, vetë futbollisti tërhoqi kallëzimin ndaj administratorit të klubit "Partizani". Gjithsesi policia kërkoi ballafaqim me Laçin, duke qenë se vepra penale për të cilën kishte bërë kallëzim Ishka ndiqej kryesisht dhe jo me heqje dorë nga i dëmtuari.
Pas arrestimit, hetimet ndaj Paro Laçi nisën nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale të "heqjes se pa ligjshme te lirisë", "kanosjes" dhe "dëmtime të tjera me dashje". Por tre ditë pas arrestimit, Prokuroria ka marrë vendimin që të lihet i lirë, pas tërheqjes së denoncimit nga futbollisti Ishka. Pavarësisht pretendimeve për rrëmbim apo heqje të paligjshme të lirisë, Laçi u paraqit vullnetarisht në komisariatin nr.2, ndërsa hetimi i çështjes kishte kaluar në zyrën e Hetimit të Krimeve ndaj Jetës. Pavarësisht paraqitjes vullnetare, policia vendosi të ndalonte Laçin duke i komunikuar atij akuzat, ndërsa dosja ishte referuar në Prokurori e cila pas regjistrimit dhe shqyrtimit vendosi të lirojë numrin një të Partizanit, për shkak të mungesës së rrezikshmërisë dhe të flagrancës. Ndërkaq vetë Ishka, pas incidentit pohoi se kishte qenë në gjendje të dehur në momentin e deklarimit dhe se nuk kishte asnjë konflikt me Laçin me të cilin ishte sqaruar tashmë.
Paro Laçi: Arrestimi im, i paligjshëm
Pas lirimit nga dhomat e ndalimit në Policinë e Tiranës, Paro Laçi ka bërë një deklaratë para gazetarëve, duke quajtur arrestimin e tij si të paligjshëm. Ky i fundit ka akuzuar Policinë e kryeqytetit për ndalimin që iu është bërë tre ditë më parë në Tiranë. "Nuk kam asgjë për të thënë dhe për këtë Tonin Vocaj duhet të thotë diçka. Drejtori i policisë duhet të dalë para jush dhe të japë dorëheqjen, kjo për arsyen se ka bërë një arrestin të paligjshëm. Drejtuesi i Policisë së Tiranës duhet të japë llogari për arrestimin, pasi është bërë në kundërshtim me ligjin"- u shpreh dje administratori i klubit të futbollit "Partizani", Paro Laçi sapo u la i lirë. Ky i fundit u shpreh se për 48 orë me radhë ka qëndruar në një grevë urie për të kundërshtuar arrestimin që iu ishte bërë nga forcat e Komisariatit të Policisë nr. 2.
Ardian Grabova: Arrestimi dëmtoi imazhin e Laçit
Avokati i Paro Laçit, reagoi përsëri dje në lidhje me arrestimin e klientit të tij. Ardian Grabova e cilësoi si të paligjshëm arrestimin dhe ngritjen ndaj administratorit të "Partizanit", të tre akuzave, të pengmarrjes, kanosjes dhe dëmtimeve të tjera me dashje. Sipas tij, arrestimi për këto akuzat duhet të bëhet në kushtet e flagrancës, gjë që nuk ka ndodhur, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin. "Unë mund të themi se ky arrestim është i paligjshëm dhe me këtë veprim Policia e Tiranës ka dëmtuar imazhin e Laçit",- u shpreh dje njëri prej avokatëve të Paro Laçit, Ardian Grabova.
Policia iu bllokoi dy të arrestuarve 115 gramë drogë, një pistoletë dhe një kartmonedhë false