Si funksionon skema e sigurimit të detyrueshëm

Fillimisht bëhet vlerësimi i shkallës së ekspozimit të vendit ndaj katastrofave. Qeveria mëse e interesuar pas përmbytjeve në Shkodër. Pagesa parashikohet të bëhet një herë në vit bashkë me energjinë elektrike
TIRANË-Ngritja e një skeme kombëtarë sigurimi ndaj katastrofave është duke u marrë seriozisht prej autoriteteve sidomos pas përmbytjeve të fillimvitit në Lezhe e Shkodër si dhe të disa javëvë më parë në Maliq të Korçës. Në raste të tilla, si qeveria ashtu edhe kompanitë e sigurimeve janë mëse të interesuar për aplikimin e një skeme të tillë, pasi e para heq prej vetes barrën e pagesës së dëmeve në raste katastrofash ndërsa të dytat gjejnë një treg të gatshëm nëse sigurimi bëhet i detyrueshëm për qytetarët.
Por për të arritur deri në aplikimin e një skeme të tillë janë një serë hapash që duhet të hidhen paraprakisht. Të pyetur në lidhje me implementimin e skemës së sigurimit ndaj katastrofave në Shqipëri, specialistë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare konfirmojnë parashtrimin e këtij propozimi në kontaktet që kanë patur me qeverinë duke marrë në konsideratë edhe eksperiencat e vendeve të tjera. Per momentin hartimi skemës së sigurimit ndaj katastrofave është në fazën e saj fillestare por mbulimi i dëmeve me para nga buxheti i shtetit duket se do ta bëjnë këtë një realitet shpejt të prekshëm për shqiptarët.
Fillimisht, strukturat shtetërore duhet të përcaktojnë nëse do të aplikojnë një skemë të detyrueshme sigurimi apo vullnetare. Sipas specialistëve të AMF-së për Shqipërinë do të funksiononte më mirë një skemë e detyrueshme sigurimi. Aplikimi i kësaj skeme në vend do të garantonte prime më të ulëta dhe mbulim më të mirë për qytetarët krahasuar me atë vullnetar pasi ka një numër më të madh pjesëmarrësish. Pas përcaktimit të skemës bëhet një vlerësim mbi ekspozimin e vendit ndaj rreziqeve të katastrofave. Në rast të ekspozimit të lartë primet janë më të mëdha ndërsa kur mundësia për ndodhjen e katastrofave është e ulët edhe pagesa është e tillë. Një përcaktim i saktë e rrezikut ndaj katastrofave shpjegojnë specialistët, çon në caktimin e parametrave të saktë të shumave të mbulimit dhe primeve përkatëse të sigurimit. "Shqipëria bën pjesë në vendet me ekspozim të lartë ndaj rreziqeve katastrofike, ku kryesore mbeten tërmeti dhe përbytja. Rritja e frekuencës së katastrofave në shkallë globale, por edhe përqëndrimi i popullsisë në qytetet kryesore të vendit, kanë theksuar nevojën e një sistemi të ri të financimit të dëmeve potenciale nga katastrofat", - shprehen specialistë të AMF-së. Të dhënat paraprake në lidhje me shumën që do të duhet të paguajnë shqiptarët është mesatarisht 20 deri 30 euro në vit. Kjo është një parashikim i cili do të saktësohet pas përcaktimit të shkallës së ekspozimit të vendit ndaj katastrofave. Ndërkaq, referuar eksperiencës së vendeve të tjera që aplikojnë një skemë të ngjashme me atë që parashikohet te aplikohet në vend, pra sigurim i detyrueshëm, tarifa paguhet një herë bashkë me faturën e energjisë elektrike. Kjo është e ngjashme me tarifën e Televizionit Publik që paguhet një herë në vit bashkë me energjinë elektrike.
Një shumë e tillë do të ishte vetëm për skemën e detyrueshme të sigurimit ndaj katastrofave të ngjashme me siguriacionin e automjeteve pasi qytetarët mund të bëjnë pagesë tjetër në raste se dëshirojnë mbulim shtesë ndaj rreziqeve të tjera. Por bashkë me aplikimin skemës së siguracionit të detyrueshëm për bizneset dhe individët ndaj katastrofave duhet të përcaktohen në mënyrë të detajuar edhe shkalla e mbulimit të kësaj police për të shmangur situatën e tanishme në sigurimet e automjeteve, ku raporti prime dëme është në nivele mjaft të ulëta në krahasim me vendet e rajonit vetëm 32 për qind.