Hysi u kthehet stërvitjeve, por pa Tovërlanin
Në fakt, bardhezinjtë të enjten i kishin bojkotuar stërvitjet, pasi kishin kaluar dy javë që udhëheqësit e klubit nuk ua kishin dhënë pagat për muajin e fundit.
“Sot (e premte) skuadra u është rikthyer stërvitjeve, pasi kryesia e klubit u ka premtuar lojtarëve se të hënën do t’i kryejë obligimet financiare ndaj tyre”, ka thënë një burim i Expressit, brenda kryesisë së klubit bardhezi.
Mirëpo, as të premten në Merdar nuk është parë fare trajneri i ri i Hysit, Afrim Tovërlani. Kështu, stërvitjet bardhezinjtë i kanë zhvilluar nën udhëheqjen e ndihmësit të Tovërlanit, Fadil Ademit.
Mësohet se ish-trajneri i Prishtinës dhe Trepçës ’89 aktualisht gjendet në Shkup për shkaqe private, derisa të hënën pritet t’i bashkohet skuadrës.
Bojkoti në Hys kishte ardhur në kohën kur kampioni aktual po kalonte nëpër një krizë të rezultateve, me ç’rast llapjanët kishin vendosur që në krye të shtabit teknik ta emëronin strategun e njohur kosovar, Afrim Tovërlanin.