E Diel, 1 Nëntor 2026

Me debate, Kuvendi i hap rrugë privatizimeve masive

Komisioni i Ekonomisë miraton projektligjin për tokat: Ulje 40% kush paguan menjëherë

Komisioni i Ekonomisë miratoi dje me debate projektligjin “Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror”, duke i hapur rrugë nisjes së procesit të gjerë për shitjen e tokave që shfrytëzohen nga privati, por që janë pronë e qeverisë. Projektligji është i ndarë në dy pjesë të ndara, ku njëra flet për taksën e tokave me 10 për qind, kurse e dyta trajton procesin e shitjes së tyre, me bono privatizimi në masën 20 për qind.

Debat në komision pati për menaxhimin e taksës, pra se cili institucion do ta vjelë atë, pasi në projektligj ishte shënuar “administrata tatimore”, ndërsa deputetët propozuan që taksën ta vjelin pushtetet vendore ose zyra e administrimit të pronës shtetërore. Tjetër debat pati për formën e shitjes së tokës, ku deputeti Selami Xhepa propozoi rritjen e masës së prodhimit të letrave me vlerë, nga 20 për qind, në 50 për qind. Por gjatë diskutimeve, u la e pandryshuar, pasi projektligji parashikon një tjetër incetivë sa i takon pagesës së menjëhershme, ku individi përfiton ulje çmimi me 20 për qind.

Sipas drejtoreshës për çështjet juridike në Ministrinë e Financave, Linda Rusmali, projektligji u intereson 13 mijë individëve dhe bizneseve që kanë objekte mbi prona shtetërore, ndërsa për tokën paguajnë qira. “Problemi që hasim aktualisht është qiraja që nuk paguhet, për rrjedhojë ne propozojmë ndryshimin e ligjit, duke vendosur taksë 10 për qind mbi vlerën e tokës, si dhe shitjen për ata që kanë interes t’i blejnë.

Fusha e zbatimit të ligjit

Projektligji, referuar nenit 2, do të zbatohet mbi trojet e paprivatizuara, të ndërtesave të privatizuara nga shtetasit me ligjin nr. 7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarie private të pavarur dhe privatizimit” (i shfuqizuar), sipas gentplaneve në momentin e privatizimit të ndërtesave. Gjithashtu prek trojet e paprivatizuara të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7512 (i shfuqizuar), sipas gentplaneve në momentin e shitjes së ndërtesave; si dhe mbi trojet e paprivatizuara mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa, mbi bazën e lejeve të ndërtimit të lëshuara nga Komitetet Pluraliste të Këshillave në periudhën e funksionimit të tyre, sipas gentplaneve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit. Debate pati dhe për një tjetër kategori ku shtrihet projektligji, si te “trojet në përdorim të personave juridikë tregtarë, në përputhje me parashikimet e vendosura nga ligji i veçantë”, duke i bërë disa ndryshime teknike.

Në nenin 18 të projektligjit janë vendosur kushtet e përfitimit të uljes së çmimit të tokës dhe përdorimi i letrave me vlerë. Kështu, individët, që përfitojnë nga e drejta e privatizimit të truallit shtetëror sipas parashikimeve të këtij ligji, mund të kërkojnë pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, shlyerjen e menjëhershme të pagesës së truallit. Nëse kërkesa për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit bëhet me shkrim brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë ulje prej 20% e vlerës dhe 20% e vlerës së mbetur mund të paguhet me bono privatizimi. “Nëse kërkesa për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit bëhet me shkrim pas 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, por brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë ulje prej 20% të vlerës”, është një tjetër mundësi që parashikohet në projektligj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›