Largohen nga puna 100 stomatologë
Me një urdhër të posaçëm janë larguar nga puna plot 100 asistentë stomatologë, apo siç quhen ndryshe edhe zëvendësdentistët. Arsyeja e largimit të tyre nga puna, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ishte mosplotësimi i kritereve të arsimit, të nevojshëm për të ushtruar profesionin. Nga kontrollet dhe inspektimet e kryera ka rezultuar që këto 100 stomatologë nuk kishin arsimin e duhur dhe për rrjedhojë nuk mund të ushtronin profesionin në institucionet shtetërore në varësi të shëndetësisë. Ndërkohë që pas nënshkrimit të urdhrit, janë marrë masat për njoftimin e ish-punonjësve në profesionin e stomatologut. Në këto kushte, ish-asistentë stomatologët, i janë drejtuar godinës së Ministrisë së Shëndetësisë për të protestuar për vendimin e marrë, në rrugë paqësore. Një përfaqësi e stomatologëve është mbledhur para derës së Ministrisë së Shëndetësisë, për të gjetur mundësinë e një takimi me një nga drejtorët, për të folur rreth problemit të tyre.
StomatologëtSipas dentistëve që kanë punuar në postin e ndihmësit për vite me radhë, largimi i tyre nga puna ka ardhur për shkak të një reforme të menduar të arsyeshme nga specialistët, por nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë sqaron se këto largime nuk janë pjesë e një reforme, por thjesht largime për shkak të mospërmbushjes së standardeve për shkak të kualifikimit, formimit, arsimit përkatës. Dje, përfaqësia e stomatologëve kanë qëndruar për gati dy orë në dyert e ministrisë, por askush nuk i ka pritur ata për t’u dhënë një sqarim. Njoftimin zyrtar për largimin nga puna, si dhe motivacionin e kanë marrë nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal, strukturë që ka në varësi stomatologët, asistent-stomatologët, që punojnë në shkollat e arsimit parauniversitar.
ReformaNë fillim të muajit prill, Autoriteti Shëndetësor Rajonal në një takim që pati me Ministrinë e Shëndetësisë u njoftua për një riorganizim në radhët e strukturave në varësi të ASHR-së.
Në këtë takim u sqarua se është ngritur një grup pune i cili do të mendojë dhe do të strukturojë këtë sistem duke sjellë më shumë vëmendje për mjekët, infermierët, stomatologët që punojnë kryesisht në sistemin arsimor. Sipas të dhënave të para pritet që ky sistem të preket nga ndryshime thelbësore dhe vëmendja kundrejt këtij komuniteti, që kryesisht punojnë me nxënësit të jetë më e madhe. Ndërkohë që kërkesa e llogarisë për mjekët që kanë mbetur në punë, do të jetë edhe më e lartë këto kohë, kushte dhe kritere të reja do të vendosen për të mbajtur vendin e punës, ndërkohë që grupi i punës do të vendosë në varësi të angazhimit në punë, për pagesën e mjekëve apo infermierëve që punojnë me nxënësit e shkollave. Sakaq, tre vjet më parë sistemi i mjekëve, stomatologëve, infermierëve në shkolla u reformua, duke vendosur përgjegjës një specialist për dy, tri apo dhe katër shkolla. Sipas strukturave shëndetësore arsimore u gjykua që një punonjës i shëndetësisë mund të bënte një punë efektive edhe duke marrë në përgjegjësi disa shkolla.