E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me entitet në veri, Serbia e njeh Kosovën

Kryetari i Republikës Serbe në Bosnjë- Hercegovinë, Milorad Dodik, ka deklaruar se ndarja e Kosovës është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme, duke shtuar se Serbia nuk do të duhej të insistonte në modelin e Katalonisë apo atë të Bosnjë-Hercegovinës, sepse me këtë do ta njihte Kosovën e pavarur.Dodik, në një deklarim për gazetën serbe “Informer”, ka thënë se ekzistimi i Republikës Serbe në Bosnjë është shumë i rëndësishëm për pozitën e serbëve në rajon, porse Kosova nuk duhet të shtyhet në të njëjtin drejtim.

“Nëse e pranoni se Kosova veriore ka statusin e entitetit, atëherë paraprakisht duhet ta pranoni edhe Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë Dodik, transmeton Koha.

Sipas propozimit të Dodikut, shqiptarëve duhet propozuar që veriu i Kosovës të jetë edhe territorialisht, edhe politikisht në sistemin e Serbisë, ndërsa serbëve në jug duhet ofruar që të shpërngulen dhe pronat e veta në Kosovë t’ua japin në pronësi fondeve me të cilat do të disponojë Serbia.

Dodik ka thënë se serbët duhet të insistojnë në Rezolutën 1244 deri në fund dhe parimisht mos ta pranojnë kurrë Kosovën dhe mos të hyjnë në negociata rreth çështjeve të rëndësishme.

“Ne në Bosnjë do ta njohim Kosovën vetëm pas Serbisë, nëse edhe atëherë e njohim”, ka thënë Dodik./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›