E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më i miri në botë

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi ka përmbyllur “vitin perfekt”, duke fituar çmimin e futbollistit më të mirë në botë 2009 nga Federata Botërore e Futbollit (FIFA), gjatë një gala mbrëmjeje të mbajtur në Zurich të hënën. Çmimi i FIFA-s votohet nga trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve. Ylli argjentinas kishte përfunduar i dyti në dy sezonet e kaluara, kur Cristiano Ronaldo dhe Leite Kaka fituan çmimet më 2008 dhe 2007, respektivisht.

Por, 22 vjeçari nga Rosario më në fund arriti të shtojë mirënjohjen e FIFA-s me Topin e Artë, që iu dha më herët gjatë këtij viti. “Një vit perfekt përfundon në mënyrën më të mirë për mua dhe Barcelonën. Dua t’u falënderohem të gjithëve për ndihmën e tyre. Ka qenë një vit i shkëlqyeshëm për Barcelonën dhe për mua, por kjo është falë punës së përbashkët”, tha Messi i cili mori 1.073 vota dhe fitoi bindshëm para Cristiano Ronaldos (352 pikë), Xavi Hernandez (196), Leite Kaka (190) dhe Andres Iniesta (134).

Çmimi vjen vetëm dy ditë pasi Messi shënoi golin e fitores në lojën shtesë në finalen e Kampionatit Botëror të Klubeve, ku Barcelona u rikthye nga disavantazhi për të mposhtur kampionin e Amerikës së Jugut, Estudiantes. Ky ishte titulli i gjashtë i Barcelonës gjatë këtij sezoni, rekord absolut në botën e futbollit. Gjiganti katalan ka fituar Ligën e Kampionëve, La Ligan, Copa del Rey, Kampionatin Botëror të Klubeve, Superkupën e Evropës dhe Superkupën e Spanjës.

Në të gjitha këto gara, Messi ishte njëri prej futbollistëve më meritor në triumfin e ekipit. Messi është futbollisti i parë argjentinas që ka fituar çmimin e futbollistit më të mirë në botë nga FIFA prej inaugurimit më 1991. Në konkurrencën e femrave, brazilianja Marta e fitoi çmimin e futbollistes më të mirë në botë nga FIFA, për herë të katërt (rekord) të njëpasnjëshme. Marta mori 833 vota para gjermanes Birgit Prinz (290), anglezes Kelly Smith (252), brazilianes Cristiane (239) dhe gjermanes tjetër, Inka Grings (216).

Gjatë ceremonisë u zbulua edhe ekipi më i mirë i vitit i votuar nga asociacioni i futbollistëve profesionist FIFpro: Iker Casillas; Dani Alves, Patrice Evra, John Terry, Nemanja Vidiç; Xavi, Andres Iniesta, Steven Gerrard, Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Fernando Torres.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›