Bllokohet 20-përqindëshi

Mjafton një ankesë në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme, nga palët e pakënaqura, që të zvarritet pastaj procesi i shpërndarjes se mjeteve për qindra punëtorë të tjerë, që me vite të tëra presin 20 për qindëshin nga shitja e ndërmarrjeve të tyre. Oda e veçantë, e cila është pjesë e sistemit ligjor, është dorëzuar gati krejtësisht para ankesave të shumta që vijnë nga punëtorët. Madje, ende punon me staf të pakompletuar, pasi që, prej 19 gjyqtarëve sa duhet t’i këtë, aty punon vetëm një gjyqtar shqiptar.
Ndonëse zgjedhja e gjyqtarëve në këtë institucion është kompetencë e ekzekutivit të vendit, kjo gjë deri tani nuk ka ndodhur.
Ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e fundit kur miratuan raportin e AKP – së për vitin 2009-10, kanë adresuar një sërë kritikash ndaj këtij institucioni. Naser Osmani, nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, i rekomandoi Kryesisë të kërkojë nga Qeveria që sa më parë të procedohet Ligji për Odën e Veçantë.
“Qeveria duhet ta bëjë këtë ligj, me qëllim të shqyrtimit të të gjitha kërkesave të punëtorëve”, ka thënë për Express, deputeti Osmani.
Ai thotë se prurja e këtij ligji do t’ia lehtësonte punën edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara as me protesta nuk po arrijnë të marrin paratë që u takojnë nga “shitja” e vendeve të punës. Sado që ky proces nuk është bllokuar tërësisht, kompensimi i punëtorëve nuk bëhet aq shpejt sa shitja e ndërmarrjeve. Nga 83 milionë euro sa u takojnë punëtorëve, deri tani u janë shpërndarë mbi 20 milionë euro.
Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit janë publikuar 114 lista të punëtorëve, prej të cilave 27 janë finale, kurse 87 të tjera fillestare. Një numër tjetër i listave do të publikohen në fillim të vitit 2010.
Kryetari i Bordit të AKP-së, Dino Asanaj, thotë se në momentin kur AKP-ja pranon ndonjë listë nga Oda e Veçantë, pa asnjë vonesë e bën shpërndarjen e 20-përqindëshit. Por, ai fajëson Odën për vonesa të mëdha.
“Mendimi im është se në Odën e Veçantë ndodh një diskriminim të cilin unë as që e kuptoj, kur për 5 ankesa bllokohen 500 punëtorë të tjerë. Duhet të bëhet presion mbi të që të bjerë vendime sa më shpejt”, tha Asanaj.
Së të gjithë janë kundër këtij institucioni, tregon deklarata e kryetarit të BSPK-së dhe njëherësh anëtar në Bordin e AKP-së, Haxhi Arifit. Ai thotë se faji për 20-përqindëshin i takon Odës së Veçantë, pasi që, të gjitha listat tashmë janë përpiluar. Këtë, sipas tij, e dëshmon edhe stafi i pakompletuar, pasi prej 19 gjyqtarëve sa duhet të ketë, prej tyre 7 duhet të jenë shqiptarë, kurse të tjerët ndërkombëtarë.
“Nga shqiptarët e dimë se aty punon vetëm një gjyqtar”, thotë Arifi. Sipas tij, kjo që po bën Oda është krim, ndërsa thotë se nëse vazhdohet kështu, punëtorët duhet ta bllokojnë punën e saj.
Edhe në raportin e AKP-së, kritikohet Dhoma e Veçantë e Gjykatës së Supreme për mosefikasitet në procedimin e listave të punëtorëve. AKP-ja është e obliguar të presë vendimin përfundimtar nga kjo gjykatë, e pastaj të shpërndaj mjetet.
“AKP-ja mund të mos vazhdojë shpërndarjen e 20-përqindëshit, pasi ligjërisht është e obliguar të presë vendimin e Gjykatës”, thuhet në raport.
Me tej, vendimi i Gjykatës merr 3-6 muaj për të rishikuar ankesat e parashtruara për secilën listë të publikuar.