E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Më ktheni veprat e mia"

Më 19 tetor të dy viteve më parë, në gazetën "Shqip" do të "skaliteshin" jo pak radhë për skulptorin shqiptar Gëzim Hidri, emri dhe vepra e të cilit ishte lakuar jo pak në mediat britanike. Pas emetimit të këtij lajmi, nuk do të mungonin komentet e opinionet në faqet e internetit. Pak ditë më parë, po në të njëjtën gazetë, pra "Shqip", do të shkruhej për peripecitë e kthimit të tij, gati të pabesueshëm, nga Londra për në Librazhd.

Ndaj, kësaj here Hidri flet jo nga ishulli i largët, por nga vendlindja e tij, Librazhdi. Edhe pse i tronditur nga ajo çfarë i ngjau me shtetin britanik, me një gjuhë sa të thjeshtë aq edhe abstraksioniste, ai "derdh" mllefin e shpirtit të tij, me të vetmin shqetësim: se si do t‘u shkojë fati veprave të tij të lëna në Angli. Është çmallur me njerëzit e familjes së tij në fshatin Dorëz të Librazhdit, vetëm pesë kilometra larg nga ky qytet dhe shpirti artistik nuk e lë që të flejë i qetë. I duket ëndërr që është në tokën e tij, sikurse po ëndërr e keqe që është kthyer aq brutalisht dhe turpërisht. Duke falënderuar "Top Media"-n që ka pasqyruar precedentin e tij, Hidri ka pranuar me kënaqësi të flasë për "Shqip"…

Si ndiheni tani që keni më se një javë që flini aty ku u "zgjuat"?

Mirë dhe keq. Kot nuk thonë se "guri i rëndë në vend të vet", po mua gurët më vënë dhe më zgjojnë nga gjumi. I përmallur dhe i çmallur me të gjithë, në depresion të plotë për atë që ende nuk e besoj.

Diçka më konkrete rreth kthimit tuaj në Shqipëri…

Ka më konkrete se sa jam këtu?! Jo pak, por më erdhi një skuadër prej 18 policësh, duke më zgjuar nga gjumi dhe më komunikuan urdhrin pa tolerim të kthimit. Llogarisni "tolerancën" e tyre, sa nuk më lanë të vesh as këmishën. Asnjë emigrant shqiptar nuk është zbuar nga një vend i huaj i veshur vetëm me një kanotiere, siç më zbuan mua.

Pse të sollën me kaq urgjencë?

Duket se arti u vret sytë edhe atyre që kanë shekuj që shohin dhe jetojnë tjetër demokraci. E thjesht fare: U vrava sytë pse isha shqiptar. Nuk e dinë ata që çdo shqiptar që cek një vend të huaj, i jep atij vendi shumë vlera. Edhe unë shumë dhashë dhe shumë punë më mbetën përgjysmë. Unë nuk linda artist. U bëra i tillë. Themelet i hodha në vendin tim si i tillë dhe "çatinë" po këtu do ta hedh. "Sherri" nisi me mozaikun madhështor që nisa për miliarderin rus, Roman Abramoviç. Artisti nuk njeh "racë", apo ksenofobi. Ai hedh në art gjithçka që e ngacmon. E duan apo nuk e duan një personazh real, le të mësohen ta duan të derdhur në art. Kur ndodh kjo, urrejtja dhe frika e një pjese ksenofobe edhe e veshur me pushtet, kap majat.

Pikënisja juaj në rrugën e artit…

Pikënisja ime nis me grevën e urisë së studentëve të dhjetorit. Isha në Institutin e Arteve Figurative dhe iu bashkova gjeneratës studentore për përmbysjen e regjimit komunist. Më nxori nga greva një miku i babait tim, duke më thënë se për mua ishte marrë vendimi për t‘u vrarë. Ika maleve në Greqi dhe u sistemova në Kastoria.

Si u ndjetë aty?

Mirë, por e keqja vinte ngase isha shqiptar. Nisa mësime arti në skulpturë. Dërgova për konkurrim nëntë studentët e parë, ndërkohë që kisha përfunduar një skulpturë të gdhendur në dru, ku jepej artistikisht një vajzë e bukur me portokaj në duar. Sa për studentët, tetë prej tyre e fituan shkollën e lartë të arteve në Athinë po atë vit, ndërsa njëri e ka fituar para dy vjetësh. Teksa shtohej fama dhe suksesi im në Greqi, shtohej edhe përbuzja dhe urrejtja fobike. Ika si ika në shtetin anglez me besimin dhe ëndrrën se arti atje është pa kufi dhe me dëshirën për të bërë histori në këtë fushë. Askund dhe asnjëherë nuk pranova që të pohoj se nuk jam shqiptar. Mozaiku për princin e Uellsit, Çarlsin, ka mahnitur rrethet artistike të Londrës. E bëra me shumë dashuri, krahas gdhendjes dhe punimit të oxhaqeve turistiko-tradicionale. Kanë mbetur atje me dhjetëra punë të mbaruara e të lëna përgjysmë. Përgjysmë ka mbetur dhe vepra që më "zboi" nga Anglia.

Çfarë shpreh shpirti yt?

Aq shumë sa mund të matet me molekulat e një ujëvare. Unë njoh kodin e çdo guri dhe flas me ta. Mozaiku është si një alfabet, ku çdo shenjë është një shkronjë me të cilat shkruhen fjalët dhe çdo shkronjë është një tingull që emetohen me plot bukuri. Sa për daltën gdhendëse, ajo për mua është si një vegël e dashur muzikore, që tingëllon bukur kur di t‘i biesh. Shkova në Angli për të "takuar" Shekspirin dhe Bajronin. Kur fola me të dy, u bënë xhelozë dhe patën frikë se mos i marr dhe u jap identitet shqiptar. Por artisti ka kombësi, por jo atdhe. Gjithkush që shihte mozaikët e mi nga afër, kënaqej e më shtrëngonin dorën. Kur largoheshin shtatë-tetë metra, rrudhnin vetullat e shpreheshin se ajo nuk ishte skulpturë, por pikturë. Me këtë gjuhë flasin mozaikët e gdhendur me gurë nga ana ime. E morën përgjigjen anglezët nga doktori 70-vjeçar, ku më çuan në fillim që të më vizitonte. Ai u kish thënë "(vonë e mësova) se ky shqiptar është artist i çmendur dhe do të bëjë epokë në mbretërinë tonë". Ky është kthimi im i dytë. Më 2006 më sollën. Qëndrova vetëm 2 javë dhe u gjenda në studion time. Ajo më thërret dhe më zgjon nga gjumi edhe tani.

Çfarë do të bëni tani?

I kërkoj shtetit tim dhe atij anglez të më mundësojnë kthimin e të gjitha veprave të mia, të përfunduara e të lëna përgjysmë. Tetë artistë evropianë më kanë hapur dyert e ofertave, sikurse shumë në kontinente të tjera, por nuk ka më të ëmbël se vendi yt.

Ndonjë projekt për të ardhmen?

Gurët e vendit tim janë si diamante. Me to do të vazhdoj pasionin dhe përkushtimin tim në skulpturë. Me këta gurë do të përjetësoj mozaikun më të madh në botë për Nënë Terezën. Ajo më shfaqet në ëndërr, duke më thënë se gurët e vendit tim dinë të flasin vetëm me mua.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›