E Shtunë, 31 Tetor 2026

Famagosta, "bukuroshja e fjetur"

Që prej tridhjetë vitesh,
Famagosta, përgjatë
brigjeve lindore të Qipros,
është rrethuar
nga një mur gri e tela
me gjemba, si dhe ruhet nga
ushtarë. Nuk ka turizëm dhe
as vende në të cilat mund të
pushosh. Skafet e policisë turke
e ndalojnë lundrimin për disa
kilometra vijë bregdetare. Madje
është e ndaluar të fotografosh
edhe murin që ndan qytetin nga
pjesa tjetër e botës. Ndërmjet
ndërtesave dhe te të çarat e
asfaltit kanë mbirë pemë qitroje,
palma dhe fiq deti, ndërsa në
bregdet, ndërmjet çadrave të
shkulura nga era, breshkat enden
në qetësi të plotë.
Famagosta, një herë e një
kohë, ka qenë qendra tregtare e
Qipros dhe Lindjes së Mesme,
por tashmë është bërë fantazma
e vetvetes. Nëse hyn në qytet
nuk sheh njeri tjetër veç patrullave
ushtarake. Hapet një skenar
zhgënjyes, ku gjithçka është si e
ngrirë, një pamje e jashtëzakonshme,
unike në botë. Është një
qytet fantazmë që jeton në qetësi,
pa zëra dhe zhurma. Dhe natyra
po e pushton dalëngadalë.
Popullata e Famagostës, disa
dhjetëra e mijëra gra dhe burra të
cilët në pjesën më të madhe ishin
grekë, u largua prej andej në verën
e vitit 1974, nga frika e mortajave
dhe bombave që u lëshuan nga
aviacioni turk. Madje edhe sot e
kësaj dite nuk mund të kthehen
për të parë shtëpitë e tyre, rrugët,
kopshtet dhe objektet që braktisën
gjatë arratisë. Në ndërtesa
kanë mbetur ende rroba, orendi
gatimi, libra shkollorë, fotografi
të varura në mure. Buzë rrugëve
janë parkuar makina të vjetra të
mbuluara nga një shtresë e trashë
pluhuri. Por sot, muri i madh nuk
ndan më besime dhe etni, nuk
është precedent konfliktesh dhe
nuk shërben si barrikadë lufte.
Është ndryshe nga muri izraelian
ose nga ai meksikan. Muri i Famagostës
fsheh detin, pret që vitet të
kalojnë deri atëherë kur të ketë
emigrantë të cilët do të kujtojnë
se ai ka qenë qyteti i tyre.
Edhe Shekspiri e ka përshkruar
këtë qytet në veprën
"Otello". Shtatëqind vjet më parë,
në librat e historisë, lexohej për
qytetin që ishte më i pasuri, më i
bukuri dhe më i hijshmi në botë.
Rikardi II e pushtoi drejt rrugës
për në Jerusalem, pastaj erdhën
arabët, xhenovezët, venecianët
dhe bizantinët, ndërsa otomanët
e bënë si bazë për tregtinë e tyre
drejt Sirisë dhe Egjiptit. Dhe të
gjithë pushtuesit e pasuruan
qytetin me kulla të larta, thesare
arkitekturore dhe vepra arti. Madje
edhe gjatë rrethimeve të gjata
të qytetit, anijet i drejtonin topat
gjuajtës me kujdes në mënyrë që
të mos i bënin dëme të pandreqshme
qytetit. Në fund, në vitin
1878 erdhën anglezët me flotën
e tyre, por nuk e goditën qytetin
asnjë herë të vetme. Kur në vitin
1960 qipriotët morën pavarësinë,
u duk sikur u hap një kapitull i ri
për ishullin e Makarios dhe për
vet Famagostën, e cila iu dorëzua
banorëve të saj. Por liria zgjati
vetëm disa vjet. Në vitin 1974, papritur
zbarkuan trupat ushtarake
turke, të cilat pushtuan veriun e
ishullit, gjithashtu edhe Famagostën.
Ndërhyrja ushtarake nisi
në korrik. Qeveria e Ankarasë
ndërhyri pa e shpallur luftën
dhe pa u konsultuar me aleatët.
Pushtuesit morën menjëherë
kontrollin e qiejve dhe lëshuan
parashutistët e parë. Edhe forcat
detare u hodhën në sulm, duke
zbarkuar forca të shumta këmbësorie
dhe artilerie. Lufta dukej
se do të përfundonte në pak ditë
me pushtimin e periferisë veriore
të Nikozias. Në fund të korrikut,
përfaqësuesit e Turqisë, Greqisë
dhe Britanisë së Madhe hynë në
tratativa për të vendosur një forcë
multinacionale paqeruajtëse në
një zonë të caktuar të ishullit.
Kontrolli i "Buffer zonefu" iu dha
si mision Shteteve të Bashkuara,
"Unificyp", e cila do të caktonte
një vijë kufizuese të gjatë rreth
treqind kilometra, duke ndarë jo
vetëm fshatrat, lumenjtë, rrugët
dhe fushat, por duke lejuar popullsinë
greke të emigronte drejt
Jugut dhe popullsinë turke drejt
Veriut. Pushtimi mori karakterin
e një spastrimi të madh etnik dhe
shënoi fundin e një bashkëjetese
shekullore: mijëra njerëz u vranë
gjatë konfliktit, më shumë se 230
mijë ishin refugjatë (rreth 90 për
qind e grekëve të veriut).
Në gusht, ndërsa dukej se po
bihej dakord për një marrëveshje
të qëndrueshme, komandat
ushtarake turke urdhëruan një
sulm të menjëhershëm drejt Famagostës
që deri atëherë kishte
mbetur nën kontrollin e qeverisë
qipriote. Trupat ushtarake
vërshuan nga toka e deti, duke u
lënë civilëve vetëm një korridor
të lirë për t‘u arratisur. Pas një
rezistence të shkurtër, mijëra
grekë u larguan nga qyteti, duke
marrë me vete atë çfarë mund të
mbanin në duar. Forcat e "Unificyp"
pritën të arratisurit dhe i
shoqëruan deri në qendrat grumbulluese të Limasol dhe Larnakas,
në jug të ishullit (ku shumë prej tyre
vazhdojnë të jetojnë). Menjëherë
pas pushtimit, trupat turke ndërtuan
murin rrethues për të penguar kthimin
e banorëve dhe, pas kësaj, për
fat të mirë firmosën armëpushimin.
Edhe në Nikozia, në muajt në vijim,
ushtarakët turq ndërtuan një mur
tjetër për të pasur një kontroll më
të mirë të zonës, por edhe grekët vepruan
në të njëjtën mënyrë. Kështu
në mes të kryeqytetit u krijua një
boshllëk, një pjesë toke e askujt,
me ndërtesa të zbrazëta, skelete
makinash, dyqane të braktisura dhe
mbeturina gjithandej. Dy muret e
Qipros u bënë simboli i
një paqeje të brishtë, e
minuar nga ndjenjat, frika
dhe kujtimet e vuajtjeve.
Gjatë luftës, ushtarakët
turq detyruan qipriotët
me etni greke të braktisnin
shtëpitë, shkollat, monumentet,
veprat e artit,
bibliotekat dhe muzetë.
Madje ndryshuan edhe emrat e
rrugëve e qyteteve. Kishat, madje
edhe Katedralja e madhe e Shën
Nikollës, u kthyen në xhami, e
shkuara ishte fshirë. Por vetëm në
Famagosta, së cilës në vitin 1974
iu vu emri Gasimagusa, qeveria e
Ankarasë nuk i lejoi civilët turq që të
hynin në qytet, madje as bastisjen e
të mirave materiale që mbetën pas
arratisë së popullatës. Nuk lejuan
të prekej asgjë. Ndoshta pushtimi i
këtij qyteti ishte një pretekst për të
hapur negociatat, por, në fakt, ato
nuk u bënë kurrë. Dhe kur Kofi Anan,
në vitin 2004, propozoi për popullatën
një plan paqeje, komuniteti grek
refuzoi të njihte pushtimin turk dhe
vazhduan të qëndronin të ndarë.
Ndërsa turqit, përkundrazi, deklaruan
qartë se ishin të gatshëm për të
nisur tratativat dhe për të dorëzuar
qytetin e Famagostës.
Brenda murit rrethues të Famagostës
tashmë është krijuar një qytet
i ri, që duket i përkohshëm, artificial,
pa histori. Pallateve të vegjël u ka
dalë boja e fasadave të jashtme,
tarracat janë plot me parabola satelitore
dhe barrikada çimentoje me
drejtim nga qielli. Nga asnjë cep i
qytetit nuk mund të shihet deti.
Jetojnë së bashku turko-qipriotë dhe
turq, në të shumtën e rasteve agronomë
me origjinë nga
Anatolia. Por ndërmjet
këtyre dy komuniteteve
ka shumë ndryshime:
zakonet, ngjyra e syve,
veshjet, madje edhe gjestet.
Turko-qipriotët, në
veçanti, ndihen të zhveshur
nga identiteti i tyre.
Kryebashkiaku i qytetit,
Oktay Kayalp, është një njeri inteligjent,
i cili tashmë ka marrë
mandatin e tij të tretë dhe është me
origjinë turko-qipriote. Ai shpreson
se gjërat do të zgjidhen. Por në fakt ka
shumë për t‘u bërë. Qyteti nuk merr
më ndihma, madje as nga Shtetet
e Bashkuara. Të vetëm, e kanë të
vështirë ta shpëtojnë dhe ta rindërtojnë
qytetin. Shumë ndërtesa dhe
monumente duhen hedhur për tokë,
pasi janë shformuar, ndërsa të tjera
duhen rikonstruktuar. Në Famagosta
kanë ruajtur atë që mundën. Dhe të
shohësh mirë, ai mur është edhe një
simbol paqeje..

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›