E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ishim mijëra vjet më parë

Zyra për Administrim dhe Koordinim të Parkut Arkeologjik Antigone, në bashkëpunim me Komunën Antigone, Agjencinë për Komunikim dhe Integrim dhe shoqatën kulturore "Gjinokastra", organizuan në mjediset e Parkut Arkeologjik të Antigonesë Panairin e dytë rajonal të riteve dhe lojnave pagane, "Antigone 2008". Në këtë veprimtari u përfaqësuan 10 grupe interpretuesish. Sipas koordinatorit të kësaj veprimtarie, Altin Babameto, tashmë ky eveniment do të organizohet çdo vit dhe do të jetë kryesori në kalendarin e Antigonesë antike. "Qëllimi ynë i përbashkët është evidentimi i disa vlerave dhe riteve më përfaqësuese të lashtësisë, që kanë mbërritur deri në ditët tona me ndikim të drejtpërdrejtë në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore e tradicionale të artit dhe artizanatit tradicional në këtë rajon, për të dhënë një kontribut me ndikim të fuqishëm në zhvillimin e turizmit kulturor të rajonit jugor", tha Babameto.

Grupet pjesëmarrëse në këtë veprimtari paraqitën vlerat më të mira të riteve të lashtësisë së qyteteve dhe komunave, duke prezantuar rite të inskenuara, veshje të lashtësisë, lojna popullore, pantomima, këngë të vjetra, vizatime, krijime të mirëfillta artistike dhe artizanale me motive pagane, interpretime të gojëdhënave dhe legjendave, paraqitje të objekteve të lashtësisë të gjetura spontanisht në këto zona etj.

Para fillimit të spektaklit, grupet pjesëmarrëse dhe të ftuar vizituan monumentet antike të shpërndara në një sipërfaqe prej 92 hektarësh, në të cilën shtrihen mjediset e këtij parku.

Pas ceremonisë së hapjes nga grupi i Komunës së Antigonesë, organizatorët prezantuan grupet pjesëmarrëse dhe përmbajtjen e shkurtër të programeve të grupeve pjesëmarrëse. Ritet më të spikatura të prezantuara në këtë panair ishin riti pagan i shtegtimit të bagëtive, riti pagan i bekimit të kripës dhe ritet pagane të Aosit, interpretuar nga grupet e Komunës së Antigonesë, grupi i Bashkisë së Sarandës dhe Përmetit. Ndërsa grupet përfaqësuese të bashkive të Tepelenës, Gjirokastrës dhe komunave të Dropullit dhe Lunxhërisë u prezantuan me disa variante të lashta lojërash dhe kostumesh popullore. Një figurë interesante solli në këtë veprimtari grupi i Komunës së Libohovës, që interpretoi në rrënojat e Antigonesë një fragment nga tragjedia antike, "Edipi Mbret". Në mbyllje të kësaj veprimtarie, me organizatorët dhe drejtuesit e grupeve u zhvillua një bashkëbisedim, ku u bënë konkluzione dhe rekomandime për vitin e ardhshëm.

Antigonea antike është themeluar në shekullin III para Krishtit nga Pirrua i Epirit dhe është shpallur "Monument Kulture" në vitin 1963. Parku Arkeologjik i Antigonesë ka një sipërfaqe rreth 92 hektarë. Në kohën antike të lulëzimit të saj të plotë, Antigonea mbrohej nga një mur rrethues fortifikues, 4 km i gjatë. Nga gërmimet e ekspeditave arkeologjike të kryera në rrënojat e Antigonesë në vitet ‘70-‘80 të shekullit të kaluar nga arkeologët shqiptarë të udhëhequr nga prof.dr. Budina i Institutit Arkeologjik të Tiranës, në brendësi të qytetit kanë dalë në dritë një numër banesash me gjysmë peristil në të cilat janë ruajtur edhe pjesë të kolonave prej guri dhe një numër i madh objektesh arti, monedha, armë dhe sende të përdorimit të përditshëm. Brenda parkut janë zbuluar tri kisha të periudhës paleokristiane dhe një kapelë martirium, ku gjendet një mozaik mjaft i rëndësishëm që i përket antikitetit të vonë, ku paraqitet Shën Kristofori me palmën e martirit në dorë, një nga ikonografitë më të hershme në klasifikimet globale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›