Me kuponë kundër kontrabandës
Nëse ia mësyni veriut të Kosovës, për ta mbushur me derivate veturën, kur të ktheheni në Jug, nafta e benzina ose do t`ju konfiskohet, ose do t`ju derdhet në tokë.
Banorëve të Mitrovicës, por edhe të qyteteve të tjera përreth janë duke iu zbrazur rezervuarët e veturave të tyre nga Task Forca kundër korrupsionit, e cila ka nisur aksionin para 20 ditësh.
Të martën, Policia e Kosovës, Dogana dhe Administrata Tatimore gjatë gjithë ditës kanë ndërmarrë veprime të tilla.
Përfaqësues të këtyre institucioneve janë vendosur
në disa pika, si në Kushtovë, pak kilometra nga Zubin Potoku, në Lagjen e Boshnjakëve dhe te varrezat e serbëve, në jug të qytetit.
Arsyet pse nafta konfiskohet ose derdhet në tokë, është fare e thjeshtë. Të gjithë ata persona që furnizohen me naftë në pjesën veriore, duhet të pajisen me kuponë fiskal nga pronarët e pikave të karburanteve. E gjithë arsyeja e këtij aksioni, sipas zyrtarëve të Doganave të Kosovës, është zvogëlimi i krimit të organizuar në atë pjesë.
“Secili që vjen nga pjesa veriore, duhet të ketë kupon fiskal për naftën e blerë”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.
Sipas tij, shumica që dalin në pjesën veriore për të blerë naftë, edhe e kontrabandojnë atë.
“Njerëzit shkojnë më shumë se dhjetë herë në ditë atje për të marrë naftën e kontrabanduar”, ka theksuar ai për Express.
Por ky veprim i ka irrituar qytetarët e disa komunave përreth Mitrovicës, por më së shumti mitrovicasit. Ata thonë se maunat me naftë të kontrabanduar kalojnë pranë hundëve të Doganave dhe Policisë së Kosovës.
“Askush nga ne nuk kishte asnjë litër derivat jashtë rezervuarit të veturës, por edhe ato na i zbrazën deri në fund, e mandej edhe na dënuan me nga 11 euro. Kjo është e padrejtë”, thotë Arbeni, një qytetar që kishte shkuar në Veri për të marrë naftë për veturën e tij.
E, disa banorë të tjerë thonë se, përveç naftës, në këtë pjesë kontrabandohen edhe mallra dhe gjësende të tjera, që pak pengohen nga autoritetet përgjegjëse.
“Pompa e karburanteve është legale dhe në të mund të furnizohet kushdo që dëshiron. Sjelljet e tilla janë të padrejta”, thotë një tjetër qytetar.
Sipas tij, atypari shihen të kalojnë pa ndërprerë maune me derivate, të cilat askush nuk i ndalon.
“Atyre që nuk kanë kupona fiskalë, iu konfiskohet ose iu derdhet nafta. Varet si e vlerësojnë në atë pikë të kontrollit. E kjo do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, deri në qartësimin e situatës ose zvogëlimin e kontrabandës atje”, thekson, ndërkaq, Stavileci.
Sipas tij, vetëm në disa muaj të fundit janë konfiskuar 200 automjete, me bunkerë specialë, që kanë bartur rregullisht derivate të naftës.
“Tani njerëzit kryesisht po vijnë më sasi më të vogla, e ne konsiderojmë se ky është indikator i aksionit tonë kjo”, vlerëson Stavileci.
Pika karburanti ka më bollëk në pjesën veriore të Kosovës dhe ato menaxhohen nga serbët e asaj pjese. Një litër naftë atje kushton rreth 80 centë. Sa më në thellësi të territorit verior, nafta kushton më lirë.
Policia e Kosovës çdo ditë në raportin e saj 24-orësh raporton për raste të shumta të konfiskimit të naftës së kontrabanduar ose mallrave të ndryshme. Nga veriu drejt jugut të Mitrovicës, me destinacion edhe qytete të tjera të Kosovës futet naftë e kontrabanduar, cigare, alkool, kafshë, pije energjike, teknikë e bardhë e mallra të tjera.