E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Buja ka imponuar numrin e studentëve në UP

Nga Express më 19 korrik 2011 në ora 15:47

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) akuzoi sot ministrin e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, Ramë Buja, për mungesë totale të vizionit për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë, duke u bërë kështu faktor kryesor i rrënimit të cilësisë së arsimit universitar në vend.

“Duke e mbingarkuar tejmase Universitetin e Prishtinës me studentë të rinj, MASHT-i po ecën sigurt drejt rrënimit final të autoritetit të UP-së, aq sa ky institucion ka rrezik ta humbë misionin primar që ka, krijimin e kuadrove të reja e profesionale, e të shndërrohet në një prodhues serik diplomash’, thotë LDK, nëpërmes një komunikate për shtyp.

Për më tepër, sipas kësaj partie opozitare, ministri Buja po përpiqet që fajin t’ia hedhë Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe fakulteteve, të cilat, sipas tij, vetë kanë kërkuar një numër kaq të madh studentësh për vitin e ri akademik 2011-2012. “Por, secili e di që rektori dhe dekanët në mbledhjen e Senatit e kanë kundërshtuar rritjen e numrin, por kanë qenë të pafuqishëm për të ndryshuar kuotat që ka përcaktuar arbitrarisht Ministri dhe Ministria”.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që Qeveria të mos ndërhyjë në çështje akademike të universiteteve publike, që t’i lejojë vetë ato të zhvillojnë politikat, për të rritur cilësinë dhe për të hapur rrugë për kërkime shkencore.

LDK kërkon që të respektohet Strategjia për Arsimin e Lartë 2005-2015, si dokument me peshë themelore, që përcakton zhvillimin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

Kjo parti, po ashtu, kërkon nga Qeveria që të zhvillojë politika të punësimit dhe politika sociale dhe të mos fsheh mungesën e tyre duke rritur numrin e studentëve pa asnjë kriter.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›