E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me minare në Venecia

Shndërrimi i oxhakut të një fabrike qelqi në Kavajë në një minare xhamie, ishte një nxitje më se e mjaftueshme për artistin Ardian Isufi për të folur mbi tranzicionin.

Udhëtimi nga Kavaja në Durrës, dëgjimi i zërit të Hoxhës dhe historia e këtij objekti e çuan pashmangshmërisht në ekspozitën ‘Objekt i paidentifikueshëm’, e hapur në galerinë ‘Promenade’ në Vlorë. Kjo fabrikë u ngrit në Kavajë në vitet ‘60-‘70. Pas viteve ‘90 ky kompleks industrial sa vjen e degradohet, por çuditërisht në zemër të saj ndodhet një xhami e improvizuar dhe një oxhak fabrike i kthyer në minare. Ekspozita përmban disa materiale sqaruese si video-projeksione, makete, fotografi, piktura, etj.

Në fakt, synimi i Isufit ishte që kjo ekspozitë të pasohej nga një debat të asaj që mund ta quajmë tranzicion i besimit. Për këtë arsye, artisti tentoi të bënte një instalacion me materiale të lehta të oxhakut-minare në Bienalen e Venecias, por ky projekt u pa me skepticizëm. Këtë gjë e ka realizuar vetëm përmes një instalacioni fotografik në një rrugë të njohur të qytetit.

“Vepra flet për ‘tranzicionin e besimit’, që në këtë rast shpjegohet nga ky objekt, kolazh historie dhe feje, duke dashur ta bëj akoma më tranzitor e ta transportoj si ide dhe ta vendos në një vend kristian, ku diskutimi më i madh dhe provokues që hap ide-instalacioni im është çështja e bashkëjetesës së besimit”, shprehet Isufi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›