Më ndaloi një lexues
Margaret ATWOOD
Nga dy fëmijët e prindërve të mi, unë isha e dyta.
Pjesëtarët e tjerë të familjes ishin tipa me vullnet të fortë. Në këtë kuartet të gjigandëve në miniaturë, unë isha jo vetëm më e vogla, por edhe më femërorja në shije (për shembull, më pëlqente të thurja triko), përveçse më e shkurtra, më dembelja dhe më e dobta në karakter.
Nëna ime rrëshqiste në akull me patina, notonte, kalëronte e praktikonte kanotazhin, por ishte mospërfillëse ndaj krijimtarisë artistike. Babait i pëlqente të citonte autorët që kishte lexuar dhe pikturonte bukur, por vetëm insekte, pasi ishte entomolog. Prandaj qe pikërisht im vëlla ai që, në moshën e njomë, ndikoi më tepër tek unë për të mësuar se ishte diçka e mrekullueshme të shkruaje libra dhe se nuk duhej të mjaftoheshe vetëm me leximin e tyre.
Kur isha tre vjeçe, ndërsa lahej në liqen, vëllai im gati sa nuk u mbyt. Shpëtoi ngaqë ishte një ditë e qetë dhe nëna pikasi flluskat e ujit, që po dilnin në sipërfaqe. Ideja se rrezikova të mbetesha pa vëlla, më trembi deri në atë shkallë, sa zura ta ndiqja si hije.
Vëllai ishte shkrimtar romanesh vizatimore që, më pas, i vinte në skenë, prandaj ndoqa shembullin e tij. Në këto krijime bëhej fjalë për planete të largëta, për monstra me këmbët nofulla, si dhe për luftëra ndërplanetare. Unë shkruaja për lepuj fluturues, që jetonin në vezët e Pashkës dhe, kur u rrita, lepujt u shndërruan në vajza të shkëlqyera, elegante dhe me flokë të gjatë.
Shkruanim vetëm kur binte shi. Në ditët me diell shëtisnim dhe, për të zbuluar se çfarë kishte nën ta, kthenim gurët përmbys. Sa herë nuk gjenim gjë, dëshpëroheshim shumë. Sipas radhës, ndiqnim krimba, shumëkëmbësha, merimanga, buburrecë, miza dheu, thithëlopa, gjarpërinj, minj, tritone dhe salamandra. Tritonet dhe salamandrat (pikëloret) ishin më të rralla. Nganjëherë mjaftoheshim me vëzhgime e meditime dhe, pastaj, gurin e vinim në vend. Herë tjetër ndalonim dhe, me ndonjë shkarpë, thumbonim lehtë ato krijesa të brishta, për të parë se çfarë do të ndodhte.
Shpesh kërkojnë të dinë nga unë ku qëndron ndryshimi, kur shkruan poezi dhe kur shkruan tregime. Sigurisht, ndryshimi është ky: kur thur vargje, vëzhgon, mediton dhe pastaj guri vihet në vend. Ndërsa kur shkruan një roman, duhet t’i thumbosh gjërat me një shkarpë, për të parë se çfarë do të ndodhë.
Por, në të dyja rastet, është e domosdoshme që nën gur të ketë diçka dhe kjo është pjesa që nuk mund të kontrollohet a të parashikohet, çasti kur në skenë hyjnë shpresat, dëshpërimi dhe blloku i shkrimtarit. Sikundër e dinë të gjithë shkrimtarët, e sidomos poetët, një pjesë e kësaj pune nuk mund të zgjidhet: është ajo që ju zgjedh, veçse dikush mund të vendosë ta ndjekë nga pas ose jo. Por nëse nën gur nuk ndodhet salamandra, është e kotë ta transformosh gurin në salamandër.
Në mendoni se një salamandër nën gur është një metaforë gjakftohte dhe e squllët për të përshkruar pjesën e pavarur të krijimtarisë, do ta zëvendësoj me engjëllin, me të cilin Jakovi luftoi në librin e Biblës, ku mori një plagë, por edhe një bekim. Shumica e njerëzve dëshiron engjëjt në vend të salamandrave si simbol i frymëzimit, megjithëse të dy janë të mrekullueshëm. Në çdo rast, ajo që ndodhet nën gur apo prania e engjëjve, nuk janë në dorë të shkrimtarit, por të vetë thelbit nga ku varen gjërat, fakti, qetësia dhe aftësitë.
Jo shumë kohë më parë, më ndaloi një lexues dhe më drejtoi një kompliment të madh. Asnjë hiperbolë apo mburrje, as edhe një fërkim krahësh. Më preku lehtë në bërryl, pohoi me një lëvizje të kokës dhe më tha: “Ju shkruani mirë.”
Më thoni ndershmërisht: çfarë mund të presësh më shumë?
7 Dhjetor 2008