E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet bërë diçka



Petrit NIKA
Furgoni kaloi qafalikun dhe po zbriste mengadalë nëpër një grykë të rrethuar nga gjelbërimi i gjithë atyre drurëve mesdhetarë, që jeshilonin ende andej rrotull, duke krijuar një korije me të vërtetë të këndshme. Udhëtarët bëheshin gjithsej nja shtatë vetë. Dy cigane në mesmoshë, dy çunakë të rinj adoleshentë, dy vajza gjithashtu të reja dhe Rudi, i cili rrinte në ndenjësen e parë, përbri shoferit e me një copë shami fshinte herë pas here xhamin e makinës, ngaqë vishej sakaq përbrenda prej një shtrese ehulli të lëngët. Udha ishte mbytur e tëra nga ujërat e shiut që ende vazhdonte të binte me ngulm, ndërsa makinat kalonin përbri njëra - tjetrës të ndotura fund e krye nga stërkalat e pellgjeve.
“Po si ndodhi?”, pyeti shoferi njërin nga adoleshentët, që ishte ulur me njërën nga ato vajzat e reja. “Një Zot e di”, tha djali, “Luanit dje i kishin ardhur nga Anglia të dy vëllezërit. Ne i kemi shtëpitë afër dhe shkojmë shumë, kështuqë Luani erdhi vetë ndaj të ngrysur e më ftoi për darkë. E kaluam si s’ka më mirë. S’pati kurrkush asnjëlloj pakënaqësie. Mbas darke u ktheva në shtëpi, ndërsa në mëngjes isha unë i pari ai që e pashë trupin e tij të varur në degën e mollës në kopësht. Më tepër, s’di asnjeri”, tha djali e heshti.
Shoferi psherëtiu. Rudi fshiu xhamin e soditi si me dhimbje piklat vogëla që rrëshqisnin. Njerëzit rrinin të menduar, ndërsa furgoni po i afrohej qytezës së kalbur nën shi. Nëpër fasadat e mureve posterat e fushatës elektorale, megjithëse tashmë zgjedhjet kishin mbaruar, ende s’qenë hequr. Rudi pa portretet e kandidatëve buçkamanë që buzëqeshnin prej andej plot neps, dhe instinktivisht e largoi vështrimin. Godinat e vjetra të qytezës së ngritur dikur për të internuarit politikë, pa cilësi e pa shije, ngjanin si të braktisura me suvatë e rëna e me lulet e harrimit mbirë nëpër parvaze.
Duhet bërë diçka, mendoi Rudi, ndërsa zbriste nga makina. Ai mori rrugën më këmbë drejt shtëpisë, pa çadër mbi kokë, dhe i duhej të ecte jo pak, po gati një çerek ore ashtu. Shelgjet vareshin gjithë plogështi anash udhës e, tek i çikte me sup pa e patur mendjen, i derdhnin pikat e tyre mbi ca kalimtarë të shastisur. Të mbrëmshmen në atë rrugë e kishte takuar Luanin për herë të fundit dhe tani po mendonte sesi trupi i tij kishte qëndruar gjithë natën në shi, i varur në kopësht. Bimët zbukuruese të oborrit i galdonin përreth nën dritën e largët të vetëtimës, ndërsa qielli rreshte pa pushim. Vëllezërit e ardhur atë ditë nga Anglia, flinin të qetë, ndërsa vetë ai, shoku i tij, po lexonte në shtëpinë e vet deri ndaj masmesnate “Ra ky mort e u pamë”. Anembanë qytezës dritat ishin fikur dhe njerëzit flinin, siç pohuan disa, duke parë në ëndërr rrugë të shtruara me diamante farfuritëse, në dy anët e të cilave përkuleshin pemë të lulëzuara që kundërmonin nën rrezet e një dielli të panjohur, kurse në botën e zhgjëndërs, ndonjë qen i vetmuar angullinte në errësirë, diku në një lagje të kalbur në lagështi.
Duhet bërë diçka, mendoi Rudi përsëri dhe fshiu me mëngë fytyrën e lagur.

* * *
Luanin e njihte prej rreth një viti. Ishin takuar një ditë vjeshte në prani të një kushëriri të tij. Në atë kohë, ai sapo kishte ardhur në atë qytezë të vogël bregdetare bashkë me familjen e tij, nga një qytet i vogël i Veriut. Ishte vetëm njëzet e një vjeç, me arsim tetëvjeçar dhe i papunë. Nga shtati vinte mesatar, por i lidhur mirë nga muskujt dhe me një bazret prej të riu vërtet bukurosh. Që nga ajo ditë, me sa i kujtohej, mund ta kishte parë nja gjashtë deri në tetë herë të tjera, duke llogaritur edhe takimin e mbrëmshëm, i cili paskësh qenë i fundit. Përherë nëpër këto takime, Rudi kishte njohur një djalosh të shkathët, por që s’rrinte dot gjatë asnjëherë në shoqërinë e tjetrit. E kishte parë në ndonjë buzëmbrëmje, kur rrezet e fundit që uleshin mbi det përskuqnin fasadat e godinave, teksa dilte fare i vetëm, veshur me atë kostumin sportiv që s’e ndërroi asnjëherë, ndërsa shkonte të bënte një lojë bilardo me ndonjë moshatar. Po të mos u qëllonte të shkëmbeheshin në të njëjtin trotuar, gjithmonë qe Luani i pari ai që do ta pikaste dhe ta përshëndeste nga larg, duke i tundur dorën me buzagaz miqësor.
Në fillim, Rudi pati dyshuar për ndonjë lapërdhi në sjelljet e këtij djali dhe i ndenji ftohtë, por më vonë erdhi e u bind se Luani jo vetëm që s’kishte haber nga ajo anë, por përkundrazi qe një natyrë fort e dashur dhe plot çiltërsi, të cilit s’ia gjeje shokun lehtë. Gati para një muaji, në atë qytezë pati ndodhur një tjetër vetëvrasje e dhimbshme. Një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare i kishte dhënë fund jetës me çiften e të atit, një mbasdite shtatori, mu në mes të oborrit të shtëpisë. Ngjarja u bë menjëherë kryetema e ditës anembanë kafeneve të qytezës. Të nesërmen, Rudi ishte ulur në shkallët e ish-shtëpisë së kulturës, tashmë të kthyer në bar-kafé dhe po lexonte kronikën. Plot një faqe i kushtonte gazeta vdekjes së saj tragjike, ku përveç përshkrimeve të aktit, jepeshin edhe hamendje rreth pistave të mundshme të hetimit. Pikërisht në atë kohë, ia behu aty Luani. Rudi e ftoi dhe i dha një dyfletësh gazete për të mos u ulur drejt e mbi pluhurin e shkallëve të mermerta. Ai pranoi pa ngurrim dhe, gazmor siç ishte, filloi ta pyeste mikun për shëndetin, familjen e të tjera, por Rudi kësaj here për tjetër gjë ishte i interesuar. Ai e pati njohur mirë atë vajzën që ishte vetëvrarë, por duke qenë se jetonte nja njëzet minuta larg asaj lagjeje, ende nuk dinte gjë të saktë për rrethanat, ndaj mendoi se Luani, meqë e kishte më afër, duhej të dinte diçka dhe pikërisht për këtë po e ndalonte, kur rasti e solli që ai të kalonte aty pari.
“Nuk di gjë”, ia ktheu djaloshi duke ngritur supet. “Bota thonë lloj-lloj versionesh, që mua më duken të pabesueshme. Merre me mend ku ka vajtur puna sot; s’di as kujt t’i besosh.”
“Pa shiko ç’thotë gazeta”, tha Rudi duke i vënë përpara kronikën, ku ishin hedhur hamendje për ndonjë dashuri të dëshpëruar, që vajzës mund t’ia kishin ndaluar prindërit.
“S’më duket shumë bindëse”, u mëdysh tjetri. “Ka plot shkaqet që dikë e çojnë në vetëvrasje, e tillë është stina që po jetojmë.”
“ǒdo me thënë kjo?”, pyeti Rudi duke e parë vëngër, siç i ndodhte sa herë bindej se të tjerët kërkonin t’i shisnin mend.
“Ja, kështu siç them unë”, ia ktheu ai duke parë në gazetë portretin e vajzës së vdekur. “Lum ai që do ta ruajë të pashpuar kafkën edhe kësaj here”, kishte shtuar pastaj mendueshëm, si të fliste vetmevete.
Më kot qe përpjekur Rudi për ta bindur se, sidoqoftë, ajo vajza s’kishte patur të drejtë të vriste veten, sepse në çdo rrethanë, sado në vështirësi të ndodhet njeriu, përsëri gjendet një rrugëdalje. Mjafton të kihet durim, thoshte Rudi, por tjetri vetëm e dëgjonte. Ai as e miratonte, as e kundërshtonte. Dhe nga kjo, Rudi e kuptoi se në këtë pikë s’i kishte gjetur argumentet e duhura me këtë njeri.
Atë ditë, mesa i kujtohej, qe hera e parë që kishin shtruar së bashku ndonjë muhabet serioz dhe qenë ndarë të dy me shijen e pakëndshme të moskuptimit. Rudi pati marrë një vendim në vetvete; tani e tutje do të ruhej për të mos hapur biseda me natyrë ekzistenciale në prani të atij djaloshi, kurdo që t’i jepej rasti të rrinin bashkë, mbasi me intuitë nuhati tek ai një natyrë jo aq të thjeshtë, sa ç’e pati pandehur në fillim.

* * *
Në fakt, që nga ajo ditë ai s’e kishte parë më tjetër herë. Të mbrëmshmen, ndërsa kthehej nga puna (vonë, me një orë natë), u takuan rastësisht në rrugë dhe mezi u njohën prej errësirës. Mbi qytet qe nderur një qiell sterrë i zi, i cili, ndonëse hë për hë s’po rreshte me, qe pasojë e shiut që që kishte rënë dy ditë me radhë dhe që pati pushuar vetëm aty nga dreka. Asaj nate, me sa dukej, do të rifillonte përsëri dhe asgjë s’të linte të shpresoje se koha do të kishte përmirësime. Megjithatë, edhe pse në errësirë, qe Luani ai që e dalloi i pari Rudin dhe e thirri me emër.
“Po ku je, bre Rudi, ka kohë që s’je dukur?”, iu drejtua gjithë gëzim. Kur u dodhën afër, hapi krahët dhe e rroku fort.
“ǒkemi ndonjë të re?”, e pyeti Rudi djaloshin, ngase i ngjau më i ngazëllyer e më i shprehur se asnjëherë më parë.
“Më kanë ardhur të dy vëllezërit nga Anglia”, e njoftoi tjetri dhe shtoi se ndjehej i lumtur që ishin mbledhur prapë të gjithë bashkë.
Pastaj i tha se kishte krijuar besim te Rudi dhe se do t’ia dinte për nder, po qe se e qortonte ndonjëherë, nëse pikaste tek ai ndonjë gjë që s’i kishte hije. Rudi u çudit, kur e dëgjoi t’ia hapte zemrën me aq familjaritet dhe në fillim e pandehu të pirë, por shpejt ndërroi mendim, arriti të dallonte tek ai atë kundërtipin e tij, që e kishte zili për ftohtësinë dhe seriozitetin me të cilin Rudi zakonisht i merrte gjërat. Luani ia vlerësonte lart me të vërtetë këto cilësi, ndaj kërkonte të përfitonte prej tij, por s’dinte se si. Sa për vete, ai gjithë kohën bridhte rrugëve, luante bilardo ose shikonte televizor, pa u marrë me asnjë punë, le që andej ishte edhe e pamundur të siguronte ndonjë punë për të qenë, paga e së cilës t’ia vlente mundimin.
Duke menduar këto, Rudi kuptoi se vërtet ai kishte nevojë të diskutonte diçka të rëndësishme me një njeri të besueshëm dhe iu shtua respekti ndaj tij, ngaqë ai kishte zgjedhur pikërisht atë. Megjithatë, duke qenë se ndjehej i lodhur, e duke e gjykuar atë takim si një çast jo aq të përshtatshëm për të hyrë në temë, i ra shkurt sa mundi, duke i lënë të kuptonte se deri tani, sipas tij, ishte në rrugë të mbarë dhe se do t’u jepej rasti të bisedonin më gjatë në ndonjë ditë të afërt. Me aq u ndanë, duke i uruar njëri-tjetrit “natën e mirë”, dhe secili mori drejtimin për nga shtëpia e vet.
Të nesërmen në mëngjes, dita e pushimit gdhiu e njomur deri në palcë nga shiu, që kishte filluar nga mesnata dhe ende vazhdonte të rizonte përtej xhamave, lehtë-lehtë e i njëtrajtshëm, përmbi pjergullën në oborr dhe përmbi lulet që e rrethonin shtëpinë nga çdo anë. Ndërsa pinte ngeshëm kafenë në kuzhinë, Rudi vërente nga dritarja gjethet e rëna që kalbeshin në shi dhe sillte nëpër mend bisedën e mbrëmjes së kaluar, e cila i qe fiksuar në kokë. Sidoqoftë, atij mëngjesi i dha karar se tani e tutje do të kishte një mik më tepër, mandej aty nga ora nëntë i hipi një taksie dhe u nis për në qytetin fqinj, sepse do të blente ca materiale për instalimet elektrike që do t’i vinte të reja në shtëpi.
Mbas dreke, teksa kthehej me furgonin e linjës, mori lajmin e mënxyrshëm. Pikërisht atë çast, për herë të parë e më shumë se kurrë, ndjeu pështirosje nga ai realitet aq i pamëshirshëm, ku notonte me stërmundim qenia njerëzore.
Duke ecur i vetmuar, i pambrojtur nga shiu, nëpër rrugën e shkretuar, përmes shelgjishteve lotuese, Rudi mendonte për atë djalin gazmor që kishte njohur, për orët e fundit të jetës së tij dhe për orët e pafundme në shi, mes heshtjes së përmallshme dhe mungesës së përjetshme. Tek përpiqej të rrokte përmasat e asaj gremine, u rrënqeth nga një ankth i beftë dhe i panjohur.
“Duhet bërë diçka”, klithi me zë të lartë dhe fshiu me mëngë fytyrën e mbytur nga ujërat që po i merrnin frymën.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›