E Diel, 1 Nëntor 2026

Virgjili mohues dhe vetëm mohues…



Shkëlzen PEJA

Nuk është fjala për poetin e moçëm me famë, por për Virgjil Muçin tonë, njeri i letrave, që pata rast ta ndjek në një emision televiziv të gazetarit të njohur Blendi Fevziu. E ndoqa falë faktit që, kudo të ndodhesh sot, mund t’i ruash lidhjet me Tiranën. Në mes zotërinjve të ftuar në “Opinion”, pata përshtypjen se zoti Muçi, me gjithë respektin, ndjehej si pa qejf dhe shfaqte gati-gati një përçmim për letërsinë e sotme shqipe. Rastin që iu dha në “Opinon”, për ta thënë edhe një fjalë të mirë, e hupi, sepse opinioni i tij ishte kategorik, mohues dhe vetëm mohues.
Pyetjes së gazetarit për përkthimet e sotme, zoti Muçi iu përgjigj: Janë skandal! S’paskena më asnjë përkthyes për bè të Zotit, përveç atyre që kanë qenë para viteve ’90, e për të cilët edhe unë kam shumë respekt. Mirëpo, gjatë këtyre viteve, pa pretendimin se jam sistematik, kam lexuar edhe përkthime të mira. Me aq sa mund të vlerësoj unë, por të mira edhe me aq sa janë vlerësuar nga firma serioze, që kanë dalë në shtyp dhe që i ndjek në Internet. Pa dashur të bëj listë, po përmend ndonjë. Për shembull, “Uliksi”. Shumë thonë se Idlir Azizi (i ç’moshe është?) e ka përballuar Xhojsin. Gjatë panairit të fundit të librit u ndodha në Tiranë, një rrugë me të vërtetë me bereqet, sepse jo vetëm u kënaqa duke e shëtitur panairin, por edhe bleva nëpër stenda. Iliriana Stringa më la përshtypje me përkthimin e “Dhimbje gurësh”, ashtu si Erion Kristo që ka përkthyer libra të vështirë të Russel-it dhe Hobbes-it. Nga që është libër i ri, po ia lë zotit Virgjil që ta zbulojë titullin e ta vlerësojë përkthimin e tij. Por shqipja në këtë libër m’u duk e zhdërvjellët, e pasun në fjalë e në shprehje, shkurt, i rrinte hijshëm tekstit të huaj. Librin e kishte sjellë në gjuhën tonë Sabina Dhrimo. A di gjë zoti Virgjil për këtë përkthyese të re?
Pyetjes tjetër, asaj për zhvillimet e sotme të letërsisë shqipe, zoti Virgjil Muçi i dha gjegje mohuese me shenjë, ngriti supet, madej shtoi se nuk ka pasur ndonjë ngjarje letrare. E pra, pesë me hiç, sipas tij. Opinionin për hiçin nuk mund ta pranoj. S’po e zë në gojë Kadarenë, as romanin e ri “Darka e gabuar”. Por po e pyes zotin Virgjil nëse gjatë këtyre viteve i ka rënë në vesh emri i një romancieri tjetër, Mehmet Krajës nga Kosova? Disa specialista këtej, por edhe andej, po thonë se është shkrimtar me peshë. Pak muaj më parë, kur bëmë një mbrëmje poetike, përveç atyre emnave që të gjithë i kemi pranuar prej kohësh, promotoret e aktivitetit kishin zgjedhë poezi edhe nga Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Luljeta Dano dhe një poete tjetër shqiptare, më falni që s’po kujtohem për emrin, por thanë se jetonte në Gjermani. Ne të gjithë sa u ndodhëm aty, na pëlqyen ato poezi që, siç u bënë edhe komentet, sillnin shijen e kësaj kohe. A di gjë zoti Virgjil, kanë botuar libra të rinj këto poete? I ka përcjellë me ndonjë opinion në televizion apo në shtyp?
Me lavdërue në mënyrë boshe, është si të ngopesh me lugë të zbrazët. Ne nuk duam me rrejtë vedin, prandaj s’e duam lugën e zbrazët. Por nuk na duket se është kaq e zbrazët letërsia shqipe, sa thotë zoti Virgjil Muçi. Se ka të tjerë që thonë ndryshe, ose ndoshta lexojnë ndryshe. Në shtojcën letrare të gazetës “Albania” lexova njëherë dy tregime nga Roland Gjoza. Më kanë mbetur në mend, mua dhe disa lexuesve të tjerë. E kisha hasur emrin e zotit Gjoza edhe vite më parë, por s’isha dëshmuar i dhënë pas tij. Tash që pyeta, gjeta edhe të tjerë që e lexonin, disa e njihnin prej kohësh. Më thanë se dikur ka punuar për filma dhe se tash jeton në SHBA.
Të thuash se nuk ka pasur ngjarje, është fjalë e madhe, me këtë mund të përjashtosh gjithçka. Mirëpo varet se çfarë quan ngjarje dhe sa ke qenë vetë pjesëmarrës në ngjarje. Nuk je pjesëmarrës kur flet pa i lexuar librat, ndërsjelltas edhe kur i lexon por nuk don me folë kushedi prej çfarë pengimesh. Ne që jemi larg, presim të flisni ju që jeni më afër. Dhe ju dëgjojmë me respekt. Por ka raste që flasin edhe ata që janë larg, edhe pse zoti Virgjil mund të mos i dëgjojë. Këtu nuk dua të vë pesha si në lift, të ngrë njërin dhe të ul tjetrin, veçse kisha edhe një pyetje: A ka dëgjuar ndonjëherë Virgjil Muçi për poetin Rudolf Marku? Ma pret mendja po, se në Tiranë e ka pasur dikur. Nga zoti Marku (jeton në Kanada apo në Angli?) lexova një artikull në gazetën “Shekulli”, që është në Internet dhe e kam të lehtë ta citoj. E pra, si më poshtë:
“Las Varrezat është një libër tjetër i Zija Çelës që duhej ta kish detyruar kritikën letrare – këtë shurdhmemece të madhe - të dëgjonte e të fliste… Vetë romani Las Varrezat është një kryevepër e groteskut dhe e tragjikomizmit letrar. Nëse është e vërtetë, se një titull i saktë, intrigues, joshës; është paralajmëruesi i një libri të saktë, intrigues, joshës, atëherë Las Varrezat, që në kopertinë na lajmëron një roman krejt të veçantë nga gjithë ç’kemi lexuar deri më sot në letërsinë shqipe… Një gjetje e rrallë, një shkrepje, një nga ato gjetjet, me të cilat dhe autori më fatlum mund të ndeshet njëherë në njëqind vjet… Romani, antiromantik gjer në palcë, nuk të lë asnjë iluzion: Dashuria shpërblehet me mosmirënjohjen më të egër, ligësia e njerëzve është dhe elementi më vital i jetës, hipokrizia është forca shtytëse e çdo çasti, pamundësia për të dashtë, është dhe mundësia e vetme për t’u realizuar… Romani ka një galeri të pafundme karakteresh groteskë, strambo, të ligj e të pafajshëm njëherësh, të prekshëm e efemerë, karaktere që të sjellin ndërmend filmat e Felinit (Amarcordi), apo shpirtrat e vdekur të Gogolit… Karakteret e romanit, aq surreal që duken se janë, mund të identifikohen, nga ana tjetër me njerëzit më realë, me kritikët letrarë, me politikanët, me gazetarët, me nëpunësit e zyrave, me shkrimtarët delirantë dhe marrokë, me turmat…! Në librat e fundit të tij, Zija Çela, shfaqet si njëri ndër prozatorët më të guximshëm të letërsisë së sotme shqipe - një arsye kjo serioze për të mos u pëlqyer nga të gjithë. Jo prozatori më i rëndësishëm pas Kadaresë, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit. Mendoj se letërsia nuk ka nevojë për krahasime. Një autor është një yll më vete, a një planet më vete, kur ai është autor. Zija Çela është një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm. Sepse po të qe i krahasueshëm, ai nuk do të qe i rëndësishëm dhe vetvetja… Prandaj, lexues të mençur dhe kritikë të përgjumur, mirë se vini në Kukunam!”
Me sa kuptova nga teksti i shkrimit, Kukunami është qyteti ku zhvillohen ngjarjet e romanit. Në interesim për këtë libër, mësova se në 2006 ishte shpallur romani më i mirë i vitit dhe ishte nderuar me këtë çmim. Më vjen vetiu pyetja për zotin Virgjil: E keni lexuar këtë roman? Nga emisioni dilte se ju i ndiqni botimet e reja dhe shkruani në revistë. Keni shkruar kur u botua, ose kur e mori atë çmim? S’është vonë edhe tash, po të mos ju pëlqejë, ju mund të shprehni një mendim krejt të kundërt me atë që ka shprehur poeti. Ku ta marrim të kemi mendime të ndryshme!
Por halli nuk është tek ky apo ai libër, askush nuk mundet të shkruajë për të gjitha librat. Halli është se nuk po kemi orientuesa të besueshëm, që të seleksionojnë e të spikasin. Sepse ne që jemi lexues të thjeshtë, i mbajmë sytë nga kritikët që janë specialista. Anì pse, nganjëherë, edhe kritiku s’bën keq të orientohet nga lexuesit e mirë, sindozot, një zotëri si Rudolf Marku.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›