E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më pak para për të rinjtë

Gazeta Shqip

Konkursi 

Janë 11 projektet që janë paraqitur në Teatrin Kombëtar në konkurrim për “Fondin publik për të rinjtë”. Afati i dorëzimit ka përfunduar dhe siç njofton TK-ja, juria e përbërë nga regjisorja Andia Xhunga, regjisori Lorin Terezi dhe aktorja Elia Zaharia, do të shpallë projektet fituese deri më 21 shtator. Fondi i vënë në dispozicion për këtë vit është 37 milionë lekë të vjetra (më pak se një vit më parë ku shifra ishte 3 963 000 lekë) dhe është menduar që të realizohen 6 shfaqje (5500 lekë secila), një shumë që mund të ndryshohet nga juria në bazë të projekteve. Kriteret janë thuajse të njëjta me vitet e shkuara: regjisorët dhe aktorët nuk duhet të jenë më shumë se 35 vjeç, nuk bëjnë pjesë fituesit e edicioneve të shkuara dhe ata që kanë aplikuar dy herë. Fituesit e vitit 2012 do të angazhohen gjatë vitit në role dytësore gjatë sezonit të Teatrit Kombëtar, ndërsa në ndryshim nga një vit më parë, pjesët fituese do të ngjiten në teatrot e rretheve, për tu finalizuar në Festivalin Teatror të të Rinjve që do të organizohet në TK, Teatrin e Komedisë dhe Teatrin e Metropolit. Aplikuesit për këtë vit janë: Amela Demaj me Princesha e bukur e Leh-nan nga Martin Medonagh, Alketa Haxhiu me pjesën Të mërkurën nga Derek Benfield, Enson Mula me Perëndimi i vërtetë nga Sam Sherpard, Desara Xhangolli me Shërbëtorët, Jean Genet; Anila Balla me Të parët dhe të fundit, John Galsworthy; Dorjana Caushi me Dashuri dhe çmenduri nga Xhon Osborn; Orjada Zeza me Britma grash nga Babis Cikloropulos; Esmeralda Stafa me Kontrata, Sllavomir Mrozhek; Getorarbe Mulliqi me I dashur i panjohur, shkruar po nga vetë Mulliqi; Luljeta Hoxha me Tersi i Zululandit, Arben Iljazi dhe Saimir Gongo me Rrjeta, shkruar nga vetë regjisori.

Më pak para për të rinjtë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›