E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Zvicër rikthehet Shqipëri e gafave

Altin Manallari

Brazil 2014

Në minutën e 22, Shaqiri dylufton me Canën, pastaj me Mavrajn, por i ndihmuar nga dora e merr topin përpara dhe shënon në portën e Ujkanit

Kuqezinjtë munden 2-0 në Zvicër, por meritonim më shumë se një humbje

Altin Manallari

Një Shqipëri dinjitoze, por e cila rikthehet me dy gafa të pafalshme, që i falën Shaqirit me shokë fitoren 2-0 për Zvicrën në një Swissport Arena të dominuar nga 12 mijë tifozë kuqezinj, që krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme.

Duke ditur që kombëtarja zvicerane është një skuadër më superiore se e jona, kjo duket se e ka detyruar trajnerin e Shqipërisë, Xhani de Biazi, të nxjerrë në fushë një formacion me një mesfushë të blinduar në modulin 4-4-1-1. Italiani kërkoi që nëpërmjet repartit të mesfushës të thyejë çdo tentativë të zviceranëve për sulm. Tekniku e nisi ndeshjen me një sulmues të vetëm, Erjon Bogdanin, autori i golit të mrekullueshëm në sfidën me Qipron. Në portë ishte sërish Ujkani. Mbrojtja nuk ishte prekur, pasi aty ishte rreshtuar katërshja e futbollistëve që luajtën ndaj Qipros: Dallku, Cana, Mavraj dhe Lila. Në mesfushë, përkrah Bulkut, Vilës dhe Kukelit ishte rikthyer Agolli. Ndërkohë Meha luante rolin e sulmuesit të fshehur pas shpatullave të Bogdanit. Ndërsa në krahun tjetër, Otmar Hitcfeld kishte hedhur në 11-shen e tij tre shqiptarët Shaqiri, Xhaka dhe Behrami. Tanët e nisin takimin shumë të kujdesshëm dhe duken të vendosur mirë faktikisht, por tensioni duket se nuk mungon. Në minutat e para lojtarët kuqezinj u dukën disi të frustruar dhe e kishin të vështirë të qarkullonin topin, ndoshta edhe për shkak të presingut të miqve. Ndërsa Shaqiri me shokë nuk po arrinin të kalonin murin e mbrojtjes sonë. Pas 18 minutash lojë vjen rasti i parë i kësaj ndeshjeje, kur Meha me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zonës ka vënë në vështirësi portierin Penaljo. Por në rastin e parë zviceranët kundërpërgjigjen me një aksion, i cili do të rezultojë fatal për Shqipërinë. Minuta e 22 e takimit dhe Shaqiri na vjedh golin e avantazhit për skuadrën e Otmar Hitcfeldit, pasi në një dyluftim me Canën dhe më pas me Mavrajn, e ka marrë topin me dorë, duke u shfaqur i vetëm për ballë Ujkanit, të cilën e mposhti pa shumë problem. Gjyqtari nuk sheh asgjë dhe konfirmon golin, duke vulosur një gabim të pafalshëm të tij, që i ka kushtuar shtrenjtë Shqipërisë. Pas pësimit të golit, Shqipëria është më agresive dhe bëhet Zot i lojës dhe kërcënon me Bulkun, Bogdanin, Dallkun. Tifozët kuqezinj kanë një llogari të hapur me Behramin, në drejtim të të cilit hedhin një shkop, por ai i denoncon te gjyqtari. Në vazhdim vijnë të mira që flasin për tanët, të cilët vënë nën presion kundërshtarin dhe krijojnë disa raste, por e ka të vështirë të gjejë golin e barazimit. Qarkullimi i topit nga mesfushorët shqiptarë është i admirueshëm, por e kanë të vështirë që të gjejnë hapësira për të kërcënuar portën kundërshtare. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Zvicrën.

Në të dytën De Biazi vendos ti besojë të njëjtit ekip dhe Shqipëria e vazhdon atje ku e la, qarkullim i dendur i topit, por që rezulton shterpë, sepse zviceranët janë të kujdesshëm në mbrojtje dhe nuk lënë hapësira. Në minutën e 55, Vila dhe Bogdani i lënë vendin Roshit dhe Çanit, çfarë tregon se De Biazi kërkon patjetër golin. Mbështetja e rreth 12 mijë tifozëve kuqezinj nuk mungon për asnjë moment me Shqipëri, Shqipëri, O sa mirë me qenë shqiptar, Ole, ole etj. Kur duket se Shqipëria kishte frenat e lojës, Shaqiri shkëputet në të majtë të sulmit zviceran, gjuan, por Ujkani grushton. Topi i kthyer shkon në këmbët e Shtoker brenda zonës. Dallku kryen një ndërhyje të kotë nga mbrapa dhe mjafton edhe pak simulim i zviceranit dhe gjyqtari akordon 11-metërsh në minutën e 68. Ujkani e kupton krahun, por gjuajtja e Inler përfundon në rrjetë. 2-0 për Zvicrën, këtë herë gabimi është i Dallkut. Kukeli i lë vendin Hykës, manovër e dëshpëruar e De Biazit në kërkim të golit. Në fillim provon Rroshi (77) më pas Cana (80) gjuan fort nga jashtë zonës, por që ndalet nga portieri Penaljo. Në fushë zbret edhe shqiptari i katërt, Admir Mehmedi, i cili në rastin e parë që i jepet tregohet i pamëshirshë, por Ujkani nuk lejon golin e tretë. Ndërsa Xhaka na fal pak minuta më vonë, kur mbrojtja shqiptare është shpërfytyruar e gjitha. Minutat e fundit krijojnë tri raste për gol, por topi nuk do të shkojë në rrjetë, kështu që Shqipëria i dorëzohet fatit të humbjes në këtë ndeshje, ku ndoshta meritonte më shumë.

Në Zvicër rikthehet Shqipëri e gafave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›