Me rastin e Festës së Fiter Bajramit, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, vizitoi paraditen e sotme, Selinë e Komunitetit Myslyman në Tiranë dhe u prit nga kryetari i këtij Ko
Me rastin e Festës së Fiter Bajramit, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, vizitoi paraditen e sotme, Selinë e Komunitetit Myslyman në Tiranë dhe u prit nga kryetari i këtij Komuniteti Selim Muça si dhe besimtarë të tjerë. Duke i përcjellë atyre urimet më të përzemërta, Kryeministri u shpreh se kjo ditë është një ditë fisnikërie e madhe njerëzore, në të cilën besimtarët mbyllin një muaj agjërimi, meditimi, reflektimi dhe sakrifice ndaj zotit.
Duke shfrytëzuar këtë vizitë, Kryeministri Berisha iu drejtoi, nëpërmjet mediave, një mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslymanë. Ndër të tjera, në urimin e tij, kryeministri u shpreh:
"Shfrytëzoj rastin t'ju përcjell besimtarëve myslymanë, klerit myslyman, besimtarëve shqiptarë dhe klerit shqiptar në tërësi, urimet më të përzemërta, për këtë ditë të bekuar, ditë të madhe, ditë të shenjtë që frymëzon më shumë se çdo gje tjetër, nderim dhe respekt për sakrificën, vlerësim për sakrificën e njeriut, për veten, për fëmijët, për familjen, për shoqërinë, kombin dhe zotin. Gjithçka ndërton njeriu të bukur.Çdo ëndërr që ai realizon, e realizon nëpërmjet sakrificave. Por kjo ditë për mua si Kryeministër dhe për qeverinë është një ditë përgjegjësie të madhe dhe përulje para të gjithë atyre që janë në dhimbje dhe vuajtje. Është një ditë angazhimi të madh për një shpërndarje më të drejtë, më të ndershmë të pasurivë kombëtare, është një ditë thirrjeje ,që suksesi, arritja të mos na pengojnë të shohim dhimbjen, vuajtjen, hallin, dertet e pafundme të qyetarëve në nevojë.
Ndaj dhe shfrytëzoj rastin për të shprehur zotimin tim se unë jam shumë i vendosur, që të ardhurat e këtij vendi të njohin një shpërndarje të re. Në këtë shpërndarje të mos ketë të harruar, të mos ketë të skajuar se vetëm kështu ne do të krijojmë solidaritetin familjar, shoqëror, njerëzor. Vetëm në këtë mënyrë ne do të shpetojmë shoqërinë shqiptare nga një hendek i neveritshëm midis atyre që kanë dhe atyre që s'kanë, atyre që vuajnë dhe atyre që jetojnë në parajsë tokësore. Unë mbetem shumë i vendosur në atë skemë që kemi shpallur. Shpreh kënaqësinë se projekti i reformës sociale po progreson me siguri. Me të njëjtën siguri kanë ecur edhe projektet e tjera të mëdha që janë në zhvillim."
Interesimit të medias se çdo të thotë shpërndarje e pasurisë, Kryeministri Berisha iu përgjigj:
"Do të thotë që kjo shoqëri duhet të shpenzojë më shumë për fëmijët e saj, për shkollimin e tyre, do të thotë që kjo shoqëri duhet të shpenzojë më shumë për të sëmurët e saj, për mjekimin e tyre, do të thotë se kjo shoqëri duhet të shpenzojë më shumë për të moshuarit e saj dhe jetën e tyre, do të thotë se duhet të shpenzojë më shumë për të papunët e saj dhe tu hapë perspektivën e punës, do të thotë se kjo shoqëri duhet të kujdeset më shumë për ata që janë me paaftësi të ndryshme dhe nuk mund të përballojnë jetën vetëm me mundin e tyre. Pra nuk ka mëdyshje se kjo skemë e cila mori një nxitje të qartë gjatë këtij viti do të konsolidohet gjithnjë e më shumë.
Shqipëria e hendeqeve të mëdha nuk është Shqipëria që unë dua. Ju faleminderit"