Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën "Karta e Adriatikut: Nga Praga në Rigë - Integrimi në NATO dhe sfidat e sigurisë", organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me pje

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën "Karta e Adriatikut: Nga Praga në Rigë - Integrimi në NATO dhe sfidat e sigurisë", organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me pjesëmarrjen e delegacioneve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s të vendeve të Kartës së Adriatikut, të komisioneve parlametare të sigurisë kombëtare të këtyre vendeve, deputetë të parlamentit shqiptar dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.
Qëllimi i konferencës ishte vlerësimi i arritjeve të nismës së vendeve të Kartës së Adriatikut, e cila startoi katër vjet më parë, në samitin e Pragës, me synimin për të përshpejtuar integrimin e tre vendeve e kësaj nisme, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO.
Kryeministri Berisha theksoi në fjalën e tij se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet objektiv madhor i politikës së jashtë të sigurisë. Qeveria shqiptare, u shpreh Kryeministri, është e vendosur të ndërmarrë çdo reformë dhe të paguajë çdo çmim që, në samitin e Uashingtonit në vitin 2008, vendet e Kartës së Adriatikut të meritojnë ftesën për anëtarësimin e plotë të tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut si e ardhmja më e sigurtë dhe më e shkëlqyer e vendeve dhe e rajonit tonë.
Ndërsa Zëvendësambasadori amerikan në Tiranë Stephen Cristina përgëzoi tre vendet e Kartës së Adriatikut për bashkëpunimin e treguar në përpjekje për të përmbushur standartet e NATO-s.Çdo vend, theksoi Zoti Cristina, ka bërë progres që nga fillimi i udhëtimit për t'iu bashkuar NATO-s. Duke nënvizuar se NATO nuk është thjesht një aleancë ushtarake, ai u shpreh se anëtarët e saj ndajnë një sërë vlerash si ato të lirisë, respektimit të të drejtave të njeriut, qeverisje demokratike, shtetin e së drejtës, tregun e lirë. Nuk kam asnjë dyshim se ju, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ndani këto vlera, tha Zoti Cristina. Ai siguroi se SHBA-të mbështesin fuqimisht aspiratat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë dhe do t'i ndihmojnë ato në rrugën e reformave.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, theksoi:
"Është një nder i madh për mua të përshëndes sot këtë audiencë miqsh të nderuar.
Çështja e bashkëpunimit më të ngushtë për integrimin në NATO dhe përballjen me sfidat e reja të sigurisë, që do të diskutohen gjatë seancave të kësaj konference, është e një rëndësie imperative për Shqipërinë dhe vendet mike partnere të Kartës së Adriatikut, Kroacinë dhe Maqedoninë.
Duke qenë vetëm një muaj përpara samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Rigë, kjo konferencë na jep një mundësi të shkëlqyer për të bërë bilancin e përpjekjeve dhe rezultateve të punës sonë për plotësimin e standarteve dhe kritereve në anëtarësimin e Aleancës politiko-ushtarake më të suksesshme të kohërave.
Ndaj do të desha të filloja me një falenderim në emër të qeverisë shqiptare drejtuar organizatorëve dhe pjesëmarrësve të kësaj konference, e cila mbahet në një moment shumë të rëndësishëm për tre vendet tona. Do të doja të falenderoja Asamblenë Parlamentare të NATO-s për mbështetjen e vazhdueshme që po u jep përpjekjeve tona integruese dhe reformave demokratizuese, të cilat janë pjesë e pandashme e procesit të integrimit në NATO. Sikundër dua t'ju siguroj se zotimi ynë mbetet ndërtimi i shtetit ligjor, respektimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, reformat e gjithanshme të forcave të armatosura dhe në të gjithë sektorët e tjerë. Një rol të madh për përforcimin e bashkëpunimit me vendet partnere të NATO-s dhe Kartës së Adriatikut, si dhe për thellimin e mëtejshëm të reformave demokratizuese dhe atyre për përmbushjen e standarteve të NATO-s kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë delegacionet parlamentare të vendeve tona në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe komisionet respektive të sigurisë kombëtare. Qeveria shqiptare ju është shumë mirënjohës për kontributin tuaj për integrimin tonë në NATO dhe bashkëpunimin rajonal.
Zonja dhe zotërinj,
Pas rënies së perdes së hekurt kombet tona u ndanë nga regjimet totalitare, armiq të lirive tyre, por shumë shpejt ato u përballën me rreziqe dhe kërcënime të reja për lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të tyre. Në një hark të shkurtër kohor vendet tona e lanë të shkuarën pas dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s e kanë shndërruar rajonin në një rajon bashkëpunimi të gjithanshëm politik, ekonomik dhe ushtarak dhe Kartën e Adriatikut 3 në një model të shkëlqyer të këtij bashkëpunimi.
Vendet tona janë të vendosura të përballojnë sëbashku sfida, të bashkëpunojnë për të përballuar sfida, të cilat sërish kërcënojnë sigurinë e vendeve dhe qytetarëve të saj si atë të terrorrizmit ndërkombëtar, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, bashkëpunimin ekonomik, krijimin e hapësirës së tregtisë së lirë, luftën kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Ne besojmë se përballja me sukses e këtyre sfidave arrihet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë të vendeve tona me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në. Për këtë arsye, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet objektiv madhor i politikës sonë të jashtë të sigurisë. Ne jemi plotësisht të bindur se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe BE është mënyra m e mirë për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së vendit, por edhe për konsolidimin e demokracisë, lirisë së individit, shtetit të së drejtës, tërheqjen dhe garantimin e investimeve, zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë.
Ne jemi krenar për faktin që gjatë 15 viteve vendi ka patur një bashskëpunim të ngushtë, të pandërprërë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut duke vendosur në dispozicion të saj portet, aeroportet, territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. Njësitë e ushtrisë shqiptare janë të shpalosura sëbashku me ato të vendeve anëtare e partnere në Bosnje, Afganistan dhe Irak. Në kuadrin e Kartës së Adriatikut Shqipëria po bashkëpunon ngushtë me Maqedoninë edhe Kroacinë në fushat e politikave të sigurisë e mbrojtjes, edukimit ushtarak të të gjitha niveleve, kontrollit të armatimit dhe kufijve. Ekipet tona të përbashkëta ushtarako-mjeksore punojnë sëbashku në Afganistan, ushtarët tanë janë të pranishëm në SEEBRIG, në Kabul. Shkëmbimi i eksperiencave kombëtare në fushat e mbrojtjes me atë të informacionit të klasifikuar, si dhe bashkëpunimi ndërkufitar kanë rritur aftësitë tona për të reaguar ndaj sfidave të reja si terrorrizi ndërkombëtar, krimi i organizuar apo trafiqet e tjera kriminale. Ndërmjet këtij kontakti të vazhdueshëm kemi arritur të ndërtojmë marrëdhënie besimi të ndërsjellë dhe trasparence përfshi dhe shkëmbim dokumetash strategjikë si programi kombëtar vjetor për anëtarësim në NATO.
Karta e Partneritetit 3 është konfirmuar plotësisht si një kuadër i shkëlqyer për rritjen e bashkëpunimti midis tre vendeve tona dhe në fusha të tjera. Marrëdhëniet tona në kuadrin e Kartës së Adriatikut 3 i kanë dhënë një dimension të ri nocionit të fqinjësisë, po i çojnë këto marrëdhënie drejt një fqinjësie realisht model, e cila jep një kontribut të përbashkët në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Shqipëria është angazhuar në reforma të thella në fushat e sigurisë, mbrojtjes dhe modernizimit të Forcave të Armatosura, të cilat synojnë krijimin e një ushtrie të vogël, të mirëpajisur, mirëstërvitur profesioniste. Për këtë qëllim, kemi transformuar komponentin rezervist dhe po e zëvendësojmë atë me ushtarakë profesionistë, hoqëm nga përdorimi teknologjitë e vjetra dhe i kushtojmë vëmendje të veçantë identifikimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të specializuara. Buxhetin e mbrojtjes e kemi rritur në një hark kohor më pak se 15 muaj me 0.5 për qind e GDP-së, nga 1.3 në 1.8 për qind. Ju garantoj se do t'i përmbahemi plotësisht premtimit që i kemi dhënë NATO-s dhe ia ritheksuam edhe Sekretarit Rumsfeld në vizitën e tij të fundit se Shqipëria buxhetin e mbrojtjes do ta ngrejë në nivelin 2 për qind të GDP-së në vitin 2008.
Parlamenti shqiptar vazhdon të luajë një rol thelbësor përsa i përket monitorimit dhe zbatimit të programeve dhe reformave të domosdoshme për standartet euroatlantike dhe përsa i përket miratimit të kuadrit ligjor të nevojshëm për këto reforma.
Dy javë më parë Shqipëria paraqiti në selinë e NATO-s në Bruksel programin e 8-të vjetor në kuadër të Planit Kombëtar për Anëtarësim. Ky plan pune parashikon vazhdimin e punës për ndërtimin e strukturave, njësive ushtarake dhe efektivave të gatshëm për të asistuar SHBA-të dhe vendet e NATO-s si anëtarë në përpjekjet e tyre për paqe dhe siguri globale.
Mesazhet e ngrohta të Sekretarit të Mbrojtjes Rumsfeld gjatë vizitës në Tiranë në kuadrin e Ministerialit të Mbrojtjes të Evropës Juglindore, por në veçanti mesazhet e Presidentit Bush gjatë vizitës së Kryeministrit të Kroacisë në Shtëpinë e Bardhë, mikut tim Ivo Sanader për mbështetjen e marrjes së ftesës për Kroacinë në samitin e Uashingtonit në vitin 2008, ishin një lajm jashtëzakonisht inkurajues për vendet tona, të cilat edhe pse nuk do të marrin pjesë në samit, shkojnë të sigurtë se kanë aty avokat të aspiratave të tyre udhëheqësit e Aleancës së Atlantikut të Veriut, SHBA-të dhe Presidentin Xhorxh Bush.
Lajmin se samiti i 2008 në Uashington do të jetë samit i zgjerimit dhe se vendet tona do të konsiderohen si të përshtatshme për të marrë ftesën në bazën e performancës së tyre individuale përbën për ne një inkurajim të madh, një detyrim madhor që me seriozitetin maksimal të angazhohemi për të zbatuar planin e veprimit në kuadrin e Planit Kombëtar të Veprimit për të punuar me përkushtim për të realizuar standartet dhe të shkojmë drejt integrimit të plotë, duke ruajtur plotësisht cilësitë e larta të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke e pasuruar atë me dimensionin që ne përfaqësojmë.
Në këtë kontekst, Shqipëria është e vendosur të konsiderojë zgjerimin e pjesëmarrjes së saj në Afganistan dhe po diskuton me vendet partnere pjesëmarrjen e saj në Liban. Ne mendojmë se në kuadrin e Kartës së Adriatikut 3, siç kemi bashkëpunuar dhe jemi shpalosur gjer më sot në Kabul, duhet të rikonsiderojmë sërish këtë bashkëpunim e shpalosje të rritjes së rolit tonë në operacionet e NATO-s dhe vendet partnere.
Duke përshëndetur shumë përzemërsisht këtë konference, dëshiroj t'ju siguroj se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë çdo reformë, të paguajë çdo çmim që bashkërisht, në samitin e Uashingtonin, të meritojmë ftesën për anëtarësimin e plotë të vendeve tona në Aleancën e Atlantikut si e ardhmja më e sigurtë dhe më e shkëlqyer e vendeve dhe e rajonit tonë. Faleminderit."