E Diel, 1 Nëntor 2026

Me rëndësi harmonizimi i plotë me standardet e BE në fushën e transparencës

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ I ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo, deklaroi sot se, miratimi i ligjeve për të drejtën e informimit duhet të shoqërohet patjetër me zbatim efektiv në praktikë.

Në fjalën e tij në Konferencën VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Rizzo theksoi se, zbatimi i ligjeve kërkon programe funksionale të transparencës institucionale, përgjigje në kohë ndaj kërkesave për akses në informacion, mbikëqyrje të regjistrave elektronikë të kërkesave dhe përgjigjeve, si edhe publikim të të dhënave në mënyrë që ato të mund të përdoren dhe ripërdoren sipas standardeve të qeverisjes së hapur.

“BE mbetet e angazhuar në mbështetjen e forcimit të monitorimit dhe zbatimit të ligjit, si dhe në rritjen e kompetencave të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave”, u shpreh Rizzo.

Ai vuri theksin te dhënia e informacionit në mënyrë proaktive, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si prokurimi publik, tatimet, arsimi, shëndetësia, shërbimet sociale dhe në nivelin e vetëqeverisjes vendore.

Rizzo nënvizoi rëndësinë e harmonizimit të plotë me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e transparencës, duke shtuar se ka shenja inkurajuese.

Sipas tij, bashkitë nuk po nisin nga zero, çka dëshmohet nga programet e transparencës të hartuara si për institucionet e pavarura qendrore, ashtu edhe për ato të vetëqeverisjes vendore.

Ai vlerësoi gjithashtu përgatitjen e manualit për zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit, i cili përcakton role të qarta për mekanizmat e koordinimit nën udhëheqjen e ministrive përgjegjëse.

“Ky është një element jetësor për parandalimin e korrupsionit përmes mjeteve të transparencës dhe mekanizmave efektivë të feedback-ut, që ndihmojnë në matjen e perceptimit publik dhe të ndikimit real”, tha Rizzo.

Në përfundim, ai theksoi se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në zbatimin e plotë të së drejtës për informim, në qeverisjen e mirë dhe rritjen e transparencës, përmes programeve më të forta transparence, përgjigjeve më të shpejta dhe më të plota ndaj kërkesave për informacion dhe shërbimeve më të aksesueshme për qytetarët.

“Kjo do ta ndihmojë Shqipërinë jo vetëm të arrijë objektivat e anëtarësimit në BE, por edhe të përmirësojë standardet e veta të qeverisjes dhe transparencës”, përfundoi Rizzo.

Tarran: Shqipëria, arritje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi sot se vendi ka shënuar arritje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, gjatë fjalës së tij në Konferencën VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit.

Tarran vlerësoi miratimin e ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale në dhjetor të vitit 2024, duke e cilësuar atë si një hap përpara të rëndësishëm.

Sipas tij, ky legjislacion është tashmë i harmonizuar plotësisht me rregulloren e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave dhe direktivat përkatëse në zbatim të saj.

Ai theksoi se ligji është rezultat i një bashkëpunimi disavjeçar nën udhëheqjen e institucioneve shqiptare dhe se parashikon qartë mënyrën e përpunimit të të dhënave, ndërkohë që forcon të drejtat e individëve për mbrojtjen e privatësisë.

Duke reflektuar mbi bashkëpunimin ndërinstitucional, ambasadori nënvizoi marrëdhënien e frytshme mes Prezencës së OSBE-së dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, veçanërisht në mbështetjen për identifikimin dhe adresimin e çështjeve që lidhen me mbrojtjen e të dhënave.

Tarran shtoi se iniciativat e përbashkëta janë përqendruar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në ofrimin e qasjeve praktike për mbrojtjen e të dhënave, duke përfshirë edhe temat që lidhen me marrëdhënien mes të drejtave të njeriut dhe teknologjive dixhitale.

Sipas tij, aktiviteti tregoi se si teknologjitë ndikojnë në privatësi, llogaridhënie dhe në praktikat e institucioneve.

Në përfundim, ambasadori deklaroi se Prezenca e OSBE-së mbetet e angazhuar për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me Komisionerin, me synimin për të përmirësuar qasjen në informacion, e cila është thelbësore për forcimin e besimit të publikut.

Huber: Shqipëria, përparim në ndërtimin e kuadrit ligjor për të drejtën e informimit

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, deklaroi sot se shpejtësia dhe përgjegjshmëria e institucioneve ndaj kërkesave të qytetarëve mbeten elementë kyç për realizimin efektiv të së drejtës së informimit.

Gjatë fjalës së saj në Konferencën VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Huber theksoi se për qytetarin ka rëndësi jo vetëm marrja e një përgjigjeje nga institucionet, por edhe koha brenda së cilës kjo përgjigje jepet.

Ajo vlerësoi përparimin e Shqipërisë në vitet e fundit në ndërtimin e kuadrit ligjor për të drejtën e informimit, duke nënvizuar se ligji ekziston dhe se janë parashikuar edhe institucionet mbikëqyrëse. Megjithatë, ambasadorja theksoi se monitorimet tregojnë se vijojnë të ekzistojnë sfida serioze në zbatim, veçanërisht në praktikë.

Sipas Huber, qytetarët e zakonshëm shpesh përballen me të njëjtat vështirësi kur kërkojnë informacion, pavarësisht bazës ligjore ekzistuese. Ajo veçoi rolin e bashkive dhe institucioneve vendore, të cilat janë më afër qytetarëve dhe ku transparenca është më e dukshme, por njëkohësisht edhe sfidat e zbatimit janë më të theksuara në këtë nivel.

Ambasadorja e Zvicrës theksoi se forcimi i transparencës dhe përmirësimi i zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit janë thelbësore për rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike.

Nga këndvështrimi i Zvicrës, ambasadorja Ruth Huber vuri theksin edhe në tre mësime kryesore që lidhen me zbatimin efektiv të së drejtës së informimit.

Së pari, ajo theksoi rëndësinë e zbulimit proaktiv të informacionit. Sipas Huber, kur informacioni publikohet automatikisht nga institucionet, nuk është e nevojshme që qytetarët të paraqesin kërkesa formale, çka ul ngarkesën administrative dhe njëkohësisht rrit besimin e publikut ndaj institucioneve.

Së dyti, ambasadorja nënvizoi se standardizimi është thelbësor. Modele të qarta dhe transparente ndihmojnë qytetarët të kuptojnë se çfarë duhet të presin nga institucionet, pavarësisht se ku jetojnë apo cilit nivel të administratës i drejtohen.

Së treti, Huber theksoi se aksesueshmëria duhet të jetë prioritet. Ajo sqaroi se aksesueshmëria nuk lidhet vetëm me mundësinë për të gjetur informacionin, por edhe me ofrimin e tij në një formë të kuptueshme për qytetarin e zakonshëm.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›