“Më rrezikohet jeta”, Durim Bami kërkon transferimin në burgun e Fushë Krujës

Pak orë pas ekstradimit nga Dubai, “i forti i Niklës” Durim Bami kërkon transferimin nga Burgu 313 në Tiranë.
Sipas tij, në këtë burg, për shkak të prezencës së kundërshtarëve të tij, i rrezikohet jeta.
Ai ka kërkuar transferimin në burgun e Fushë Krujës.
“Kërkojmë transferimin e menjehershem te shtetasit Durim Bami nga IEVP Rr. “J.Misja” në IEVP Fushe Krujë. Marrjen e masave emergjente te perkohshme t e sigurise deri ne realizimin e transferimit. Duke qene se behet fjale per rrezik serioz dhe real të jetës së tij, kërkojmë trajtimin urgjent të kësaj kërkesë nga ana juaj për sa kohë është duke gëndruar në IEVP Rr. “J.Misja” Tiranë”, thuhet në kërkesën drejtuar burgjeve.
47-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal.
Ai akuzohet nga SPAK se ka krijuar kushtet për disa vrasje të rëndësishme në vend.
Durim Bami ka qenë dy vjet i arrestuar në Dubai, ndërkohë që pasditen e sotme është bërë i mundur kthimi i tij në atdhe. Vetëm pak momente më parë, Durim Bami është dorëzuar nga autoritetet e Dubait policisë shqiptare për të vazhduar më tej me procedurat e ekstradimit.
Nesër do të zhvillohet edhe seanca paraprake për masën e sigurisë.
LEXO EDHE: A do të trazojë politikën dhe botën e krimit ekstradimi i Durim Bamit?