E Diel, 1 Nëntor 2026

Një ditë pas largimit nga qeveria, reagojnë Spiropali dhe Vengu

Elisa Spiropali dhe Piro Vengu kanë reaguar për herë të parë pas shkarkimit nga detyra si ministre e jashtme dhe ministër i mbrojtjes.

Spiropali, në një mesazh në Facebook shprehet ndër të tjera se, dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim.

Ajo shkruan se i është mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama për besimin e dhënë ndër vite, sepse, siç shton ajo, “mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal”.

“Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen. Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd. Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë“, shkruan ndër të tjera Spiropali.

Ka reaguar gjithashtu edhe Pirro Vengu.

Gjatë ceremonisë të dorëzimit të sistemeve raketore JAVELIN në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr, ai është shprehur se, ishte privilegj të mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes.

“Është kënaqësi në këtë moment tranzitimi të detyrës time të linim këtë shenjë sot së bashku me partnerët tanë. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, të porositur prej vitesh. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qarëtësie strategjike.

Investimi në mbrojtje nuk merr duartrokitje në fillim por është i rëndësishëm. Shqipëria nën orientimin e SHBA ka investuar në kohë paqeje me plan e disiplinë buxhetore. Mbrojtja nuk është një luks. Shtetet serioze investojnë në kohën e duhur dhe jo kur është vonë“, tha Vengu.

LEXO EDHE: Tre emrat që mbetën pa asnjë post në qeveri

Mbrëmjen e djeshme u njoftuan ndryshimet në qeveri, ku bashkë me shkarkimin e Belinda Ballukut u ndryshuan edhe në disa ministri.

7 ndryshimet në Qeveri:

Albana Koçiu, zv.kryeministre

Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Ballukun

Besfort Lamallari, ministër i Brendshëm

Toni Gogu, ministër Drejtësie

Ferit Hoxha, ministër i Jashtëm

Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes

Eriona Ismaili, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›