E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më të mirët e rruzullit

Klubi i futbollit Barcelona është zgjedhur ekipi më i mirë sportiv në botë për vitin 2011 në shpërblimet që u ndanë në Londër. Gjiganti katalunas e la prapa ekipin e basketbollit amerikan Dallas dhe skuadrën Red Bull nga Formula 1. Sportisti i vitit u zgjodh tenisti Novak Djokovic, kurse futbollisti Lionel Messi dhe basketbollisti Dirk Nowitzki përfunduan në pozitat 2 dhe 3. Në konkurrencën e femrave, sportistja e vitit ishte vrapuesja keniane Vivian Cheruiyot.

Barcelona është zgjedhur ekipi më i mirë sportiv në botë për vitin 2011 në ceremoninë e shpërblimeve të mbajtur në Londër, të hënën mbrëma, ku u shpërblyen sportistët dhe klubet më të suksesshme sportive të vitit që e lamë pas.

Gjiganti katalunas, i cili e ka fituar La Ligan, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e klubeve gjatë vitit që shkoi, i kaloi konkurrentët nga sportet tjera si klubi i basketbollit Dallas Mavericks, që u shpall kampion në NBA, ekipin Red Bull nga Formula 1, kampionin e botës në ragbi, Zelandën e Re, ekipin e Anglisë në kriket dhe përfaqësuesen e femrave në futboll të Japonisë, që u shpall kampion bote.

Barcelona u përfaqësua po ashtu edhe në dy kategori; me Lionel Messin, i cili u nominua për sportistin më të mirë në botë dhe Eric Abidal për rikthimin më të madh në botë të vitit 2011. Sidoqoftë, Messi, i cili e fitoi për herë të tretë 'Topin ë Artë', u mposht nga Novak Djokovic, i cili u zgjodh sportisti i vitit. Tenisti serb, i cili një javë më parë triumfoi në turneun e madh Australian Open, bëhet tenisti i tretë në histori të këtij sporti që i fiton tre turne Grand Slam rresht brenda një viti.

Pozita e tretë i takoi basketbollistit të Dallasit, gjermanit Dirk Nowitzki, kurse i katërti përfundoi ngasësi i Red Bullit në Formula 1, gjermanit tjetër Sebastian Vettel. I pesti në këtë renditje përfundoi sprinteri xhamajkan Usain Bolt.

Kurse Abidal, i cili e kapërceu me sukses operimin e tumorit në mëlçi, për t'u rikthyer në finale të Ligës së Kampionëve, përfundoi po ashtu i dyti. Pozita e parë në këtë kategori i takoi golfistit nga Irlanda e Veriut, Darren Clarke, i cili u rikthye pas tri vjetësh dhe e fitoi European Tour. Clarke e ka fituar evenimentin Open Championship në moshën 42 vjeçare.

Në konkurrencën e femrave, sportistja e vitit u zgjodh kenianja Vivian Cheruiyot, e cila gjatë vitit që shkoi ishte kampione botërore në 5 mijë dhe 10 mijë metra. Legjenda e futbollit, Bobby Charlton e mori mirënjohjen e karrierës, kurse Oscar Pistorius u zgjodh sportisti i vitit me aftësi të kufizuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›