E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olsen pret gola nga Salihi

Trajneri i D.C. United, Ben Olsen, e ka lavdëruar transferimin e fundit të këtij ekipi, Hamdi Salihi. Sulmuesi shqiptar e la Rapidin e Vjenës për ta vazhduar karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësuesi shqiptar konsiderohet si përforcim i madh për ekipin nga kampionati amerikan i futbollit, MLS. Trajneri Olsen pret shumë nga futbollisti shkodran, por thotë se nevojitet një kohë që ai të ambientohet në kampionatin amerikan dhe në ekipin e ri.

"Çdo herë që vijnë lojtarë të rinj këtu është një proces mësimi. Unë e di se çfarë kategorie i përket ky lojtar, por ne duhet të kemi durim. Ai është golashënues i njohur, por po ashtu i nevojitet kohë për t'u përshtatur me shokët e rinj të skuadrës dhe ta bëjë atë që dëshirojmë nga ai", deklaroi trajneri amerikan në konferencë për shtyp.

"Shpresojmë që ai të adaptohet sa më shpejt tek ne dhe ta bëjë atë që di ta bëjë më së miri - shënimin e golave", vazhdoi trajneri Olsen.

Kampionati amerikan i futbollit fillon më 10 mars. Deri në atë kohë, Salihi do të stërvitë me shokët e rinj dhe do të mundohet t'i përshtatet futbollit të atjeshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›