E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më tepër sinqeritet në marrëdhëniet BE-NATO



Interesi i kombeve Evropiane për sigurinë dhe mbrojtjen e përbashkët daton prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Themelimi i Bashkimit Evropian Perëndimor (BEP) në 1948,
nisma e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes (KEM) në 1954, Plani Fouchet i vitit 1961, dhe Bashkëpunimi Politik Evropian që filloi në 1970, përfaqësojnë të gjithë shembuj përpjekjesh në këtë drejtim. Megjithatë, Lufta e Ftohtë dhe themelimi i Organizatës
së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) me Shtetet e Bashkuara vonoi deri në vitet 1990 planet për një rol Evropian më aktiv në nismat e sigurisë. Fundi i Luftës së Ftohtë e inkurajoi BE-në të rishikonte kapitullin e sigurisë çka çoi në krijimin e Politikës të Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët (PJSP) si shtylla e dytë e Traktatit të Mastrihtit të vitit 1991.

Arkitektura e re u përball me riaktivizimin e Bashkimit Evropian Perëndimor (BEP) të përgjumur, duke synuar të përfshijë të gjitha shtetet Evropiane që ishin anëtare të BE-së apo NATO-s. Vendet anëtare të të dyja organizatave u caktuan si anëtare me të drejta të plota, ata që ishin vetëm anëtarët e NATO-s ishin Anëtarë të Asociuar, dhe vendeve që ishin vetëm anëtarë të BE-së iu caktua statusi i Vëzhguesit. Pavarësisht statusit dhe të
drejtave të tyre të ndryshme, të 18 shtetet Evropiane u ulën përreth një tavoline të vetme dhe i dhanë zë mendimeve të tyre.

Kështu, gjatë viteve 1990, BEP arriti të përmirësonte lidhjet e sigurisë ndërmjet aktorëve të ndryshëm Evropianë. Kjo periudhë u konkretizua në St. Malo në Dhjetor 1998, kur
Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ranë dakord për ta vendosur BE-në në krye të çështjeve të sigurisë dhe për t’i dhënë fund periudhës jetëshkurtër të BEP. Në vazhdim, samiti i Këshillit Evropian i Këlnit në Qershor 1999 shënoi fillimin e një Politike Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PESM). Që atëherë, Bashkimi Evropian ka krijuar Komitetin e tij Politik dhe të Sigurisë (KPS), Komitetin Ushtarak, dhe Sekretariatin Ushtarak. BE ka
krijuar gjithashtu grupet e luftimit dhe vendosi një qëllim kryesor – fillimisht për 2003 dhe pastaj për 2010 – në mënyrë që të jetë sa më e aftë në operacionet paqeruajtëse. Në vitin 2003 u pranua një Strategji Evropiane e Sigurisë që përcaktoi kërcënimet dhe objektivat strategjikë dhe që u rishikua në fund të 2008. Shkurtimisht, përgjatë 10 viteve të fundit BE-ja ka zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme PESM-in.

Një historik i shkurtër mbi marrëdhëniet NATO-BE Në fillimin e kësaj epoke të re, BE-ja, duke synuar rritjen e vizibilitetit dhe aftësive të saj, zhvilloi një kuadër bashkëpunimi
me NATO-n. Negociatat mbi këtë kuadër zgjatën pothuajse tre vjet dhe u finalizuan në Dhjetor 2002. Ato përfshinin elementët e mëposhtëm:
- Rregullimet e Berlin+ për përdorimin e aseteve dhe kapaciteteve të NATO-s nga BE.
- Marrëveshjet për një Partneritet Strategjik NATO-BE (Deklarata BE-NATO mbi PESM dhe shkëmbimin e letrave ndërmjet Sekretarëve të Përgjithshëm).
- Marrëveshjet në lidhje me përfshirjen e aleatëve Evropianë jo-anëtarë të BE-së në PESM (Dokumenti i Zbatimit të Nicë-s). Ky kuadër u bazua mbi këndvështrimin e përbashkët të përcaktuar nga Sekretarja e Shtetit të SHBA-së Madeleine Albright në 1999 si “3D-të”. Pra, synimi nuk ishte të “Dyfishohen” asetet e NATO-s, të mos “Diskriminohen” vendet jo-anëtare të BE-së dhe NATO-s, dhe të mos “Ndahet” BE-ja nga arkitektura e sigurisë transatlantike. Si e tillë, supremacia e NATO-s ishte e
garantuar, ndonëse Evropianët u lejuan të merrnin më shumë përgjegjësi. Kjo ishte e rëndësishme derisa kriza e Bosnjes e viteve 1990 kishte treguar vështirësitë në dhënien e një përgjigje Evropiane të përbashkët dhe të institucionalizuar. Gjithashtu, SHBA nuk dëshironte të qëndronte si aktori kryesor në skenën e sigurisë Evropiane pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Paktit të Varshavës. Prandaj, ishte koha që Aleatët Evropianë të riorganizonin vetveten.

Viti 2003 ka qenë një vit kritik përsa i përket marrëdhënieve NATO-BE. Bazuar në kuadrin e miratuar, BE-ja mori përsipër përgjegjësitë e Operacionit të drejtuar deri atëherë nga NATO, “Aleati i Harmonisë” në Maqedoni në Mars 2003, fillimisht nëpërmjet operacionit Berlin+ me asetet e NATO-s të vëna në dispozicion të BE-së. Grupi i Kapaciteteve NATO-BE u formua në Maj 2003 për të siguruar koherencën dhe përforcimin reciprok të përpjekjeve të zhvillimit të aftësive të NATO-s dhe BE-së.
Ndërkohë, stërvitja e parë e bashkuar për menaxhimin e krizave të NATO-s dhe BE-së u mbajt në Dhjetor të të njëjtit vit. Si i tillë, edhe pse duheshin pothuajse tre vjet për ta përfunduar, bashkëpunimi NATO-BE nisi me një fillim të shpejtë në 2003, duke rritur pritshmëritë.

Re mbi bashkëpunimin NATO-BE Mosmarrëveshjet midis NATO-s dhe BE-së filluan të
shfaqeshin shpejt. Arsyeja më e cituar për këtë është anëtarësimi i Qipros në BE pas Majit 2004 dhe problemet që shkaktoi kjo me njërin prej aleatëve të NATOs, Turqinë.

Nuk është sekret që Turqia nuk dëshiron që Qipro, (një shtet të cilin ajo nuk e njeh), të marrë pjesë në takimet zyrtare NATO-BE. Çdo shtet që merr pjesë në takimet zyrtare NATO-BE ka nevojë që të ketë marrëveshje sigurie. Qipro nuk është një anëtare e NATO-s dhe e programit të Partneritetit për Paqe (PpP) të NATO-s pasi nuk ka një marrëveshje sigurie me NATO-n. Kjo është një rrjedhojë e vendimeve të marra
nga NATO dhe BE-ja në Dhjetor të vitit 2002, kur ata ranë dakord mbi parimet e bashkëpunimit ndërmjet tyre.
Ky vendim është marrë përpara zgjerimit të BE-së të vitit 2004 kur Qipro u anëtarësua në Bashkimin Evropian. Me fjalë të tjera, marrëveshja ishte ndërmarrë qëllimisht meqë dihej se anëtarësimi i Qipros në BE, duke parë marrëdhënien e tensionuar me Turqinë, do të parashtronte vështirësi për bashkëpunimin NATO-BE. Kështu, Turqia negocioi detajet e një mekanizmi konsultativ NATO-BE duke pasur parasysh që aleatët e mbetur të saj si dhe anëtarët e BE-së, duke përfshirë Greqinë, e pranuan këtë qasje. Qipro tani bllokon rregullimet administrative që duhen implementuar ndërmjet Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes (AEM) dhe Turqisë. Ajo mund ta bëjë këtë pavarësisht faktit që AEM është një produkt i ish-IEPG (Indipendent European Programme Group) dhe WEAG (Western European Armament Group) të
NATO-s, ku Turqia ishte një anëtare me të drejta të plota. Qipro gjithashtu pengon çdo lëvizje drejt Turqisë duke nënshkruar një marrëveshje sigurie me BE-në. Thënë kjo, bashkëpunimi i kufizuar midis NATO-s dhe BE-së nuk mund t’i atribuohet ekskluzivisht problemit të Qipros dhe çështjeve teknike komplekse që ajo përfshin. Tre janë arsyet
më të rëndësishme përse bashkëpunimi NATO-BE ka hasur në vështirësi që nga viti 2004.
Një arsye ndoshta më pak e përmendur ishte pakënaqësia e Uashingtonit me lëvizjen e papritur të BE-së drejt autonomisë. Duhet marrë parasysh që BE-ja nisi misionin e saj të parë ushtarak të pavarur në Kongo, në Qershor të vitit 2003. Lëvizja
erdhi pas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe NATO nuk u konsultua para nisjes së Operacionit Artemis. Kjo është ndoshta arsyeja kryesore pse BE-ja dhe NATO, ndërmorrën operacione të ndara në Sudan më vonë në vitin 2005. Lëvizje të tilla dëshmojnë për ngurrimin nga ana e të dy institucioneve për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre.

Megjithatë, shumë ekspertë besojnë që SHBA po përgatitet për një PESM më të pavarur dhe e shikojnë fjalimin e Ambasadores së SHBA-së në NATO Victoria Nuland në Paris
2008 si shprehje të një pëqasjeje të re të SHBA-së. Ajo deklaroi se: “Evropa ka nevojë, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë, NATO ka nevojë, bota demokratike ka nevojë për një kapacitet Evropian më të fortë dhe më të aftë”.

Qasja e re e SHBA-së nuk do të thotë domosdoshmërisht një ndryshim nga 3D-të. Ajo tregon më së miri masën në të cilën SHBA ka nevojë për partnerë më të aftë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes. Qartësisht BE-ja është lloji i partnerit me të cilin SHBA-ja do të preferonte të punonte. Tanimë SHBA duket të jetë në mbështetje të aftësive më të mira të planifikimit civilo-ushtarak të BE-së. Kjo nuk duhet të përmbushet duke dyfishuar aftësitë ekzistuese të NATO-s, por ajo duhet të jetë plotësuese me kapacitete të tilla. Por në fund të ditës, fati i një planifikimi të përhershëm të BE-së dhe të zyrave qendrore të përgjithshme operative varet më tepër nga qëndrimet Britanike sesa ato Amerikane.

Në të njëjtën mënyrë, pyetja nëse BE duhet të veprojë si një grup brenda NATO-s apo si një konglomerat shtetesh sovrane ka një përgjigje të thjeshtë. Shndërrimi i NATO-s në një forum këshillimor politiko-ushtarak midis SHBA-së dhe BE-së nuk do të dobësonte vetëm historinë dhe aftësitë e saj, por gjithashtu do të tjetërsonte vendet e tjera që nuk janë anëtare të BE-së.

Kjo do të thotë që ndryshimet në opinione dhe perceptime midis SHBA-së dhe BE-së mund të çonin në një ndarje të NATO-s dhe BE-së. Në të njëjtën mënyrë, BE-ja duhet të jetë më e hapur për bashkëpunim me Aleatët jo-anëtarë të BE-së, në kontrast me qasjen e sotme kufizuese. Mos-diskriminimi do të jetë çelësi për një bashkëpunim të qëndrueshëm NATO-BE. Në fakt duket se SHBA është e dhënë pas punës me vendet jo-anëtare të BE-së si Turqia, për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.

Arsyeja e tretë për vështirësitë e marrëdhënieve NATO-BE ndodhet brenda vetë BE-së. Debati i brendshëm për të ardhmen e PESM nuk ka përfunduar derisa çështja nëse BE duhet të ketë një planifikim të përhershëm dhe zyra qendrore operacionale mbetet e hapur. Kjo është një çështje kyçe, veçanërisht për operacionet ku nevojiten më tepër burime ushtarake. Traktati i Lisbonës ka hyrë në fuqi më në fund dhe paraqet një mundësi të re për ata që kërkojnë të krijojnë zyra të tilla qendrore përmes një Bashkëpunimi të Strukturuar të Përhershëm (BSP).

BSP do t’i lejojë këto vullnete të avancojnë më shpejt për t’a bërë këtë në një mënyrë të institucionalizuar, sesa pasjen nevojë të formimit të një koalicioni të bazuar mbi vullnetet rast pas rasti. Kështu, brenda kuadrit të BSP, gjashtë vendet më të mëdha anëtare të BE-së (Franca, Gjermania, MB, Italia, Spanja dhe Polonia) mund të formojnë në mënyrë hipotetike një lloj blloku mbrojtës siç u favorizua nga Presidenti Francez Sarkozy, ku secili shtet të siguronte 10,000 trupa për një forcë të fuqishme prej 60.000 trupash të reagimit të shpejtë të BE-së; ata mund të formojnë gjithashtu një treg të prokurimit të pajisjeve mbrojtëse.

Nëse realizohet, një skenar i tillë do të kishte një ndikim vendimtar në marrëdhëniet NATO-BE. Vështirësitë e mëtejshme janë të lidhura me ndryshimet në kulturat burokratike të të dy institucioneve. Për shkak të historisë dhe aftësive të tyre, NATO dhe BE kanë instikte të ndryshme institucionale. Kjo në fakt mund të përmendet si një arsye përse të dy organizatat nuk kanë qenë në gjendje të mbyllin hendekun midis Planit të Veprimit të Kapaciteteve Evropiane (PVKE) të Besë dhe Angazhimit për Kapacitetet e Pragës të NATO-s, megjithëse 21 prej vendeve janë anëtare të të dyjave, BE-së dhe NATO-s. Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, ka pasur vetëm një operacion të drejtuar nga BE, i cili përdori ekspertizën e planifikimit të NATO-s dhe asetet dhe aftësitë e Aleancës që nga 2004, të quajtur Operacioni Althea në Bosnje dhe Hercegovinë i cili filloi në Dhjetor 2004 pas përfundimit të Forcës për Stabilizim të NATO-s në Bosnje (SFOR). Kjo u bë e mundur sepse situata në terren i detyroi palët të bashkëpunonin.

Thjesht nuk kishte më alternativa të tjera. Ky nuk ka qenë rasti i shembujve të tjerë ku bashkëpunimi nuk perceptohej si i domosdoshëm. Prandaj, sot të dy organizatat nuk bashkëpunojnë plotësisht, megjithëse ato punojnë krah për krah në të njëjtën skenë operacioni si në Kosovë (KFOR dhe EULEX), Afganistan (ISAF dhe EUPOL) dhe Gjiri i Aden-it larg Somalisë (Mburoja Oqeanike dhe ATALANTA).
Që nga viti 2003, BE-ja ka drejtuar më shumë se 20 operacione ushtarake dhe civile. Midis tyre vetëm dy ishin si lloji i operacioneve të Berlin+ të cilat shfrytëzuan asetet dhe
kapacitetet e NATO-s. Ka të paktën dy shpjegime për numrin e ulët të operacioneve si Berlin+. Së pari, operacionet e BE-së ishin të vogla në madhësi dhe prandaj të gjitha burimet mund të siguroheshin dhe menaxhoheshin nga BE-ja. Gjithsesi, në shumicën e këtyre rasteve elementi i tyre ushtarak u kufizua. Së dyti, duke parë vështirësitë e shoqëruara në marrëdhëniet NATO-BE, BE-ja ka kërkuar të bëhet autonome sa më shpejt të jetë e mundur.

Turqia dhe PESM Autoritetet turke përsërisin vazhdimisht se: Turqia nuk është
kundër një përforcimi të bashkëpunimit NATO-BE. Përkundrazi, Turqia mbështet parimisht zhvillimin e PESM-së. PESM (ose PSMP sipas akronimit të ri pas Traktatit të Lisbonës) është pa dyshim e rëndësishme për Turqinë. I tillë është edhe zhvillimi i
PJSP (Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët). Në fakt, Turqia i përafrohet me rreth 80% të deklaratave dhe qëndrimeve të PJSP. Mund të argumentohet lehtësisht që Turqia ndan me aktorët e përfshirë në PJSP të njëjtat perceptime rreziku, prioritetesh dhe mjetesh për të adresuar sfidat.

Për shembull, gjatë përgatitjeve për Dokumentin e parë të Strategjisë Evropiane të Sigurisë në 2003 Turqia u këshillua zyrtarisht dhe vlerësoi faktin që shqetësimet e saj u morën në konsideratë. Turqia është e dhënë gjithashtu pas multilateralizmit në politikën e saj të jashtme. Si një anëtare e Aleancës Perëndimore për më shumë se 50 vjet, pozicionimi i Turqisë me BE-në është një rrjedhojë normale e këtij mjedisi. Me kë do të bashkëpunojë në mënyrë të sinqertë Turqia, nëse jo me BE-në? Prandaj është e gabuar të perceptohet kërkesa e Turqisë për të marrë një rol aktiv në PESM si një propozim për një hyrje në derën e pasme të BE. Në fakt, Turqia është fqinje me rajone të paqëndrueshme
si Lindja e Mesme dhe Kaukazi. Prandaj, çështjet e sigurisë dhe angazhimet ndërkombëtare janë të rëndësishme për Turqinë si dhe anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut është i rrënjosur thellë në bërjen e politikës së saj të jashtme. Megjithatë, statusi i Turqisë në Arkitekturën Evropiane të Sigurisë është konsumuar në mënyrë konstante, të paktën institucionalisht, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Për arsye të kuptueshme, SHBA-ja po kërkon për një ndarje më të madhe të përgjegjësive me Aleatët e saj Evropianë dhe për pasojë roli i NATO-s në çështjet tërësisht Evropiane është në rënie. Për shembull, një çështje që e ilustron këtë është një operacion që vazhdon në Bosnje. Nuk është më një operacion i NATO-s, por udhëhiqet nga BE-ja. Në anën tjetër,
Turqia, nuk është ende një shtet anëtar i BE-së. Nuk është e mundur pjesëmarrja e saj në takimet këshillimore të zakonshme të BE-së. Takimet e BE-së nuk janë të hapura për vendet e treta, madje as për aleatët jo-anëtarë të BE-së, as si vëzhgues.

Autoritetet Turke deklarojnë se ato as nuk u konsultuan përpara operacioneve të BE-së në Irak dhe në Gjeorgji, të dyja fqinje të drejtpërdrejta të Turqisë. BE-ja përgjigjet se përgjegjësia e saj për të konsultuar Turqinë nëpërmjet marrëveshjeve këshillimore
NATO-BE përfshin vetëm operacionet ushtarake ndërsa aktivitetet e ndërmarra në Irak dhe Gjeorgji klasifikohen si operacione civile.

Shkurtimisht, BE-ja nuk e ndjen nevojën të këshillohet me një vend kandidat mbi atë çka po ndodh drejtpërdrejtë me fqinjët e tij. Ky problem mund të mos lidhet me çështjen e Qipros, por faktori Qipro, hyn në lojë në marrëveshjet e Turqisë me Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes, e cila mbetet e varur për shkak të vetos qipriote. E njëjta gjë vlen për nënshkrimin e një marrëveshje të sigurisë me BE-në mbi shkëmbimin e informacionit të klasifikuar. Për arsye të paqarta, Turqia nuk u këshillua zyrtarisht për zbatimin e raportit të Dokumentit të Strategjisë së BE-së mbi Sigurinë të vitit 2008. Të paktën kjo është tabloja e parë nga këndvështrimi Turk. Gjithçka që BE-ja i ofron Turqisë në lidhje me çështjet e sigurisë është të kontribuojë me trupa – nëse pranohen nga BE-ja, që mund të mos jetë gjithmonë rasti – për operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse, në të cilat kuadri i përgjithshëm politik është përcaktuar tashmë nga BE. Në terma praktikë, gjendja e tanishme ka të bëjë me rastet ku shqetësimeve të Turqisë nuk mund t’i jepet zë nëse nuk është NATO por BE-ja ajo që po merr drejtimin e një situate të caktuar.

Kjo është qartësisht një situatë frustruese për autoritetet Turke. Ndonëse anëtarësimi i Qipros në BE i ndërlikoi marrëdhëniet e Turqisë me PESM, problemet rreth kontributeve të Turqisë duket se shkojnë më tej. BE-ja nuk është ende gati të jetë më përfshirëse dhe transparente mbi çështjet e PESM-it. Ngurtësia institucionale siguron vetëm një justifikim të mirë. Çështja e vërtetë është mungesa e vullnetit politik për të përfshirë Aleatët jo-anëtarë të BE-së. Prandaj, nuk është e sigurt që të gjitha çështjet NATO-BE dhe çështjet Turqi-PESM do të zgjidhen menjëherë nëse apo kur të zgjidhet problemi i Qipros.

Pra, është e gabuar që të gjitha vështirësitë që lidhen me bashkëpunimin NATO-BE ti atribuohen Turqisë dhe, për më tepër, të fajësohet çështja e Qipros për të gjitha problemet që shoqërohen me marrëdhëniet Turqi-PESM.

Turqia thjesht po i kërkon BE-së të jetë më e hapur dhe transparente ndaj Aleatëve jo-anëtarë të BE-së. Çfarë është e aplikueshme në praktikë nuk është domosdoshmërisht korrekte politikisht. Turqia mund të lihet praktikisht në skajet e arkitekturës Evropiane të Sigurisë nga ana e BE-së, duke përdorur kuadrin e ngurtë institucional ekzistues të BE-së. Megjithatë, Siguria Evropiane, është e pandashme. Turqia ndjen se ajo po lihet gjithnjë e më tepër mënjanë. Lënia e Turqisë jashtë nuk është një zgjidhje e pranueshme politikisht për të ardhmen e sigurisë Evropiane.

Një rrugë përpara NATO do të rishikojë Konceptin e saj Strategjik në vitin 2010.
Tashmë kanë filluar konsultimet për këtë. Ky ushtrim do të jetë një mundësi për të gjitha palët për të rënë dakord për një sërë parimesh për të ardhmen e mjedisit të sigurisë Evropiane. BE-ja e rishikoi Strategjinë e saj të Sigurisë në fund të 2008 nëpërmjet
raportit të implementimit. Nëse të dy institucionet mendojnë vërtet të punojnë më afër njëri-tjetrit, Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Strategjia Evropiane e Sigurisë kanë nevojë të plotësojnë njëra-tjetrën. Të 21 anëtarët e BE-së mund t’i japin zë shqetësimeve të tyre gjatë negociatave të Konceptit Strategjik të NATO-s. Në të njëjtën mënyrë, dhe me vullnetin e duhur politik, ata do të jenë në gjendje të rishikojnë më tej Strategjinë Evropiane të Sigurisë duke marrë parasysh Konceptin e ri Strategjik të NATO-s.

Prandaj, rishikimi i Konceptit Strategjik të NATO-s ofron një mundësi unike për palët, që të kapërcejnë diferencat e tyre. Në vazhdim të marrëveshjes mbi Konceptin e ri Strategjik të NATOs, BE-ja duhet të marrë hapa të përputhshme me të. Duhet të vendosen një sërë rregullimesh praktike në mënyrë të tillë që të përfshihen të gjithë Aleatët Evropianë jo-anëtarë të BE-së. Marrëveshjet e rishikuara kanë nevojë për një konceptim të ri dhe të hapur. Për shembull, ndarja artificiale mes pjesëmarrjes në operacionet ushtarake dhe civile duhet të marrë fund. Mekanizmat e konsultimit për Aleatët jo-anëtarë të BE-së
duhet të jenë efektive. Pa dyshim, vendim-marrja do t’i mbetet BE-së. Por autoriteti i saj nuk mund të dobësohet duke dëgjuar aleatët e tjerë dhe duke u përpjekur për të adresuar shqetësimet e tyre. Kjo është e rëndësishme veçanërisht nëse aleati në fjalë është një kandidat i BE-së me një vizion për siguri të përbashkët që ka rezistuar mbi 50 vjet.

*Can Buharalý është anëtar i Bordit të Qendrës për Studime Politikash Ekonomike dhe të Jashtme, (EDAM)
Shkrimi është marrë nga botimi “Çështjet e Sigurisë”, përgatitur nga IDM

13 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›