Me viza Schengen në Bullgari për qytetarët kosovarë
Qytetarët e Kosovës tashmë mund të udhëtojnë në Bullgari vetëm me viza Schengen. Ky njoftim bëhet i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa citon se tashmë nuk është e nevojshme të pajisen me viza bullgare.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje, ka përcjellë njoftimin se Qeveria e Republikës së Bullgarisë, ka marrë vendimin për lehtësimin e hyrjes në Bullgari për poseduesit e vizave Schengen. Këshilli i Ministrave të Republikës së Bullgarisë, ka vendosur që deri në datën kur Bullgaria të bëhet anëtare e zonës Schengen, të aplikojë njëanshëm sistem të lirë vizash për poseduesit e vizave valide të Schengenit.
Më tej theksohet se ky vendim, e bën më te lehtë për të gjithë poseduesit e vizave Schengen, që të hyjnë dhe të qëndrojnë në Bullgari në një periudhë deri tre muaj nga data e hyrjes së parë, pa pasur nevojë për pajisje me vizë bullgare.