Me vrasës kundër vrasësve

Kush mund të ruaj kthjelltësinë në luftën e drogës në Meksikë? Pothuajse për çdo muaj në sipërfaqe po dalin kartele të reja të vogla dhe komando vrasëse, gripa të cilat e quajnë vetën “Njerëzit e Ri” apo “Kalorësit”.
Ka tashmë një kohë të gjatë që lufta për territor dhe rrugët për trafikimin e drogës nuk është duke u zhvilluar vetëm ndërmjet shtatë bandave më të fuqishme mafioze në Meksikë. Lufta e drogës është shndërruar në një luftë urbane për pozicionim ndërmjet bandave të shumta të vogla. Dhe është popullata civile ajo që po vuan. Dhunë në Akapulko, Monterej, Mexico-City dhe se fundi ajo është përhapur edhe në qytetin bregdetar, Veracruz.
Grupet e reja po formohen nga njerëz, të cilët kanë braktisur kartelet e mëdha, të tjerat kryejnë ekzekutime, ndërsa disa janë pavarësuar, pas kapjes së udhëheqësve të tyre.
Megjithatë, asnjë grup deri më tani nuk ka pasur një paraqitje më ofensive dhe agresive, se sa grupi Mata Zetas, përgjegjës për vrasjen e 35 personave në Veracruz. Ky grup e ka shpallur vetën si kundërshtar të kartelit të frikshëm të drogës, Zetas.
Në një video-xhirim, të bërë publik muajin e kaluar, mund të shihen pesë persona të maskuar të ulur në një tavolinë. Udhëheqësi i tyre, një mashkull korpulent, ndër të tjera thekson:”Ne nuk marrim pengje, nuk vjedhim, ne jemi krahu i armatosur i popullit”. Pjesëtarët e Mata Zetas e konsiderojnë vetën si luftëtarë anonim dhe meksikanë krenarë. “Kundërshtarët tanë janë pjesëtarët e Zetas. Ne respektojmë forcat e sigurisë”, theksohet më tutje në xhirim.
Para se gjithash kjo deklaratë është një dëshmi për Edgardo Buscalian se te Mata Zeta bëhet fjalë për një njësi klasike paramilitare.
“Sipas tyre, ata po ndihmojnë shtetin e ngarkuar dhe forcat e sigurisë në luftën kundër grupeve të caktuara kriminale”, thotë Buscalia, ekspert për kriminalitetin e organizuar.
Paramilitarët janë një fenomen i njohur në Meksikë. Këto njësi kanë ekzistua qysh në vitet e 70-ta në shtetin Guerrero dhe në vitet e 90-ta në Chiapas. Në këto shtete, këto njësi kanë luftuar kundër lëvizjeve të kryengritësve të majtë. Këto grupe formohen nga pjesëtarë të ushtrisë apo ish-pjesëtarë dhe financohen nga kompanitë e mëdha dhe ndërmarrësit e pasur.
Gjithsejtë 167 grupe paramilitare kanë numëruar Buscalia dhe ekipi i tij, të cilat veprojnë 11 nga 32 shtetet federative të Meksikës. “Por kjo shifër nuk është përfundimtare. Jemi të mendimit se grupe të këtilla ekzistojnë edhe në 17 shtete tjera, pra në gjysmën e territorit të Meksikës”, thotë Buscalia.
Para se presidenti i Meksikës, Felipe Kalderon, t’i shpallte luftë karteleve të drogës në vitin 2006, në këtë vend kanë ekzistuar vetëm disa dhjetëra grupe të këtilla paramilitare.
Por shtimi i shpejtë i numrit të tyre nuk e befason Buscalian. “Shteti i dobët dhe lufta e dështuar kundër kriminalitetit të organizuar janë arsyet kryesore për shtimin e tyre. Është e vërtetë se qeveria ka dërguar me dhjetëra mijëra ushtarë dhe policë në luftën kundër bandave të drogës, por rezultati nuk është zvogëlimi i dhunës, por shtimi i saj”, thotë ai.
Buscalia më tutje shton se shteti është i dobët, ngase është shkatërruar nga korrupsioni. Dhe në këtë mënyrë, spiralja e vdekjes po rrotullohet me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe: vetëm gjatë pesë viteve të fundit, në Meksikë janë vrarë 50 mijë njerëz, si rezultat i luftës mes karteleve të drogës. Presidenti Kalderon që moti ka humbur kontrollin.
Së shpejti në Meksikë do të votohet dhe çdo mjet është i dobishëm, në luftën kundër krimit.
Këtë dobësi po e shfrytëzojnë njësitë paramilitare. Pjesëtarët e këtyre grupeve kanë vënë vetën në shërbim, për të pastruar territore të caktuara nga grupet tjera rivale, thotë Buscalia.
Ato financohen nga ndërmarrës, të cilët janë ngopur me reket dhe policë të korruptuar. Por ka edhe organizata tjera të krimit, të cilat kërkojnë ndihmën e paramilitarëve.
Për të ulur numrin e madh të viktimave, qeveria konsideron të favorshëm çdo mjet, që i ndihmon në luftën kundër krimit.
“Kalderoni deri në zgjedhjet e vitit 2012 duhet të dëshmoi rezultate, nëse dëshiron të parandaloi humbjen bindëse të partisë së tij. Nëse me ndihmën e paramilitarëve arrihet qëllimi që grupi Zeta të dëbohet nga Veracruzi, atëherë do të ishte kjo një fitore e madhe për të”, thekson Buscalia.
Buscalia frikësohet se në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, dhuna në Meksikë do të shënojë rritje.
“Ka informata se ekzistojnë grupe paramilitare në Chiapas, të cilat është paraparë që të luftojnë pjesëtarët e Zetas edhe në kufi me Guatemalën. Meksika është një treg për shërbimet ilegale të sigurisë. Këtu ka mercenarë nga Rusia, Ukraina dhe Kina. Asgjë nuk është më e lehtë se të rekrutosh 20 meshkuj, për të kryer ndonjë punë të ndyrë”, nënvizon Buscalia.