E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Më vrisni, përndryshe do të jeni një vrasës"

Në 85-vjetorin e vdekjes së Franz Kafkës. Çastet e fundit i përshkruan miku i tij i ngushtë Robert Klopstock. "Ma jepni tani, ma keni premtuar prej vitesh i thotë Klopstokut - e kishte fjalën për një dozë të madhe morfine që do t'u jepte fund vuajtjeve. "...Mos më torturoni më, ç'kuptim ka zgjatja?" Për një çast iu bë se miku po largohej: "Mos ikni." Tjetri iu përgjigj: "Nuk po iki". Atëherë Kafka tha me zë të thellë "Por po iki unë."

Më 19 qershor 1924, 16 ditë pas 3 qershorit kur në një sanatorium të Klosterneuburgut pranë Vjenës kishte vdekur Franz Kafka, në Teatrin gjerman të Pragës miqtë e tij shkrimtarë Max Brod, Hans Demetz dhe Johannes Urzidil organizonin një mbrëmje përkujtimi.


Aty, pasi u dëgjuan disa nga tregimet e Kafkës, Urzidil tha ndër të tjera: "Në qoftë se ka ekzistuar ndonjëherë përputhje e plotë midis jetës dhe shpirtit artistik të dikujt, kjo ka ndodhur te Franz Kafka".


Gazetari-shkrimtar kishte mesa duket parasysh me këto fjalë ndershmërinë e Kafkës si krijues, përkushtimin e tij të plotë ndaj letërsisë, kërkesën e lartë që kishte ndaj vetes, çka bëri edhe që shumë pak të botonte nga shkrimet e tij në të gjallë, shumë dorëshkrime t'i asgjësonte ndër vite dhe shumë të tjera t'i linte testament për zhdukje, sikundër për mikun e tij Max Brod.


Sepse po të kërkojmë "përputhje të plotë" në tema të caktuara, që janë të jetës e njëkohësisht të krijimit, tabloja është e ndryshme nga ajo që mund të presim prej thënies së Urzidilit.


Këtu do të ndalemi shkurtimisht te vdekja, vdekja si temë e kudondodhur e prozave të tij dhe vdekja si e përjetoi shkrimtari pasi iu shfaq sëmundja e rëndë e tuberkulozit dhe derisa vdiq në moshën 41-vjeçare.


Nuk janë të pakta tregimet ose romanet e Kafkës që përfundojnë me vdekje e që mund të thuhet se e kanë këtë motiv temë qendrore.


Po kujtojmë këtu vetëm "Procesin", "Shndërrimin" (të përkthyer dikur si "Metamorfoza"), "Në koloninë ndëshkimore" ose tregime më të shkurtra si "Vendimi", "Vëllavrasja", "Një ëndërr" etj.


Edhe kur vdekja nuk është temë e drejtpërdrejtë - në ato tregime të shumta që i përshkon tejetej ankthi, një ankth ekzistencial që e bën jetën, të paktën jetën e fiksionit, të padurueshme, shpëtimi nga shtypja e ankthit është vetëm e vetëm vdekja.


Në romanin "Procesi" vrasja e Josef K.-së vjen në kapitullin e fundit si lehtësim i jashtëzakonshëm, sado brutale që është në vetvete: "Njëri nga burrat e mbërtheu K.-në prej gurmazi, kurse tjetri i nguli thellë në zemër thikën që ia rrotulloi aty dy herë.


Me sytë që po i plasnin K.-ja arriti të shohë se si dy zotërinjtë iu avitën fare pranë fytyrës, të mbështetur te njëri-tjetri faqe më faqe, duke vërejtur zbatimin e vendimit. Si qen! tha ai me vete, po i bëhej se turpi do arrinte ta mbijetonte."


Te "Vendimi" vdekja vjen sepse kështu merr vendim babai: "Të dënoj me mbytje në lumë!" i shpall ai të birit, i cili sakaq rend në rrugë, varet te parmaku i urës dhe bie e mbytet në rrjedhën e rrëmbyer të lumit.


Nuk mund të thuhet se vdekja është motiv qendror te ky tregim, jo, motiv qendror është marrëdhënia e padurueshme ndaj babait, porse që mund të zgjidhet veç prej vdekjes.


Edhe më e qartë bëhet kjo në tregimin sivëlla "Shndërrimi", ku nëpunësi Gregor Samsa (gjithmonë kjo ngjashmëri në emër e personazhit me autorin, në këtë rast te bashkëtingëllimi i zanoreve -a-a) një mëngjes gdhihet si një brumbull i stërmadh.


Me një përpikmëri të pamëshirshme shkrimtari përshkruan shndërrimin, por jo shndërrimin e njeriut në insekt, jo, kjo ka ndodhur dikur gjatë natës në mënyrë të mistershme, por shndërrimin e dashurisë familjare në ftohtësi dhe pastaj në neveri të plotë.


Në qoftë se në fillim ka një si dhimbsuri të motrës ndaj insektit Gregor - ajo i sjell ushqimin, ia lë derën një rreze të hapur që ai të paktën të mund ta vështrojë jetën familjare (kurse babai është që në fillim i egër dhe i pamëshirshëm ndaj shëndrrimit, e largon insektin me shkop, i gjuan në kurriz me një kokërr mollë etj.), kjo dhimbsuri vjen dita-ditës duke u tretur, aq sa në fund është motra ajo që thotë:


"Duhet hequr, ky është mjeti i vetëm, baba. Ti duhet vetëm ta largosh mendimin se ky qenkësh Gregori. Fatkeqësia jonë e vërtetë është që e besuam këtë gjë për një kohë të gjatë... Po të ishte vërtet Gregori, ai do ta kishte kuptuar se njeriu e ka të pamundur të jetojë me një kafshë të tillë dhe do të kishte ikur vetë vullnetarisht.


Atëherë nuk do të kishim më një vëlla, por do mund të jetonim siç është për të jetuar dhe do ta ruanim me nder kujtimin e tij. Ndërsa kështu kjo kafshë na përndjek gjithë kohën, i dëbon qiraxhinjtë, kërkon me sa duket ta ketë gjithë banesën për vete dhe të na nxjerrë ne të flemë në rrugë."


Kur dëgjon këto fjalë Gregori zë e rrotullon trupin e vet me mundim të madh (ka ditë që nuk ha më asgjë) dhe drejtohet zvarrë për nga dhoma e vet e gjumit. Sapo mbërrin aty, ia përplasin derën prapa kurrizit dhe e mbyllin menjëherë me shul. Atëherë mbi të bie dalëngadalë një paqe e një prehje që nuk e kishte provuar më parë.


"Vërtet kishte dhimbje në të gjithë trupin, por i bëhej sikur ato sa vinin e dobësoheshin derisa të zhdukeshin më në fund krejt. Nuk po e ndjente thuajse aspak mollën e kalbur në shpinë dhe vendin e malcuar rrotull saj. Mendonte për familjen i prekur e me dashuri.


Sa për çështjen që duhej të hiqej qafe, ndjente ndoshta më shumë vendosmëri ai sesa e motra. Mbeti në këtë gjendje të zbrazët e të paqtë meditimi, derisa sahati i kullës shënoi orën tre të mëngjesit. Arriti ta përjetonte edhe dritën e parë të agimit jashtë dritares. Pastaj koka iu rrëzua pavullnetshëm mbi dysheme dhe nga fejzat i doli e dobët fryma e fundit." Kjo është pra vdekja, një lehtësim e një çlirim nga gjithë vuajtjet e kësaj bote.


Por nuk ishte aspak e tillë në jetën e shkrimtarit. Kafka vërtet dëshmoi shpesh një pafuqi për t'u ndarë nga familja prindërore, ai vërtet do të sundohej gjithë jetën nga figura autoritare e plotfuqishme e babait (ajo do ta bënte madje, sikurse thotë në të famshmen "Letër babait" që të mos martohej asnjëherë, të mos i shndërronte fejesat dhe dashuritë e tij jo të pakta në martesa dhe familje solide sikurse pat bërë i ati, "sepse po të martohesha, do të kisha një familje, ajo më e larta që mund të arrijë njeriu, që ke arritur edhe ti. Atëherë do të isha i një sëre me ty, gjithë tirania dhe turpi do të ishin vetëm histori...


Por kjo është një përrallë, është aq shumë sa nuk do ta arrij dot kurrë"). Ky kompleks i analizuar me hollësi prej vetë shkrimtarit dhe prej qindra studiuesish të mëpasëm do ta bënte të ndihej dështak, i pafuqishëm, i vrarë thellë në shpirt.


Mirëpo edhe nën këto shtrëngesa të brendshme, Kafka ishte njeriu që e donte jetën, e donte Pragën, Berlinin, rrugicat e qyteteve të vjetra, natyrën, i donte gratë, i donte miqtë dhe njerëzit e familjes, prindërit, sidomos motrat.


Një joie de vivre, një gjallëri e jashtëzakonshme e kap në muajt e fundit të jetës, çka provon edhe një herë se tjetër është jeta reale dhe tjetër jeta e fiksionit (ku hyn jo pak edhe "Letër babait"). Në mes të vitit 1923 Kafka zhvendoset në Berlin, ku shpreson të bëjë më në fund një jetë të shkëputur nga prindërit dhe mëvetësinë si shkrimtar.


Gjatë verës shkon në një plazh në Detin Balltik, aty njihet me Dora Diamant, 19 vjet më e re se ai. E takon për herë të parë këtë vajzë ndërsa kjo pastronte peshk në kuzhinën e kampit të fëmijëve, për të cilët kujdesej. "Ato duar të brishta në një punë kaq të përgjakshme", i thotë (nga kujtimet e Maks Brod, Nju Jork 1954).


Prej atij çasti do të lidhnin miqësi dhe Dora nuk do të ndahej më prej tij deri në çastin e vdekjes. Kaluan në Berlin në muajt më të këqinj të inflacionit gjatë dimrit 1923-24 ("gatuanim mbi bishta qirinjsh se nuk blenim dot gaz"), por të dashuruar e të lidhur ngushtë me njër

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›