E Diel, 1 Nëntor 2026

Zogaj: Nuk isha në listën e Lezhës, se nuk u përkas kulisave

Një prej themeluesve të PD-së, Preç Zogaj, i cili garon për partinë PLIDR, tregon arsyet se pse nuk u përfshi në listën e PD-së së Lezhës dhe raportet me Berishën


TIRANË- Një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Preç Zogaj, i cili tanimë do të garojë në Lezhë nën siglën e partisë së Ngjelës, PLIDR, flet gjatë, në një intervistë për "Shekulli"-n, lidhur me raportet e tij me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, listën e kandidatëve për deputetë, si dhe platformën që ai ka për qytetarët e Lezhës.


Zoti Zogaj, PD-ja ka shpallur tashmë listën për deputetë. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se lista e kandidatëve për deputetë përbën ekipin fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit. A ndani edhe ju të njëjtin mendim se një ekip i tillë mund të jetë fitues?


Në politikë paguhet para e madhe për të parashikuar kush fiton e kush nuk fiton në zgjedhje. E kam fjalën për institucionet që bëjnë sondazhe profesionale. Unë dëshiroj, uroj dhe po jap kontributin tim, që qendra e djathtë, pra Aleanca e Ndryshimit, e kryesuar nga Berisha, Pol i Lirisë dhe partia Ligj dhe Drejtësi e avokat Ngjelës, të dalin fitues në zgjedhjet e 28 qershorit.


Por hamendje nuk mund të bëj, shifra nga xhepi nuk mund të nxjerr. Sondazhet e shpallura deri tani, pavarësisht besueshmërisë dhe marzhit të gabimeve, flasin për një garë ende të hapur.


Është folur e shkruar shumë për mënyrën si u hartuan listat, domethënë si u ndërtuan ekipet që secila palë po i paraqet si ekipe fituese...
Tani të gjithë e dinë se këto lista u hartuan në sekret të plotë.


Disa njerëz janë indinjuar, ka të tjerë që mendojnë se e gjithë kjo ishte në logjikën e ligjit të ri elektoral dhe të natyrës së garës që është përqendruar tek përballja mes dy liderëve kryesorë: në një anë Kryeministri Berisha, që kërkon të rikonfirmohet, në anën tjetër Edi Rama, në rolin e sfidantit. Në këtë vendosje nuk ka hapësirë për një garë të mirëfilltë listash apo kandidatësh, si ajo që kishim në sistemin mazhoritar.

Ju e fusni veten tek të indinjuarit?


Unë përpiqem të mos e shoh problemin bardhezi. Në një anë, sigurisht që nuk mund të pajtohem me praktikën e shmangies së konsultimit institucional me strukturat e partisë. Kjo është një çështje parimore.


Ka plot deputetë dhe politikanë si puna ime, që nuk u kushtojnë rendësi korridoreve, kulisave, tarafeve, grupimeve, lotimeve, e tjerë e tjerë, por e kanë forcën tek puna e tyre, në një anë, dhe te zgjedhësit, në anën tjetër. Por, si do të ruhen këto lloj politikanësh e deputetësh, kur nuk ka as konsultim me bazën, as një sistem të shpallur vlerësimi për punën dhe veprën e deputetit?


Siç e thashë, ky është një problem thellësisht parimor, që sipas meje ka për të shpërthyer në vartësi të produktit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, në mënyrën se si u bënë listat dhe si po impostohet gara elektorale, shoh edhe diçka që do ta quaja pozitive në rrafshin e sinqeritetit dhe transparencës politike:


Berisha ka dalë para shqiptarëve vetëm me listën e tij, pa ata teoritë e diversitetit, që dikush i ka paraqitur si faktorë në fitoren e vitit 2005. Berisha kësaj radhe është shumë i qartë: ai është paraqitur në zgjedhje siç ka qeverisur këto katër vjet dhe do të qeverisë në katër vitet e ardhshme, siç është paraqitur në zgjedhje.


Ju njiheni si një prej politikanëve të vjetër që keni luftuar gjithnjë për hapjen e PD-së, për diversitetin. A përbën kjo zgjedhje e Berishës që porsa shpjeguat një kthim prapa në krahasim me vitin 2005?


Berisha ka bërë zgjedhjen e tij, të gjithë bëjnë zgjedhjet e tyre, dikush në varësi të pikëpamjeve që ka në kokë, dikush në vartësi të asaj ku kërkon të dalë. Unë e shpjegova, nuk e miratova zgjedhjen e Berishës.


Ju e dini se nuk jam aty sërish dhe nuk jam aty pikërisht sepse zgjedhjet e mia, përgjithësisht, pasqyrojnë botëkuptimin tim. Nga pikëpamja e botëkuptimit unë kam qenë dhe jam në favor të diversitetit në parti, që duhet jo vetëm të ekzistojë, jo vetëm të artikulohet, por edhe të përfaqësohet.

Për shumë kohë, së paku prej shtatë tetë vjetësh, është menduar se ju keni qenë një nga njerëzit e preferuar të Berishës.


Çfarë ndodhi në fazën e hartimit të listave?


Unë kam punuar me Berishën, nganjëherë edhe afër, sidomos gjatë viteve 2000-2005 kur ishim në opozitë, por edhe gjatë këtyre viteve në pushtet, në momente të caktuara. Nuk kam synuar të jem i preferuari i tij.


Përveç mbështetjes për zonën dhe për disa investime strategjike që janë pasioni im i vjetër në politikë, nuk i kam kërkuar asgjë personale, nuk i kam vendosur asnjë kusht bashkëpunimi, as në ditët e tij më të vështira.


Unë besoj në mirëkuptimin intelektual, besoj në mesazhet që shkëmbehem pa ne dhe skuqem nga turpi nëse me shkon ndërmend t'i hyj në zemër me marifete liderit apo kujtdo tjetër.


Sigurisht, gjithnjë kemi dëshirë të na duan, por në politikë mungesa e dashurisë apo e simpatisë së liderit nuk është një problem. Respekti është problemi.


Si çdo njeri, unë pretendoj të respektohem dhe kur mendoj se jam bashkëthemelues i PD-së dhe kur mendoj se i kam bërë dy-tri gjëra për demokracinë dhe për kulturën në Shqipëri dhe kam shërbyer në zonën elektorale si një ndër më të mirët e politikës së shërbimeve dhe shërbesave, arsyet e mia për t'u respektuar shtohen.


Respekti i ndërsjellë, zbatimi i rregullave të lojës politike, këto janë kushtet e hekurta të bashkëjetesës politike mes njerëzve të lirë.



Me çfarë platforme do të dilni para votuesve të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës dhe si do t'i bindni qytetarët e Lezhës që të votojnë tashmë jo për PD-në, por për PLIDR-në?

Në qoftë se flasim për programe, PD-ja dhe PLD-ja janë që të dyja të qendrës së djathtë. Në këtë kuptim, atë që quhet ndërgjegje politike e kam të qetë. Por të gjithë e dini se ky rasti im është disi unik.

Që do të thotë...?


Që do të thotë se unë nuk kam hyrë ndonjëherë në Partinë Demokratike, nuk jam pranuar në Partinë Demokratike për arsyen e thjeshtë se jam një prej themeluesve të saj. As unë nuk e kam pranuar Berishën, as ai nuk më ka pranuar mua. Themeluesit nuk mund të pranojnë njëri-tjetrin.


Në atë kohë, më 12 dhjetor 1990, sheshet ishin plot me njerëz që kërkonin përmbysje, por ato që morën përsipër të afishoheshin me emër dhe mbiemër për t'i dhënë jetë pluralizmit nëpërmjet themelimit të një partie politike, nuk ishim aq shumë. Madje, grupi i ngushtë i themeluesve mund të numërohen me gishtat e dy duarve.


Pas tetëmbëdhjetë vjetësh, nga ky grup kemi humbur Azem Hajdarin dhe Gramoz Pashkon; ndonjë tjetër ka ndjekur rrugë të tjera në jetë, duke u larguar nga politika aktive. Kuptohet se nga themeluesit e orës së parë dhe ditës së parë nuk kanë mbetur shumë.


Berisha është në krye të PD-së, Arben Imami është i katërmbëdhjeti në listën e Tiranës, Aleksandër Meksi është te Poli i Lirisë, unë jam këtu. Pavarësisht peripecive që kemi pasur gjatë këtyre viteve, përpara historisë (besoj se historia shënon vetëm momentet kyçe të kthesave në jetën e një kombi) ne, themeluesit e PD-së, jemi të ulur si atëherë rreth një tryeze të vjetër në Qytetin Studenti.


Pavarësisht peripecive, akoma ndjehen dhe besoj do të ndjehem edhe në të ardhmen po aq përgjegjës sa Berisha për fatin e Partisë që krijuan së bashku, edhe pse nuk kam kërkuar e nuk kërkoj prej saj çfarë nuk më përshtatet.


Kjo është arsyeja që në momentet më të vështira të kësaj partie, në mars 1997, në dhjetor 1999, në vitet 2000-2004, kur kishte projekte për mbajtjen e saj në opozitë të përhershme, unë kam qenë atje për t'i dhënë një dorë, për t'i dhënë fuqinë e fjalës, për t'i dhënë edhe mandate që nuk i kisha fituar me mbështetjen e saj.


Sërish do të takohemi, sepse, siç thashë, themeluesit nuk hyjnë, nuk pranohen, nuk zhbëhen. Ata janë të përhershëm si të tillë. Unë do të kem mandatin e zgjedhësve që do ta përdor, sikurse deri tani, si një demokrat i moderuar i qendrës së djathtë, si një themelues i Partisë Demokratike.

Ju keni besim se do të fitoni kur shpreheni se sërish do të takoheni?


Po me çfarë platforme, nuk ju përgjigjet pyetjes.Kam besim të madh se do të fitoj. Platforma ime është sjellja dhe puna ime si deputet i ish-zonës 14 në Lezhë. Atje kam krijuar kulturën e fjalës së mbajtur dhe të vënies me mish e me shpirt në shërbim të zgjedhësve.


Prandaj kam guximin të rikandidoj. Më tej, unë kam një program gjithnjë e më të detajuar për Lezhën metropol dhe për një qark model zhvillimi nga Mamurrasi në Laç, në Mirditë e në çdo pëllëmbë të Qarkut të Lezhës.


Programin tim për Lezhën metropol (me Lezhë tani nënkuptoj gjithë qarkun) e kam pjekur përgjatë mandatit të parë dhe përfshin investime të rëndësishme publike dhe private në gjithë territorin, në radhë të parë në zonën bregdetare, që përfaqëson një resurs të madh për qarkun tonë dhe për mbarë vendin.
Intervistoi:


Për listat


Në një anë, sigurisht që nuk mund të pajtohem me praktikën e shmangies së konsultimit institucional me strukturat e partisë. Kjo është një çështje parimore.


Ka plot deputetë dhe politikanë si puna ime, që nuk u kushtojnë rendësi korridoreve, kulisave, tarafeve, grupimeve, lotimeve, e tjerë e tjerë, por e kanë forcën tek puna e tyre, në një anë dhe te zgjedhësit, në anën tjetër.


Por si do të ruhen këto lloj politikanësh e deputetësh, kur nuk ka as konsultim me bazën, as një sistem të shpallur vlerësimi për punën dhe veprën e deputetit? Siç e thashë, ky është një problem thellësisht parimor, që, sipas meje, ka për të shpërthyer në vartësi të produktit të zgjedhjeve të 28 qershorit.


Raporti me Berishën


Përveç mbështetjes për zonën dhe për disa investime strategjike që janë pasioni im i vjetër në politikë, nuk i kam kërkuar asgjë personale, nuk i kam vendosur asnjë kusht bashkëpunimi, as në ditët e tij më të vështira.


Unë besoj ne mirëkuptimin intelektual, besoj në mesazhet që shkëmbehem pa ne dhe skuqem nga turpi nëse me shkon ndërmend t'i hyj në zemër me marifete liderit apo kujtdo tjetër.


Sigurisht, gjithnjë kemi dëshirë të na duan, por në politikë mungesa e dashurisë apo e simpatisë së liderit nuk është një problem. Respekti është problemi


Themeluesit e parë


Pas tetëmbëdhjetë vjetësh, nga ky grup kemi humbur Azem Hajdarin dhe Gramoz Pashkon; ndonjë tjetër ka ndjekur rrugë të tjera në jetë, duke u larguar nga politika aktive.


Kuptohet se nga themeluesit e orës së parë dhe ditës së parë nuk kanë mbetur shumë. Berisha është në krye të PD-së, Arben Imami është i katërmbëdhjeti në listën e Tiranës, Aleksandër Meksi është te Poli i Lirisë, unë jam këtu.


Pavarësisht peripecive që kemi pasur gjatë këtyre viteve, përpara historisë (besoj se historia shënon vetëm momentet kyçe të kthesave në jetën e një kombi) ne, themeluesit e PD-së, jemi të ulur si atëherë rreth një tryeze të vjetër në Qytetin Studenti.


Pavarësisht peripecive, akoma ndjehem dhe besoj do të ndjehem edhe në të ardhmen po aq përgjegjës sa Berisha për fatin e Partisë që krijuan së bashku


Pse hyri në PD


Unë nuk kam hyrë ndonjëherë në Partinë Demokratike, nuk jam pranuar në Partinë Demokratike, për arsyen e thjeshtë se jam një prej themeluesve të saj. As unë nuk e kam pranuar Berishën, as ai nuk më ka pranuar mua. Themeluesit nuk mund të pranojnë njëri-tjetrin

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›