E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeplaku i PD-së, rreh kryetarin e PS-së

KORÇË- Kryetari i PS-së i fshatit Zëmblak në Korçë është rrahur nga kryeplaku i këtij fshati, përfaqësues i PD-së.


Ngjarja ka ndodhur dje, ndërsa viktimë e dhunës përveç kryesocialistit është bërë edhe kushëriri i tij i parë. Shenjat e dhunës në trupat e dy viktimave janë të shumta, ndërkohë që asnjë hetim nuk ka nisur për ngjarjen për shkak se asnjë person nuk ka dashur që të denoncojë.


Fatos Hysaj, kryetar i PS-së në fshatin Zëmblak, denoncoi publikisht dhunën fizike të ushtruar ndaj tij dhe kushëririt të parë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur gjatë mbrëmjes së të hënës.


Shkak është bërë një parullë pro PS-së e shkruar në murin e shtëpisë së Hysajt, e cila ka nxitur reagimin e kryeplakut të fshatit, Bilal Mullallit. Sipas dëshmisë që ka dhënë i dhunuari, kryeplaku i ka kërkuar të mos shkruhet asnjë parullë në këtë fshat, ndryshe do të ndëshkohej.


Hysaj ishte shprehur se nuk ishte ai parullë-shkruesi, por nuk kishte mundur ta bindte Mullalin, çka kishte bërë që ai të reagonte duke e qëlluar. Më pas ai ka goditur edhe shtetasin Nertil Hoxhalli, kushëri i Hysajt.


Ngjarja ka degraduar dhe kryeplaku ka thirrur edhe të afërm të tij. Ndërkaq vetë dhunuesit që kanë kërkuar të mos shkruhen parulla me përmbajtje të majtë në fshatin e tyre, kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila pasi ka thirrur të gjithë të përfshirët në konflikt duke i shoqëruar, nuk ka marrë asnjë kallëzim penal.


Ndërkaq, burime të policisë së Korçës konfirmojnë ngjarjen, por kanë pohuar se asnjëra nga palët nuk ka preferuar të bëjë kallëzim për njëra-tjetrën.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›