Media franceze: Shqipëria trashëgimi e pasur kulturore

Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet më tërheqëse të Mesdheut, falë ndërthurjes së trashëgimisë historike, qyteteve karakteristike, natyrës dhe zhvillimeve moderne, sipas një artikulli të botuar në median franceze TourMaG.com.
Nga Tirana dhe Kruja, te Shkodra e Durrësi, vendi ofron një udhëtim mes historisë dhe modernitetit, ndërsa investimet e reja po i japin një tjetër dimension turizmit shqiptar.
Shqipëria e veriut: Kulturë dhe modernitet
Një trashëgimi e pasur dhe një destinacion që po ndryshon me shpejtësi.
E pozicionuar në zemër të rajonit mesdhetar të Evropës dhe Ballkanit, Shqipëria, një vend që për shumë vite ishte i izoluar, është hapur prej disa vitesh ndaj turizmit.
Infrastruktura dhe shërbimet turistike po përshtaten gradualisht me kërkesat e vizitorëve perëndimorë.
Nga kryeqyteti, Tirana, deri në veri dhe në zonat bregdetare, vendi ndërthur gjurmët e historisë me investimet dhe zhvillimet e reja.
Tirana, një kryeqytet mes historisë dhe modernitetit
Tirana, me rreth 900 mijë banorë, pothuajse një të tretën e popullsisë së vendit, është një kryeqytet me pamje dhe stile të ndryshme arkitekturore.
Ndërtesave moderniste të viteve 1930 dhe atyre të periudhës komuniste, të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore, u janë shtuar ndërtesa moderne dhe futuriste, që synojnë ta përfshijnë kryeqytetin në zhvillimet arkitekturore të shekullit XXI.
Rezultati është një peizazh arkitekturor i larmishëm, ku ndërthuren periudha dhe stile të ndryshme.
Në qendër të qytetit ndodhet Sheshi Skënderbej, sheshi kryesor dhe këmbësor i Tiranës, kushtuar heroit kombëtar shqiptar.
Skënderbeu paraqitet edhe përmes monumentit të tij të njohur mbi kalë.
Pranë sheshit gjenden Muzeu Historik Kombëtar, me mozaikun e madh në fasadë të krijuar në vitet 1980, Pallati i Kulturës, i ndërtuar në vitin 1963, Banka e Shqipërisë, e vitit 1938, si dhe Xhamia e Et’hem Beut, e ndërtuar në fund të shekullit XVIII.
Këto ndërtesa historike bashkëjetojnë me struktura të reja, si hoteli “InterContinental” dhe kulla moderne “Tirana’s Rock”, silueta e së cilës është projektuar në formën e fytyrës së Skënderbeut.