E Diel, 1 Nëntor 2026

“Media, një opozitë e shkëlqyer, në kushtet kur vendit i mungon opozita e vërtetë”

28-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha, pritje për gazetarët, botuesit dhe drejtuesit e medias, me rastin e festave të fundvitit. Deklarata/ “Askush nuk duhet të trembet nga nacionalizmi shqiptar, ai është nacionalizmi më qytetar, tërësisht i frymëzuar nga vlerat e lirisë”

Me rastin e festave të fundvitit, kryeministri Sali Berisha dha dje në mbrëmje, në mjediset e Pallatit të Brigadave, një pritje koktej për gazetarët, botuesit dhe drejtuesit e medias në vend. Duke iu shprehur atyre urimet më të mira për vitin 2013, kryeministri Berisha vlerësoi si të jashtëzakonshëm rolin dhe kontributin e medias në shoqërinë shqiptare.
“Është një rast i veçantë për mua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, të përshëndes të gjithë punonjësit e të gjitha niveleve të shtypit të shkruar dhe atij elektronik, të përulem me nderimin më të madh para jush, rolit tuaj të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare. Në Shqipëri kanë ndryshuar shumë gjëra, por sot, në rrafshin demokratik, pasuria më e madhe e vendit, në mënyrë të padiskutueshme, janë mediat e tij, media të cilat në një përpjekje të gjithanshme përpiqen të tejshkojnë me rreze drite çdo qelizë, çdo skutë, çdo labirint të shoqërisë sonë, media të cilat kanë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në fushën informative, por po kaq në atë kulturore, artistike, investigative, të gjithanshme”, u shpreh kryeministri.
Në vlerësimin e kreut të qeverisë, gjatë këtij mandati de facto media ka qenë opozita e vendit, një opozitë e shkëlqyer. “Kjo është e vërteta. Nuk ka asgjë më të vështirë për një qeveri, në një vend dhe shoqëri të lirë, sesa të qeverisë pa opozitë. Ishte thënë në mënyrë të përsëritur pas zgjedhjeve të vitit 2009, por unë kisha mendim tjetër, isha i bindur se vendi nuk ishte pa opozitë. Mediat në Shqipëri përbëjnë realisht pluralitetin më të fuqishëm të vendit. Kjo është e vërteta dhe ky është zhvillimi më pozitiv i këtyre njëzet viteve. Ky pluralitet është një vlerë kolosale për lirinë e shqiptarëve. Ndaj dhe unë ju ftova juve sonte për t’ju falënderuar me shumë mirënjohje për rolin tuaj të jashtëzakonshëm që luani në shoqërinë shqiptare”, tha ai.
Në këtë përshëndetje të fundit për këtë vit me gazetarët, kreu i mazhorancës u ndal dhe në një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Sipas tij, ajo që ndodhi në 28 nëntor ishte një vërshim i papërmbajtur, i paparë, i ndjenjave të dashurisë, respektit, të atdhetarisë së shqiptarëve në të katër anët e botës. “Ne shqiptarët kremtuam këtë vit 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në rast se jemi një traditë relativisht e shkëlqyer në mitingje, nuk mund të them se jemi të tillë në festa, por të gjithë ne u befasuam në këtë 100 vjetor, pasi para nesh befas u shfaq lëvizja festive popullore më e madhe në historinë tonë kombëtare. Natyrisht, jashtë çdo lloj arsyeje se kjo ishte një lëvizje zyrtarisht e organizuar. Jo, kjo ishte një lëvizje zyrtarisht e organizuar aq sa ishte zyrtarisht i organizuar mitingu i Xhejms Bejkërit në maj të vitit ’91. Por nuk ka diskutim që kjo lëvizje, pas së cilës shqiptarët nuk do të jenë më kurrë kombi që ishin, kishte katalistët e saj. Dhe unë besoj se ju keni qenë ndër katalistët më kryesorë. Lëvizja, sigurisht, duhet studiuar dhe lexuar me shumë vëmendje, por një gjë është e sigurt, ajo e tëra ishte një shenjë e bashkimit kombëtar. Unë kam bindjen se mesazhi i ditës së 100 vjetorit do të lexohet me ndershmëri nga të gjithë shqiptarët. Kam bindjen se mediat do të qëndrojnë në krye të kësaj përpjekje. Ajo që ndodhi në 28 nëntor ishte një vërshim i papërmbajtur, i paparë, i ndjenjave të dashurisë, respektit, të atdhetarisë së shqiptarëve në të katër anët e botës. Ajo lëvizje e tërë ishte në shenjë bashkimi. Ajo ka leksionin e madh – shqiptarët nuk duhet kurrë të pushojnë së punuari për të ndërtuar idealin e tyre më suprem, idealin e bashkimit kombëtar. Ata nuk kanë asnjë arsye të qëndrojnë të nënshtruar në trojet e tyre mijëravjeçare. Ata janë të fundit që numërojnë të rënët në trojet e tyre. Sot në Kosovë janë mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat ende kanë të patharë gjakun e vajzave dhe djemve të tyre të rënë për liri. Kjo është e vërtetë për shqiptarët në Maqedoni. Pra, ishte një kushtrim. Ndaj dhe ftesa ime për ju, gra dhe burra, vajza dhe djem të emancipuar, është se nuk duhet kurrë të përtojmë dhe të hezitojmë të shohim të vërtetat në sy. Përndryshe, ne mund të viktimizohemi prej tyre”, theksoi kryeministri.
E parë dhe e sqaruar në këtë këndvështrim, shefi i qeverisë apeloi që askush nuk duhet të trembet nga nacionalizmi shqiptar. Kjo sepse, siç u shpreh kryeministri, nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më qytetar, tërësisht i frymëzuar nga vlerat e lirisë.
“Askush nuk duhet të trembet nga nacionalizmi shqiptar. Ballkani përjetoi stuhitë më të egra nacionaliste në fundin e shekullit që shkoi. Nacionalizmi shqiptar ishte nacionalizmi më qytetar, ishte nacionalizëm tërësisht i frymëzuar nga vlerat e lirisë. Dhe do të ishte e pafalshme që për shkak të barbarive të nacionalizmave të tjerë ne të vendosnim në një shtrat nacionalizmin qytetar shqiptar. Është nacionalizëm i bazuar mbi kulturën, gjuhën, nuk është nacionalizëm i bazuar mbi urrejtjen, mbi shfarosjen, mbi eksternimimin. Në tërë kulturën tonë, në tërë doktrinat tona ne nuk kemi dhe nuk kemi pasur doktrina shfarosëse për kombe të tjera”, deklaroi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›