Media pranë Ramës lajmëron për akte terroriste – skandalizohet ambasada franceze
Ambasada e Francës në Tiranë përgënjeshtroi dje lajmin e “Shekullit”, sipas të cilit, të huajt ishin njoftuar të mos shfaqeshin në vende publike, nga rreziku i akteve terroriste. Ajo e cilësoi lajmin si komplet të gënjeshtërt dhe kërkoi përgënjeshtrimin zyrtar. S’është hera e parë që mediat pranë opozitës shpifin, duke kërkuar ta barazojnë Shqipërinë me krizën greke, apo tani me krizën e sigurisë në Bullgari
Ambasada e Francës në Tiranë, ka hedhur poshtë dje lajmin e publikuar nga gazeta “Shekulli”, për paralajmërime të supozuara që kjo ambasada i bënte shtetasve të saj në Shqipëri.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë dje, bëhet e ditur se, “Ambasada e Francës në Tiranë, përgënjeshtron plotësisht lajmin e botuar në një të përditshme shqiptare më datë 22 korrik 2012, sipas së cilës ambasada ka njoftuar me SMS shtetasit franceze që ndodhen në Shqipëri të kenë kujdes nga akte të mundshme terroriste në vend”.
Duke e cilësuar lajmin si plotësisht të pavërtetë, Ambasada e Francës në Tiranë, deklaron se nuk ka shpërndarë një njoftim të tillë. “Ky lajm është plotësisht i pavërtetë. Ambasada deklaron me përgjegjësi të plotë se nuk ka shpërndarë asnjë paralajmërim ose njoftim të këtij lloji për shtetasit e vet në Shqipëri. Ambasada e përgënjeshtron këtë lajm dhe i kërkon medias qe e ka botuar ta përgënjeshtrojë sa më parë”, përfundon njoftimi i Ambasadë së Francës në Tiranë.
Reagimi i Ambasadës së Francës në Tiranë, erdhi pas një lajmi të publikuar dje në gazetën “Shekulli”, sipas të cilit kjo ambasadë ka shpërndarë këshilla me SMS për shtetasit e saj në Tiranë. Gazeta “Shekulli” shkonte edhe më tej, kur pretendonte se kishte zbuluar tekstin e SMS-së, “Kujdes, shmangni vendet e populluara, mos u largoni nga qendrat urbane, bëni kujdes ndaj elementëve të dyshimtë për akte terroriste”.