I mbyllet rruga pazarit të Ramës me kushtetutën

Pasi ka kuptuar se do të mbetet përjetësisht në opozitë, Edi Rama po kërkon instalimin e diktaturës së pakicës, duke pretenduar të drejtën e vetos në emërimin e çfarë anëtari të institucioneve kushtetuese. Praktika e shantazhit s’do të pranohet nga mazhoranca parlamentare, e cila dje deklaroi formalisht se s’do pranohen parakushtet e pazaret që PS kërkon të bëjë me kushtetutën
Apeli zyrtar i mazhorancës: Heqja e imunitetit të votohet prej opozitës më 6 gusht
Partia Demokratike rrëzon shantazhet dhe praktikën bllokuese të Partisë Socialiste, lidhur me çështjen e heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë. Siç edhe është bërë e ditur, selia rozë, përmes kryetarit të saj, Edi Rama ka shpalosur një listë kriteresh që në tërësi anon nga spektri i kushteve të pa-negociueshme. Kjo do të thotë se interesi i vetëm i opozitës, është bllokimi i nismës së mazhorancës, pavarësisht se imuniteti mbetet një nga kushtet primare për marrjen e statusit të vendit kandidat. Teksa janë konsumuar ballafaqimet politike, në prezantimin e dy drafteve për heqjen e imunitetit si dhe është zhvilluar seanca dëgjimore me grupet e interesit në prani edhe të dy zyrtarëve të misioneve ndërkombëtare EURALIUS dhe PACA, të cilët asistojnë për drejtësinë në vend, PS mbetet në shkretëtirë mendimi, duke mos hequr dorë nga strategjitë e shantazhit politik.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD i bëri apel lidershipit të opozitës të heqë dorë nga pazaret politike dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve, duke iu bashkuar nismës së PD, për heqjen apo kufizimin e imunitetit me ndryshim të Kushtetutës, në 6 gusht.
“Partia Demokratike i bën thirrje dhe një herë z. Rama: Dëgjojë zërin e qytetarëve shqiptarë që duan barazi para ligjit me zyrtarët e tyre, të dëgjojë zërin e të papunëve, pensionistëve të vendit mbi të cilët muri i imunitetit vjen i rëndë sa toka dhe të votojmë së bashku më 6 Gusht heqjen, apo sipas rastit, kufizimin e imunitetit si një histori suksesi për çdo qytetar të këtij vendi”, u shpreh zëdhënësja Silvi Bardhi.
Zëdhënësja e selisë blu theksoi se kreu i PS-së, në antagonizëm me atë që diskutohej në Këshillin e Legjislacionit në pranin të përfaqësuesve ndërkombëtarë, Rama shantazhoi me vendosjen në Shqipëri të Kushtetutës së sundimit të pakicës, duke kërkuar pazare në këmbim të imunitetit.
“Drejtues të institucioneve kryesore kushtetuese të vendit dhe atyre ndërkombëtare, përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile dhe botës akademike të fushës së drejtësisë, të ftuar në një seancë të hapur dëgjimi në Këshillin Legjislativ të Parlamentit për heqjen e imunitetit, konfirmuan para shqiptarëve mbështetjen e tyre të plotë për heqjen, dhe sipas rastit kufizimin e imunitetit. Ata shprehën mendime shumë të vyera që pasurojnë mundësitë e një pune të përbashkët për votimin historik më datën 6 gusht të heqjes, dhe sipas rastit të kufizimit të imunitetit për të gjithë bartësit e tjerë. Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare pohuan në mënyrë të përsëritur se amendamentet e paraqitura në Kuvend nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, pasqyronin plotësisht dhe besnikërisht, projektet e hartuara nga ata në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësues të institucioneve kryesore dhe shoqërisë civile të vendit në një proces të hapur që debatohet tani së fundi prej 1 viti, por në të vërtetë prej vitit 2003.
Por, në një akt dëshpërimi diktuar nga Këshilli i miliarderëve, pikërisht kur të ftuarit në seancën e dëgjimit të Parlamentit po mbështesnin në Unison rrëzimin e murit të imunitetit, Zoti Rama deklaroi se ai nuk pranon këto qëndrime dhe kërkon si pazar për votimin e tyre, vendosjen në Shqipëri të Kushtetutës së pakicës bllokuese apo Kushtetutës së sundimit të pakicës. Ai e ilustroi këtë me procesin e zhvilluar në zyrat e tij për postin e Avokatit të Popullit, të cilin për pazare e la bosh për dy vite me radhë, deklaroi zëdhënësja e PD, duke kujtuar se, Rama kërkon pazare në këmbim të imunitetit, në mënyrë që Këshilli i miliarderëve të vendosë në zyrat e Fidelit, Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe atë të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjykatësit e tyre, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si e vetmja rrugë që kjo Kupolë të ketë të garantuar pasurimin e tyre të paligjshëm, dhe pavarësisht se për cilën forcë politike votojnë qytetarët, ata të bëjnë ligjin me Kushtetutën e sundimit të pakicës. Partia Demokratike thekson dhe një herë, se muri i imunitetit është muri i korrupsionit, është mburoja e pasurimit të paligjshëm dhe kriminal të imunitarëve të vendit në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, është muri që shkatërron çdo ditë qindra vende pune, lëndon çdo ditë mbi gjysmë milioni pensionistë shqiptarë. Muri i imunitetit është muri i trashë i pabarazisë së madhe para ligjit të qytetarëve shqiptarë me zyrtarët e tyre”, u shpreh zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.