E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat: Topalli bojkoton Konferencën e Ohrit, sepse sështë ftuar Kosova

topalli14_255418070Ohër- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli nuk po merr pjesë në Konferencën e kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që po mbahet sot dhe nesër në Ohër.

Sipas burimeve të RTK-së, jozyrtarisht mësohet se kryeparlamentarja Topalli ka refuzuar pjesëmarrjen në Ohër, si shenjë proteste dhe pakënaqësie për shkak të mosftesës së Prishtinës në këtë takim të nivelit të lartë të bashkëpunimit rajonal, transmeton ‘Koha Ditore’.

Nga ana e Parlamentit të Maqedonisë u informua se kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë do të mungojë për shkak të angazhimeve në fushatën e zgjedhjeve parlamentare.

Në konferencë, siç raporton ‘Alsat’, do të marrin pjesë kryetarët e parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse në proces, ndërsa ajo do të kryesohet nga kryetari i kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanovski. Por në këtë takim, sikurse në samitin e presidentëve Evropës Juglindore, prapë nuk është ftuar kryeparlamentari i Kosovës.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë edhe kryetari i Parlamentit Bullgar Mihail Mikov, kryetari i Parlamentit Kroat Josip Leko, kryetari i Parlamentit Rumun Valeriu Zgonea, kryetari i Parlamentit Serb Nebojsha Stefanoviq, kryetari i Parlamentit Slloven Mitja Bervar, kryetari i Parlamentit Turk Xhemil Çiçek, si dhe nënkryetarët e Parlamenteve të Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës. 

Shqipëria siç mësohet do të jetë prezente, por përmes deputetit Fatos Beja, në cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar për politikë të jashtme të Parlamentit të Shqipërisë.

Ky takim vjen para Samitit të shefave të shteteve dhe qeverive që do të mbahet më 1 qershor në Ohër, me vendet pjesëmarrëse të SEECP, ku autoritetet e Shkupit nuk kanë ftuar Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›