Durrës- Shpërthen automjeti në ecje, dyshohet për tre të vdekur
Durrës- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën nacionale Durrës-Shijak mesditën e të hënës ku një automjet ka shpërthyer në ecje.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se brenda automjetit gjendeshin tre ose katër persona dhe dyshohet se për momentin rezultojnë tre të vdekur.
Megjithatë shifrat janë ende jozyrtare dhe pritet që nga hetimet në terren të ketë një shifër të qartë nga ana e autoriteteve policore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 në vendin e quajtur Xhafzotaj, ndërsa burimet zyrtare në terren kanë thënë se dyshohet që shpërthimi të ketë ndodhur nga prania e një bombule gazi brenda në makinë.
Tre autoambulanca kanë mbërritur në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë të plagosurve, nëse ka, apo për të transportuar trupat e pajetë.
Inspektorët e krimeve të Shijakut dhe Durrësit janë në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet për të zbardhur komplet detajet e shpërthimit.