Mediat katalanase kryqëzojnë arbitrin portugez

“Mundo Deportivo” shkruan se ky është një dënim pa apel për Barcelonën. “Vjedhje”, shkruhet në faqen e parë të kësaj gazete. Ndërkohë, e përditshmja “Sport” shton: “Interi dhe arbitri mundin Barcelonën”. Pozicion të ndryshëm mban “AS”, gazetë pranë skuadrës së Real Madrid. Në shkrimin e sotëm, gazeta nënvizon gabimet në dëm të Interit në rastin e pozicionit jashtë loje inekzistent të Militos, apo faulin ndaj Eto’o.
Hidhërim shfaqin edhe lojtarët e Barcelonës, të cilët nuk e kapërdijnë dot këtë humbje. Pique shprehet se në ndeshjen e dyte duhet të emërohet një arbitër i paanshëm, ndërsa Pedro shtoi: “Arbitri nuk ishte mirë”.
Gazeta “Marca” e ka parë ndeshjen nga një tjetër aspekt, duke i kujtuar edhe një herë presidentit madrilen Perez, trajnerin Mourinho. “Mou më afër Madridit”, shkruan kjo gazetë, duke luajtur me fjalët për një kontratë të mundshme të portugezit me klubin mbretëror.