Mediu: Opozita të gjykojë qeverinë në Kuvend
Dy janë pikësynimet e PR-së, objektivi afatshkurtër, përfaqësim i saj në të gjitha nivelet e pushtetit vendor në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe ai afatmesëm, marrja e mandateve të mjaftueshme për të krijuar grup parlamentar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Kryetari republikan, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me Asamblenë Rajonale të Qarkut të Korçës, u ndal tek momentet e rëndësishme në të cilat ndodhet vendi. Puna e qeverisë, reformat e arritura, forcimi i institucioneve dhe shtetit ligjor, janë tregues se Shqipëria tanimë ka hyrë në një rrugë pa kthim mbrapa, për realizimin e ëndrrës së tyre evropiane. Në fjalën e tij, Mediu tha se pushteti nuk është asnjëherë i përhershëm dhe se në demokraci nuk ka të humbur dhe të fituar, ka humbje dhe fitore zgjedhjesh. Ne jemi të gjithë të fituar kur punojmë për interesa kombëtare dhe të gjithë jemi të humbur kur këto interesa nëpërkëmben. Duhet që të gjithë të punojmë me përgjegjësi për interesat kombëtare. Vendi për të ndërtuar debatin dhe komunikimin është Kuvendi i Shqipërisë. PS-ja duhet të marrë pjesë në debatin kundër qeverisë apo për gjykimet që ka ndryshe nga ajo. PS-ja duhet të marrë pjesë bashkë me qeverinë në reformat që kërkojnë angazhimin e saj në emër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, - deklaroi z. Mediu. Kryesia e PR-së zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Asamblesë Rajonale të Qarkut të Korçës, ku u diskutua organizimi i degëve dhe i nëndegëve, duke e shtrirë organizimin në riformimin e grup seksioneve e deri në qendrat e votimit. Pjesë e diskutimeve ishte edhe përzgjedhja e kandidaturave, të cilat do të përfaqësojnë PR-në në këshillat e bashkive dhe ato komunalë, për të pasur një prezantim sa me dinjitoz.