Ngërçi, Meta: Gati takimi Berisha-Rama
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, raportoi në Parlamentin Evropian për reformat e realizuara nga qeveria në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit evropian. Në këtë seancë eurodeputetët kërkuan informacion për situatën politike në vend dhe rrezikun që ajo mund të krijojë vonesa në procesin integrues. Kreu i diplomacisë shqiptare vuri në dukje se anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka nevojë për kontributin e të gjithëve. Ai shprehu bindjen që opozita do të vendosë të bashkëpunojë në këtë drejtim. Rreth vonesave në procesin e integrimit ka ose nuk ka përgjegjës, nuk dua të adresoj fajtorë këtu. Është e vërtetë se vetëm dy dekada më parë Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Evropës, vendi më i izoluar dhe në dy dekada ne jemi anëtarësuar në NATO dhe kemi vendosur marrëdhënie të tilla me shtetet të Evropës që do të na lejojnë me siguri anëtarësimin në BE. Koha për një anëtarësim të tillë varet nga reformat brenda vendit dhe gjithashtu nga vullneti dhe qëndrimi i mbajtur nga Bashkimi Evropian rreth një zgjerimi të ardhshëm, - deklaroi z. Meta. Ai mendon se ka ardhur koha të kuptojmë se gjithsecili duhet të japë kontributin e tij për përshpejtimin e procesit dhe shpresoj që ky është edhe vullneti i opozitës në vendin tim, pasi kjo parti ka dhënë një kontribut të madh në të shkuarën për axhendën e integrimit të vendit. Mendoj se kreu i PS-së dhe kreu i PD-së do të takohen, sepse kjo ka ndodhur në të shkuarën me sukses siç ndodhi me Kushtetutën dhe kodin elektoral. Dhe për të qenë më pozitivë, një bashkëpunim i tillë është në interesin e vendit dhe të integrimit në Bashkimit Evropian, - theksoi ministri i Jashtëm, Ilir Meta.