E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: LSI, koherente në qëndrimet e saj

VLORË Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar dje gjatë një takimi me të rinjtë e LRI-së në Jalë se partia që ai kryeson ka qenë koherente në qëndrimet e saj. ”LSI-ja ka mbajtur qëndrimet më të kristalta në momentet me kritike të demokracisë të jetës politike dhe stabilitetit të vendit, kur ai është vënë në pikëpyetje nga faktorë të caktuar. Sot, ata që bënë Kodin Zgjedhor thonë që e bëmë gabim, sot ata që nxitën ndryshimet kushtetuese në mënyrë jo transparente, thonë që i bëmë gabim; por ne ua thamë përpara së t’i bënin dhe nuk i morën në konsideratë”, - tha dje Meta. Kryetari i LSI-së vlerësoi edhe dimensionin që sipas tij organizata rinore LRI ka ndërmarrë. “Dimensioni që tani ka LRI-ja i ka kapërcyer kufijtë e vendit. Investojmë për ta shumëfishuar kontributin e LRI-së, për të rritur përfaqësimin e LRI-së. Siç është sot bilanci i përfaqësimit në Këshillin Bashkiak të Tiranës, shpresoj të jetë bilanci edhe i përfaqësimit në Kuvend në vitin 2013”,- tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›