Mediu, kallëzohet nga banorët e Gërdecit
TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të familjarëve të 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit, bëjnë gati kallëzimin penal ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes tashmë me detyrën e Ministrit të Mjedisit deputetit Fatmir Mediu dhe "arkitektëve" e kompanisë që ngritën fabrikën e ferrit në ish-repartin e tankeve. Ky lajm bëhet i ditur nga mbrojtësja ligjore e familjarëve të viktimave të Gërdecit, avokatja Blerta Kraja, e cila gjatë një bisede me "Shekullin" konfirmoi këtë informacion, duke shtuar se të hënën kallëzimi do depozitohet pranë institucionit të akuzës.
"Sot në ora 11:00 kemi një takim me ekspert të ndryshëm ligjor dhe avokat të çështjes Gërdeci, ku do të publikojmë disa nga detajet e strategjisë së mbrojtjes që do ndjekim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të kësaj tragjedie. Gjithashtu, sot do të publikojmë edhe të dhëna të reja, se çfarë rruge do ndjekim për t'i vënë para drejtësisë të gjitha ata që menduan se i shpëtuan dhe mendojnë se do i shpëtojnë akuzave për tragjedinë e Gërdecit. Të hënën do të dorëzojmë pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë një kallëzim penal ndaj Ministrit të Mjedisit deputetit Fatmir Mediu, ish-drejtorit të MEICO-së Ylli Pinari, administratorit të kompanisë "Albademil" shtetasit Mihal Delijorgji dhe kunatit të tij, me detyrë drejtues teknikë në fabrikën e çmontimit në Gërdec Dritan Minxholli. Këta persona do të kallëzohen si shkaktarë të vdekjes së 26 personave, familjarët e të cilëve i mbrojmë ne në proceset gjyqësore"-tha avokatja Blerta Kraja për "Shekullin".
Sipas saj, me kallëzimin që do bëhet në prokurori, do i jepet mundësi e dytë organit të akuzës të rifilloi ndjekjen penale për ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vetëm pak ditë më parë vendosi pushimin e çështjes për shkak të imunitetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit në vend. Ky vendim i Gjykatës së Lartë, e shpëtoi atë nga gjykimi dhe përballja me akuzën e "shpërdorimit të detyrës", të kryer gjatë procedurave të përpilimit të ligjit për demilitarizimin e municioneve, vend caktimin për ngritjen e fabrikës së çmontimit në Gërdec, procedurat e pa rregullta të përcaktimit të firmës fituese dhe shumë akuza të tjera. Që si pasoj e ngritjes së kësaj fabrike dhe mos krijimit të kushteve elementare të sigurisë fizike ndodhi shpërthimi i 15 marsit 2008 që solli vdekjen e 26 personave, mbi 300 të plagosurve dhe me miliarda lek të reja dëme materiale. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme edhe pse Gjykata Lartë vendosi pushimin e çështjes ndaj deputetit Mediu, ka dërguar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, dosjen penale me 28 të pandehurit dhe kompaninë "Albademil", të cilët akuzohen si përgjegjës për ngritjen e fabrikës së çmontimit në Gërdec. Por, edhe pse dosja penale, tashmë prej muajsh ndodhet në duart e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës, procesi nuk ka filluar ende, për shkak të mungesës së pa arsyeshme të avokatëve mbrojtës.
Gjithashtu, mbrojtësja ligjore Kraja, konfirmoi për "Shekullin" se edhe padit civile, të cilat janë deponuar tashmë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, pritet t'i nënshtrohen një procesi të rregullt dhe të drejtë ligjor, duke kërkuar të drejtën e dëmshpërblimit për jetët e humbura nga shpërthimi i punishtes së demontimit në Gërdec.