E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdhunimi në burg, pritet ekspertiza mjeko-ligjore

SKANDALI/ Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se pasi ka denoncuar, 16-vjeçari nuk ka dashur të flasë më


Mësohet se në pyetje janë marrë të gjithë personat që kanë qenë në shërbim në burgun e Drenovës çastin e ngjarjes


KORÇË- Prokuroria e Korçës po heton për abuzimin në burgun e Drenovës me 16-vjeçarin, ndërsa pritet raporti i ekspertizës mjeko-ligjore. Akuza e një adoleshenti në gjendje paraburgimi për abuzim seksual me të nga disa të burgosur, ka çuar drejt këtij institucioni një grup të organit të akuzës.


Ngjarja mendohet të ketë ndodhur disa ditë më parë, teksa është mbajtur në sekret të plotë dhe është bërë publik vetëm pas grupeve të shumta të kontrollit që kanë mbërritur në këtë burg nga kryeqyteti.


Paralelisht Prokuroria e Rrethit të Korçës ka hapur një proces hetimi për t'i shkuar deri në fund së vërtetës që lidhet me përdhunimin e një të mituri në burg nga disa të rritur.


Hetimi


Çështjen në fjalë e ka marrë për shqyrtim prokurorja Dhorina Theodhori, ndërsa pritet akti i ekspertizës mjeko-ligjore, e cila do të zbardhë të gjithë misterin për një ngjarje kaq shokuese.


Duke iu referuar burimeve të organit të akuzës, mësohet se 16-vjeçari nga Pogradeci me inicialet A.I. ka dhënë spjegimet e tij, ndërkohë që vetëm tri ditë më parë ai është transportuar në spitalin rajonal për t'iu nënshtruar një kontrolli të imtësishëm nga mjekë specialistë.


Kanë qenë dy mjekë nga Tirana, si dhe mjeku ekspert i Korçës të cilët e kanë ekzaminuar për më shumë se një orë 16-vjeçarin, ndërsa ende nuk kanë dalë me raportin mjeko-ligjor.


Duke iu referuar burimeve nga Prokuroria, mësohet se ky raport pritet të mbërrijë vetëm pas disa ditësh, ndërkohë që nga ana tjetër hetimet rreth çështjes vazhdojnë me intensitet të plotë.


Ngjarja


Mësohet se gjithçka ka nisur nga një shqetësim i ngritur nga ana e Avokatit të Popullit, përfaqësues të të cilit kanë vizituar burgun e Drenovës.


Pas kësaj grupe kontrolli, por dhe hetimi nga Ministria e Drejtësisë, SHKB, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë zbarkuar në burgun e Drenovës duke marrë në pyetje dhe hetuar lidhur me ngjarjen në fjalë.


16-vjeçari A.I. fillimisht ka pretenduar për një përdhunim nga persona më të rritur se ai, ndërsa gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurores së çështjes është përjekur të mos flasë për këtë argument duke u paraqitur njëherësh tejet i shokuar. Gjithsesi, do të jenë mjekët ekspertë të cilët do të dalin me raportin e tyre ligjor.


Kontrolli


Nga hetimet e mëtejshme të gazettes "Shekulli" pranë spitalit të Korçës, mësohet se 16-vjeçari është transportuar në institucionin shëndetësor i shoqëruar me pranga nga disa civilë.


Ai është ekzaminuar në një nga ambientet e kirurgjisë, ndërsa iu është kërkuar infermierëve të mos asistojnë gjatë kontrollit mjekësor që i ka bërë grupi i mjekëve. Më pas ai është shoqëruar sërish në ambientet e burgut.


Gjithsesi, hetimet në burgun e Drenovës vetëm 3 kilometra larg qytetit të Korçës vazhdojnë, ndërsa prokuroria ka marrë në pyetje dhe personelin e burgut dhe konkretisht personat që kanë qenë prezentë gjatë turnit kur mendohet të ketë ndodhur ngjarja.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›