Mediu nga Oslo: Do përmbushim detyrimet

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu deklaron se Shqipëria po punon për përmbushjen e programit të një mjedisi të shëndetshëm për një zhvillim të qëndrueshëm sipas parametrave të vendeve Europiane. Në konferencën e 6-shtë ministeriale të "Forest Europë", të mbajtur në Oslo të Norvegjisë, ai vuri në dukje zbatimin e një programi të ri pyjor, me fokus zhvillimin e qendrueshëm të pyjeve si dhe harmonizimin e faktorëve socialë, ekologjik në zhvillimin e zonave pyjore.
Po ashtu në fjalën e tij, ministri Mediu bëri të ditur se puna e dikasterit që ai drejton është e fokusuar në përafrimin e legjislacionit me vendet e BE, konsultimin e gjerë me publikun, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore etj.
Gjithashtu Mediu përmendi edhe hapat e para që ka bërë Shqipëria për sa i përket përballimit të ndryshimeve klimaterike. Mediu ndau të njëjtin vizion me konferencën ministerale ku u firmosën disa dokumente bashkëpunimi. Në konferencë u firmosën dy dokumente, "Forest Europe 2020 dhe Mandati ministerial i Oslos për Negociata për Marrëveshje detyruese ligjore për pyjet në Europë. Po ashtu ai pati takime me homologun norvegjez, finlandez, austriak si dhe me delegacionin turk. Në këtë konferencë merrnin pjesë 48 vende firmëtare, 14 vende observatore si dhe 36 firma observatore.