E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, AMF publikon tarifat e reja

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, primet e sigurimit për makinat sipas fuqisë motorike

Makinat me fuqi motorike deri në 1 600 cm3 do kenë një siguracion që fillon nga 7.5 mije lekë

Siç kishte lajmëruar që prej kohësh Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka ndryshuar të gjitha tarifat për sigurimin e detyrueshëm të makinave. Në këtë vend të gjithë tarifat që do të përdoren nga kompanitë e sigurimeve do të kenë për bazë fuqinë motorike që është ndarë në dy kategori kryesore për autoveturat.

Sigurimi për autoveturat

Për autoveturat sigurimi do jetë i ndarë në dy kategori kryesore, sipas fuqisë motorike deri në 1600 cm3 dhe mbi 1600 cm3. Referuar tabelës së publikuar nga AMF që do të zbatohet nga kompanitë e sigurimit që prej datës 15 gusht, primi i pastër për makinat me fuqi motorike deri në 1 600 cm3 do të jetë 6 300 lekë. Mbi këtë prim kompania do të shtojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe mund të shesë një policë për kategorinë e automjeteve deri në 1 600 cm3 maksimumi 10 080 lekë. Në këtë çmim maksimal që kompanitë mund të përdorin për kapacitetin motorik deri në 1 600 cm3 përfshihet edhe TVSH. Pra për kategorinë deri në 1600 cm3 kompanitë mund të përdorin një çmim shitje për policat e tyre nga 7 500 lekë deri në 10 080 lekë.

Për sa i përket autoveturave që kanë një kapacitet më të madh se 1 600 cm3 kompanitë e sigurimit mund të shesin polica me një çmim nga 11 mijë lekë deri në 14 720 lekë.

Ndërsa për sa i përket automjeteve që futen në kategorinë e furgonëve ata ndahen në dy kategori, në atë të furgonëve me kapacitet 5 deri në 8 vende dhe në kategorinë 8 deri në 15 vende. Për kategorinë e parë të furgonëve, që kanë një kapacitet 5 deri në 8 vende, çmimi i shitjes varion nga 15.3 mijë lekë deri në 20.3 mijë lekë. Ndërsa për furgonët me kapacitet deri në 15 vende kemi një çmim shitje deri në 28 mijë lekë përfshi edhe TVSH-në.

Rriten primet, bien dëmet

Gjatë 7 muajve të parë të këtij viti kompanitë e sigurimeve kanë vazhduar që të paguajnë më pak dëme se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga ana tjetër kemi një rritje të primeve të arkëtuara sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në 7-mujorin e parë te vitit2008 ishte rreth 732 milionë lekë, ose 14.13 % më pak se në Janar - Korrik të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit me rreth 46.07 % dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 36.19 %, krahasuar me 7- mujorin e parë të vitit 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 602 milionë lekë, apo 84.70 % të totalit të dëmeve të paguara bruto. Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe Kasko, dhe e ndjeshme paraqitet ulja e dëmit mesatar Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme: Por rënia e dëmeve në total të paguara gjatë 7 muajve të parë të këtij viti është në një trend të kundërt me kontratat e sigurimit dhe primet e arkëtuara nga ky aktivitet. Sipas të dhënave të AMF në periudhën Janar - Korrik 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 358,574, duke shënuar një rritje prej rreth 18.99 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 4,018 milionë lekë, shifër kjo 16.72% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 86.96% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 13.04%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›