Medvedev kunder Putinit Le te vendose gjykata per Khodorkovskin
Presidenti rus, Medvedev, i ka urdhëruar zyrtarët dje që të mos bënin deklarata në lidhje me çështjen gjyqësore të Mikail Khodorkovskit, ish-njeriut më të pasur në Rusi, para publikimit të vendimit të gjyqit që do të jepet të hënën më 27.
Kjo është përpjekja e fundit e Presidentit rus për të përmirësuar situatën e rëndë të ligjit dhe drejtësisë në Rusi.
Komentet e Medvedevit vijnë një javë pas komenteve që bëri për të njëjtën çështje Kryeministri rus, Putin. Ai, në një intervistë televizive, e krahasoi Khodorkovskin, ish-pronarin e kompanisë “Jukos”, me financierin supermashtrues amerikan, Bernard Madoff, një nga krijuesit e skemave piramidale, që u mori amerikanëve 20 miliardë dollarë. Sipas Putinit, Khodorkovski nuk meriton mëshirë. Kjo deklaratë e tij u kundërshtua dhe u diskutua shumë, duke u konsideruar si një ndërhyrje në vendimin e gjykatës.
“As Presidenti, as ndonjë tjetër zyrtar i lartë nuk ka të drejtë që të komentojë këtë rast të veçantë para se të jepet vendimi i gjykatës”, ka deklaruar Medvedev në një intervistë direkte me televizionin shtetëror rus. Khodorkovski është dënuar për mospagim taksash kur ishte zotëruesi i kompanisë së naftës “Jukos” dhe ka vuajtur një dënim prej 9 vitesh burg. Por në fakt rasti i dënimit të tij, dikur njeriu më i pasur i vendit, është konsideruar si një hakmarrje politike e Putinit, i cili pa te Khodorkovski një kundërshtar të hapur politik.
Khodorkovski është duke u përballur aktualisht me një gjyq të dytë për përfitimin e 25 miliardë dollarëve naftë nga kompania e tij. Të hënën në përfundim të një gjykimi të gjatë, gjykatësi pritet që të japë verdiktin për çështjen e dytë të Khodorkovskit. Medvedev, i cili ka premtuar që në fillim kur erdhi në pushtet për krijimin e gjykatave të pavarura dhe forcimin e sundimit të ligjit në Rusi, ngulmoi që nuk ishte parë prova që mbështesnin pretendimet se prokurorët ishin të njëanshëm në zbatimin e ligjit. Ndërkaq, vetë Khodorkovski po dje ka botuar një opinion në një gazetë ruse, në të cilin e kritikonte shumë Putinin. Ai e akuzonte atë për nxitje të ksenofobisë që kishte shkaktuar dhe përplasje mes huliganëve në Moskë në fillim të muajit. “Mijëra e mijëra adoleshentë u shndërruan befas në brutalë dhe kjo, sepse fëmijët tanë nuk shohin ndonjë perspektivë për veten e tyre. Ky është një rezultat i rrezikshëm dhe i dukshëm i “stabilitetit” të Putinit. Në lidhje me dashurinë e Putinit për qentë, Khodorkovski e përshkroi atë “të vetmen ndjenjë të sinqertë dhe të mirë që kishte Putini i mbyllur në armaturën e ‘simbolit kombëtar’ të viteve 2000”.