Arta Sakja Dielli ka harruar
Botoi: “Skanderbeg Books”
Gjini: Poezi
Faqe: 119
Ajo që duket tejet universale dhe hyjnore, nuk përshkruan gjë tjetër vetëm se realen. Në kërkim të dashurisë këto ditë dimri, gjej vargjet e kësaj poezie në vëllimin më të ri poetik “Dielli ka harruar…” të poetes Arta Sakja, dalë nga shtëpia botuese “Skandergeb Books”. Poezia duket sikur nis e ngatërruar, por është një enumeracion i metaforave të jashtëzakonshme, antitezave dhe enumeracioneve letrare, kushtuar ndjenjave, dashurisë dhe virtytit. Dashuria e Artës nis në qiej te retë, molepset mes ujqërve e dhelprave, por sërish zbret në tokë. Pranon humanitetin e saj, duke bërë kompromis me trupin, me dhimbjen. Shfleton rreshta poezie, sheh diej që ulen dhe ngrihen, kafshë të ngordhura që rilindin, madje bëhen pishman që nuk vdesin. Të gjitha janë ndjenja të ngatërruara të qenies, të cilat, nëpërmes poezisë, rreken të finalizohen në të vërtetë. Të duket sikur udhëton nëpër tri kohë të shtrira paralelisht me njëra-tjetrën. Koha e parë është e mbushur me ndjenja, që thërrasin “hape, hape, hapeeeee natën…”, por Arta, me veshë të çmendur e struk natën dhe e tkurr në vetvete. A mundet të bëjë më shumë poeti përveçse t’i fusë nën lëkurë realitetet e kohës, t’i mbulojë me shpirtin e tij dhe më pas t’i hedhë në vargje dhimbjet e brezit?!! Me fjalën ajo derdh botën e saj, ëndrrat, zhgjëndrrat, dëshirat, dashuritë, vlerat dhe antivlerat. Vëllimi poetik dallon nga simetria dhe ndërtimi i rregullt që ka në strukturë. Çdo poezi është grupuar në një përmbledhje të ndarë në kapituj të vegjël. Këta minikapituj kanë një linjë dhe një ide individuale, e cila shtrihet dhe zgjerohet në vetvete nëpër çdo kapitull që shfletojmë, derisa unifikohet në një të vetme. Njehsohet në tiparin dallues të çdo poezie, në atë të ndjenjës, të njerëzores. Në poezitë ka tepër ndjenjë, e cila zbret nga qiejt e muzave poetike dhe bëhet njësh me problemet shpirtërore dhe shoqërore të çdo lexuesi. Simboli është elementi dallues i poezive. Poezia e Artës ndërtohet mbi simbolin, ashtu si Martin Camaj që ka simbol korbin. Korbi i Camajt ngrihet mbi traditën, ndërsa macet e Artës ngrihen mbi vlerat. Macet janë urët lidhëse të dy botëve, të të gjallëve dhe të të vdekurve, por autorja këto kafshë gëzoflëmuara i ka bërë urëlidhëse mes një bote të tretë, mes poezisë dhe shpirtit të atij që lexon poezinë. Në një varg poezish kemi simbol macen, diku tjetër ditën dhe natën, lulet dhe ëndrrat. Kështu të molepsur me njëri-tjetrin, nëpërmjet fjalëve të rrjedhura bukur, këto simbole bëjnë luftë me njëra-tjetrën. Koha që më pëlqen më shumë te poezia e Artës, është ajo e kujtimeve. Fjongot e flokëve, lulkat dhe kujtimet e njoma, shfaqen si një shenjë e pashmangshme historie, kontrasti mes dritës dhe errësirës, mes luftës dhe vdekjes, mes hipokrizisë dhe thjeshtësisë. Gjithsesi, këto vargje më koncentruan mendimin në një të vetëm: Në fund, pasqyrat e falsitetit thyhen, shemben. Mbetemi vetëm ne dhe vetvetja, që të tjerët të na njohin.